Sulmuesi anglez nuk po gjen hapësira te skuadra e Liverpoolit. Daniel Sturridge nuk është një zgjedhje e parë për trajnerin Jurgen Klopp dhe të shumtën e kohës po e kalon në bankën rezervë.Kjo situatë ka bërë që ai të kërkojë largimin nga Anfield gjatë janarit, për të shkuar në një skuadër tjetër tek e cila do t’i mundësohej të luante rregullisht, për të qenë i gatshëm për Kupën e Botës me kombëtaren e Anglisë, transmeton KosovaPress.
Për sulmuesin e Liverpool ka shprehur interesim Milani që përkundër transferimeve të mëdha në verë nuk ka arritur të marrë rezultatet e pritura në Serie A dhe për këtë e ka një faj edhe sulmi i cili nuk ka qenë produktiv. Prandaj, drejtuesit e Milanit e shohin Sturridge si njeriun e duhur që do të mund të zgjidhte problemet e tyre në sulm për pjesën e mbetur të stinorit. Milani e kërkon sulmuesin në formë huazimi me të drejtë blerjeje në fund të sezonit, por mbetet të shihet se cila do të jetë dëshira e Liverpoolit, për ta larguar apo jo lojtarin nga skuadra.