Disfata e Real Madridit me rezultat 2-0 ndaj Real Sociedadit të dielën ka nxitur shumë diskutime, veçanërisht sa i përket një incidenti kontrovers kur “Los Blancos” kërkuan akordimin e një penalltie, kërkesë kjo që nuk u pranua nga gjyqtari Geronimo Rulli dhe VAR-i (Video Assistant Referee).
Real Madridi e bëri një ankesë zyrtare te Federata e Futbollit të Spanjës menjëherë pas përfundimit të ndeshjes. Kjo ankesë përfundoi me një bisedë mes presidentit të Real Madridit, Florentino Perezit, dhe presidentit të federatës, Luis Rubiales, përcjell Gazeta Express.
Mediat spanjolle, si Cadena Cope, raportojnë se presidenti i Federatës së Futbollit të Spanjës e pranoi gabimin e bërë gjatë ndeshjet. Mirëpo, kryetari i Komitetit të Referimit, Carlos Velasco Carballo, nuk e ka fshehur asnjëherë faktin se mund të ketë gabime gjatë përdorimit të VAR-it.
Sulmuesi i Real Madridit, Vinicius Junior, ishte rrëzuar në tokë pas një ndërhyrjeje nga lojtari i Real Sociedadit, Geronimo Rulli. Gjyqtari nuk e akordoi penalltinë pasi që vlerësoi se Rulli vetëm e kishte larguar topin nga ajo zonë e rrezikshme.
Gjyqtari në dhomën e VAR-it për këtë ndeshje ishte Jose Luis Munuera Montera, i cili kishte qenë gjyqtari kryesor në dhomën e VAR-it edhe për ndeshjen tjetër të Real Madridit, kundër Eibarit, të cilën madrilenët e humbën me rezultat 3-0.
Në atë ndeshje, Eibari kishte kaluar në epërsi përmes një goli, i cili fillimisht ishte kontrolluar nga VAR-i për shkak të pretendimeve se lojtari që e kishte shënuar golin, kishte qenë në pozitë jashtë loje, që doli të jetë e pavërtetë.
Munuera Montelo e festoi atë gol bashkë me ndihmësit e tij. Televizioni zyrtar i Real Madridit e publikoi një video të kësaj ngjarjeje, duke sugjeruar se gjyqtarit nuk i pëlqen Real Madridi, për këtë arsye nuk u akordua as penalltia e Viniciusit në ndeshjen kundër Real Sociedadit.
Gjyqtarët takohen çdo dy javë për t’i analizuar incidentet e fundit në mënyrë private dhe në takimin e radhës ata do të diskutojnë edhe për këtë incident, kur VAR-i bëri gabim duke mos ndërhyrë në ndeshje, pasi u kërkua akordimi i një penalltie.
Por, në të njëjtën kohë do të diskutohet edhe vendimet e sakta të gjyqtarëve, pasi që me përdorimin e VAR-it, Federata e Futbollit në Spanjë nuk synonte t’i japë fund të gjitha gabimeve, pasi që një gjë e tillë konsiderohet e pamundur, mirëpo ta përmirësojë sa më shumë që është e mundur.