Përmes publikimit të raportit financiar për çerekun e parë të vitit 2018, Manchester Unitedi ka zbuluar se klubi pret që këtë vit ta arrijnë shumën prej 338,7 milionë eurove të shpenzuara për pagat e lojtarëve. Trajneri portugez, Jose Mourinho, ankohet shpeshherë se nuk ka mjaftueshëm para për të blerë lojtarë për të garuar me klube si Manchester City dhe Paris Saint-Germain, por vetëm Barcelona shpenzon më shumë para se “Djajtë e kuq” për pagat e lojtarëve, transmeton Gazeta Express.
Edhe pse forma e tyre është përkeqësuar këtë sezon në krahasim me sezonin e kaluar, shuma e parave të shpenzuara për pagat e lojtarëve është ngritur dhe tani më Manchester Unitedi është klubi që shpenzon më së shumti para në Premierligë për pagat e lojtarëve.
Numrat e publikuar në raportin financiar për çerekun e parë të vitit tregojnë se shuma e shpenzuar për paga është rritur në 84.5 milionë euro, shumë kjo më e madhe për 10.2 përqind ne krahasim me vitin e kaluar.
Në këtë rritje ka ndikuar transferimi i Alexis Sanchezit gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi që ai ka një pagë prej 508 mijë eurove në javë.
Megjithatë, kjo shumë e lartë e shpenzuar për paga nuk e dëmton klubin, pasi që ata fitojnë çdo vit gjithmonë e më shumë para. Rekordi pritet të thyhet përsëri këtë vit, kur “Djajtë e kuq” do t’i fitojnë rreth 700 milionë euro.