Policia e Shtetit dha një pasqyrë të plotë të masave të sigurisë përpara, gjatë dhe pas ndeshjes me Italinë, në “Loro Boriçi” të Shkodrës, mbrëmjen e së hënës në orën 20:45.
“Nuk do të lejohet asnjë person që të hyjë në stadium me fishekzjarre, flakadanë, sende të forta, sende metalike, monedha apo çelësa, parulla që janë të ndaluara etj”, shkruhet në komunikatën e Policisë së Shtetit, shkruan Top Channel.
Një paralajmërim i fortë vjen nga shërbimet e policisë, nga ana e të cilave nuk do të lejohet hyrja në stadium e asnjë banderole dhe asnjë personi nga tifogrupi “Illyria Elite”, të cilëve nuk u janë shitur bileta nga Federata Shqiptare e Futbollit, pasi kanë krijuar probleme në ndeshjen Itali-Shqipëri në Palermo, më 24 mars të këtij viti 2017.
Ndërkohë, nga Italia pritet të ndjekin ndeshjen në stadium rreth 1.200 tifozë italianë. Prej tyre, rreth 500 pritet të vijnë enkas nga vendi fqinj, ndërsa rreth 700 tifozë pritet të jenë shtetas italianë me banim të përkohshëm në Shqipëri.