Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një konference për media ka kritikuar kryeministrin Ramush Haradinaj, si dhe presidentin Hashim Thaçi.
Kurti ka përkujtuar se kjo parti ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Haradinaj, i cili, sipas Kurtit, për çdo javë bën, së paku, nga një skandal.
“Ai duhet ta testojë qeverinë me votëbesim në Kuvend. Kosova nuk mund ta bëjë shtetndërtimin e saj pa demokraci. E, nuk ka demokraci me qeveri të pakicës. Kemi nevojë për zgjedhje të reja e të lira”, tha Kurti, për Hardinajn.
Duke folur për udhëheqjen e dialogut nga Presidenti Thaçi, Kurti ka thënë se Beogradi ka dy qëllime kryesore.
“Në këtë kontekst, qëllimet e Beogradit janë të qarta dhe mund të themi se janë dy kryesore: 1) ‘Zajednica’ e Serbisë në Kosovë; 2) Anëtarësim sa më i shpejtë i Serbisë në BE. Në përputhje me këto qëllime, president i Serbisë, Vuçiq, shtron kërkesa. Ndërkaq, Kosova nuk i ka formuluar as qëllimet dhe as parimet e saj dhe rrjedhimisht as kërkesat ndaj Serbisë”, u shpreh ai ndër tjerash.
Sipas kreut të VV-së, Thaçi po e përdor dialogun për t’u bërë imun nga Gjykata Speciale.
“Qartazi, Thaçi nuk është duke shkuar në Bruksel. Vuçiqi po shkon në Bruksel, kurse Thaçi po shkon te Vuçiqi. Sepse, ky dialog i nevojitet Serbisë për ta përshpejtuar anëtarësimin e saj në BE, kurse Thaçit i nevojitet për ta ngadalësuar përndjekjen nga Gjykata Speciale”, ka thënë ai.
Ai e ka quajtur të domosdoshëm vlerësimin zyrtar të dialogut me një raport qeveritar për vitet 2011-2017.
“Besoj që Presidenti aktual nuk është më njeri që bën gabime të paqëllimshme, por është një njeri që ka qëllime të gabuara. Thaçi nuk është as kredibil e as kompetent. Ai është edhe gënjeshtar, edhe i paditur. Thaçi është President për vete, jo për Kosovën. Marrëveshjet e Presidentit apo ujditë e fshehta të tij nuk do të vlejnë në Kosovë. Kot e ka”, u shpreh ai. /KosovaPress/