Pasi që Real Madridi është nëntë pikë larg Barcelonës në La Liga dhe është eliminuar nga Kupa e Mbretit, vetëm suksesi në Ligën e Kampionëve mund t’ia garantojë Santiago Solarit të ardhmen në Madrid.
Real Madridi e filloi mirë El Clasicon e së mërkurës, mirëpo puna e mirë e madrilenëve në këtë pjesë u zhbë pasi që ata nuk u treguan të saktë para portës. Lojtarët e Solarit i patën gjithsej 14 goditje drejt portës, mirëpo asnjëra prej tyre nuk e mposhti Marc-Andre Ter Stegenin, transmeton Gazeta Express, përcjell gazeta KOHA.
Pasojat e këtyre rasteve të humbura ishin të mëdha: Real Madridi u mposht në shtëpi me rezultat 3:0 dhe u eliminua nga Kupa e Mbretit. Tani, mundësia e vetme për Solarin, për ta siguruar pozitën e trajnerit edhe për sezonin e ardhshëm, është suksesi në Ligën e Kampionëve.
Solari i ka fituar 21 ndeshje, i ka barazuar dy dhe ka pësuar disfatë gjashtë herë. Ai i ka fituar 72 për qind të ndeshjeve të zhvilluara deri më tani, në krahasim me vetëm 43 për qind të trajnerit paraprak, Julen Lopeteguit.
Solari ka kontratë me Real Madridin deri në vitin 2021, e cila i ishte ofruar pas dy javëve si trajner i përkohshëm, pas shkarkimit të Julen Lopeteguit. Mirëpo, presidenti i “Los Blancos”, Florentino Perez e ka dëshmuar se nuk e ka problem t’i shkarkojë trajnerët nga puna.