Trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho, e ka sfiduar yllin e skuadrës së tij, Paul Pogban, t’ua dëshmojë të gjithëve sa i mirë është në ndeshjen kundër Valencias të mërkurën, në Ligën e Kampionëve.
Kampioni botëror, Pogba, i cili u kthye në Manchester Unitedi për 100 milionë euro në vitin 2016, mbeti në bankën rezervë në ndeshjen e djeshme kundër Fulhamit. Edhe ndeshjen paraprake, Pogba ishte lënë në stol, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, në konferencën për shtyp pas fitores së djeshme me rezultat 4-1, Mourinho ka bërë të ditur se Pogba do të startojë në ndeshjen e mesjavës, kundër Valencias në Spanjë. “Djajtë e kuq” tanimë e kanë siguruar kualifikimin nga Grupi H në fazën e eliminimeve direkte.
“Ai e ka potencialin për të qenë një lojtar fantastik. Kundër Valencias, ai do të startojë dhe do ta ketë një ndeshje fantastike dhe do t’ua dëshmojë të gjithëve se sa i mirë është”, ka thënë strategu portugez.
Mourinho dhe Pogba janë përleshur disa herë gjatë këtij sezoni. Një nga këto raste ishte zënë në kamera gjatë seancës stërvitore, ku shiheshin qartazi këta të dy duke e zënë në shtator. Kur u pyet pse mungoi në ndeshjen kundër Fulhamit, Mourinho tha se Pogba duhet të luajë në të njëjtin nivel me pjesën tjetër të skuadrës.
“Ai duhet të luajë me të njëjtin mentalitet si pjesa tjetër e skuadër. Kur jep gjithçka për klubin, je më afër të qenit një skuadër më e mirë. Duhet të jesh profesionist i mirë, të japësh gjithçka për klubin, jo siç thonë të tjerët, për trajnerin”, shtoi Mourinho.
“Lojtarët e kuptojnë se kur 11 lojtarë luajnë së bashku, luftojnë së bashku, punojnë së bashku si një skuadër, ne mund të jemi një ekip shumë më i mirë”.