Pas humbjes turpëruese ndaj Floyd Mayweather në natën e Vitit të Ri, japonezit Tenshin Nasukawa i është kërkuar një meç edhe nga irlandezi Conor McGregor. Këtë gjë irlandezi e bëri të ditur përmes llogarisë së tij në Twitter.
Edhe McGregor edhe Nasukawa u mposhtën nga Floyd Mayweather. McGregor u mposht në tetor edhe nga Khabib Nurmagomedovi, mirëpo tani duket se ai është i gatshëm ta harrojë atë meç, transmeton Gazeta Express.
Ndërsa, Nasukawa u ndesh me Mayweatherin në natën e Vitit të Ri, kur u turpërua duke pësuar disfatë qysh në rundin e parë, pas tri rrëzimeve të njëpasnjëshme. Japonezi filloi të qajë sapo përfundoi meçi.
McGregor e shfrytëzoi llogarinë e tij në Twitter për t’i kërkuar Nasukawas një meç në kuadër në garës për artet e përziera marciale. Irlandezi ka kërkuar që ky meç të zhvillohet qysh para verës së këtij viti në Tokio.
“Unë dua të shkoj në Tokio për t’u ndeshur me Tenshin Nasukawas në një luftë të arteve të përziera marciale. Para kësaj vere. Ju lutem organizojeni këtë gjë, menjëherë. Sinqerisht, kampioni, kampioni. @UFC @ParadigmSM”, ka shkruar McGregor në Twitter.