Andres Iniesta ka kritikuar qëndrimin e Barcelonës ndaj trajnerit aktual Ernest Valverde, i cili duket se do të largohet nga stoli ‘blaugranas’.
Iniesta beson se drejtuesit e kampionit spanjoll po sillen keq ndaj një njeriu që është akoma i tyre, kryesisht për shkak se ata nuk qëndruan pas tij dhe negociuan me Xavi Hernandez. Megjithatë Xavi nuk është kandidati i vetëm, pasi në lojë janë edhe gjithashtu Mauricio Pochettino dhe Max Allegri.
Pas deklaratave të Iniesta, ka folur edhe trajneri i City Pep Guardiola, transmeton KosovaPress, përcjellë gazeta Koha.
“Barcelona është një vend i veçantë ku fitimi i një kampionati nuk është i mjaftueshëm. Më vjen keq për Ernest Valverde, ai nuk e meriton këtë. Shpresoj që situata të zgjidhet së shpejti. Unë dua që si anëtar i klubit të ndodhë. Kjo është gjithçka që duhet të them”, tha ish-trajneri i ‘blaugranasve’.
Pakënaqësia ndaj punës së Valverde po vazhdon për një kohë të gjatë, sidomos pas eliminimit tronditës të kampionëve spanjollë nga Roma dhe Liverpooli në Ligën e Kampionëve në dy sezonet e kaluara.
Pas eliminimit në gjysmëfinale të Superkupës spanjolle në Arabinë Saudite, Barcelona e Valverdes nuk mund të krenohet aspak për lojën e saj të shkëlqyeshme.