Kthimi i Conor McGregorit në UFC pritet të zhvillohet më 6 korrik të këtij viti, në UFC 239, në Las Vegas. Këtë e ka bërë të ditur kundërshtari i radhës i irlandezit, Donald Cerrone, përmes llogarisë së tij në Instagram.
Hera e fundit që McGregor e ka zhvilluar një meç në UFC ishte në tetor, UFC 229, kur u përball me Khabib Nurmagomedovi. McGregor e humbi këtë meç, të vlefshëm për titullin e kampionit të peshave të lehta, transmeton Gazeta Express, përcjell gazeta KOHA
Atë natë, rusi kishte qenë më i mirë dhe e kishte detyruar McGregorin të dorëzohet në rundin e katërt. Pas meçit, Nurmagomedovi doli nga kafazi tetëkëndësh dhe e sulmoi një anëtar të ekipit të McGregorit.
Që nga atëherë, që të dy këta luftëtarë kanë qenë të dënuar për gjashtë muaj pezullim, si dhe me gjoba. Pezullimi filloi në tetor, për këtë arsye që të dy do të kenë mundësi të zhvillojnë meçe që nga prilli.
Tani, kundërshtari i radhës së McGregorit, Cerrone, ka lënë të kuptohet, përmes postimit të tij në Instagram, se meçi do të zhvillohet më 6 korrik. Cerrone e postoi një pije tradicionale amerikane, Budweiser, afër një pije irlandeze, Proper Twelve, të cilat i përfaqësojnë kombësitë e dy luftëtarëve.
“@budweiser vs @properwhiskey SHBA Irlandë 6 korrik”, shkruan Cerrone.