Mbrojtësi legjendar brazilian i krahut të djathtë, Maicon, është kthyer në futboll në moshën 37-vjeçare, duke iu bashkuar klubit të nivelit të dytë të futbollit në Brazil, Criciuma, përkundër që e kishte lajmëruar pensionimin e tij në dhjetor të vitit 2017.
Maicon, i cili u bë i famshëm gjatë kohës së tij në Inter, tani do ta ketë mundësinë ta realizojë një ndër ëndrrat e tij: të pensionohet me klubin ku e kishte filluar karrierën si futbollist, para se ishte transferuar te gjiganti brazilian, Cruzeiro, transmeton Gazeta Express.
“Maiconi erdhi të na kërkonte. Ai është një idhull i mrekullueshëm, edhe i imi gjithashtu, dhe ai ka shumë cilësi të mira si futbollist”, ka thënë presidenti i Criciumës, Jaime Dal Farra.
“Për më tepër, ai dëshiron ta përfundojë karrierën e tij këtu. Ai beson se brenda një muaji, ai do të jetë i gatshëm për plot 90 minuta”, shtoi Dal Farra.
Pasi u largua nga Criciuma për t’iu bashkuar skuadrës së Cruzeiros, Maiconi arriti të luante edhe për shumë klube të tjera të mëdha, si: Interi, Manchester City, Roma, Monaco dhe Avai.