Për ta fituar titullin e Premierligës, Liverpooli do të duhet ta mposhtë historinë. Jo vetëm për shkak që nuk e kanë arritur këtë gjë që 29 vjet, mirëpo kështu sugjeron edhe një statistikë e ligës angleze për fituesit e këtij shekulli.
Liverpooli ka arritur të përfundojë në pozitën e dytë të vetëm tri herë që kur ka filluar Premierliga, pozita më e lartë që e ka arritur ky klub. Por, ata duhet ta rishkruajnë më shumë se vetëm historinë e klubit të tyre për ta ngritur lart trofeun në fund të sezonit, transmeton Gazeta Express, përcjell gazeta KOHA.
Kjo pasi që çdo klub, që e ka fituar titullin e Premierligës deri më tani, e ka pasur të paktën një futbollist francez në skuadër. Në skuadrën e Jurgen Kloppit nuk gjendet asnjë futbollist me kombësi franceze.
Në sezonin 1999/2000, Mikael Silvestre e fitoi titullin me Manchester Unitedit dhe e përsëriti këtë sukses edhe në sezonet e ardhshme: 2000/2001, 2002/2003 dhe 2006/2007.
Ndërsa, Arsenali e fitoi titullin, në sezonin 2001/2001, me një numër të madh të futbollistëve francezë në skuadër, si: Thierry Henry, Patrick Vieira, Gilles Grimandi, Robert Pires dhe Selvain Willtord. Të gjithë këta, përveç Grimandin, e fituan këtë titull përsëri në vitin 2004.
Gael Clichy u shpall kampion i Premierligës me Manchester Cityn, në sezonet 2011/2012 dhe 2013/2014, bashkë me Samir Nasrin.
William Gallas dhe Claude Makelele e fituan titullin e Premierligës me Chelsean e drejtuar nga Jose Mourinho, në sezonet 2004/2005 dhe 2005/2006. Ndërsa, Patrice Evra i ndihmoi Sir Alex Fergusonit ta kthente titullin në “Old Trafford” në sezonin 2008/2009, e më vonë edhe në sezonet 2010/2011 dhe 2012/2013.
Nicolas Anelkaa dhe Florent Malouda ishin anëtarë të skuadrës së Chelseat që e fitoi titullin në sezonin 2009/2010. E njëjta histori vlen edhe për fituesit e tjerë të Premierligës që nga viti 1999.
Kampioni i fundit i ligës angleze, pa asnjë futbollist francez, ishte skuadra e Manchester Unitedit në sezonin 1998/1999. Kjo skuadër e Fergusonit kishte arritur ta fitonte tripletën këtë sezon, duke u bërë ekipi i parë anglez që e arrin një gjë të tillë.