Familja e Cristiano Ronaldos i ka shfrytëzuar rrjetet sociale për ta mbrojtur portugezin nga akuzat për përdhunim. Ata kanë filluar një kampanjë për t’i inkurajuar njerëzit ta shfaqin mbështetjen e tyre. Nëna e sulmuesit të Juventusit, Dolores, dhe motra e tij, Katia, postuan fotografi të Ronaldos në rroba të superheroit Superman, dhe i nxitën tifozët e portugezit ta postojnë këtë fotografi edhe në rrjetet e tyre sociale për t’u solidarizuar me Ronaldon, transmeton Gazeta Express.
“Dua ta shoh se kush ka kurajë që ta postojë këtë fotografi në profilet e tyre dhe ta mbajë aty për një javë, në mbështetje të tij, Portugalisë, për ne, për njerëzit, për drejtësinë. Ai e meriton këtë”, shkruhej në përshkrimin e fotografisë. Në këtë postim, familja e Ronaldos kishte përdorur edhe dy ‘hashtags’ në gjuhën portugeze, “Ronaldo, jemi me ty deri në fund” dhe “Drejtësi për CR7”. Ky mesazh mori 15 mijë pëlqime brenda një ore.
Ronaldo është akuzuar nga Kathryn Mayoga, e cila pretendon se portugezi e kishte përdhunuar atë në tualetin e një hoteli të Las Vegasit në vitin 2009. Për më tepër, gazeta gjermane Der Spiegel, e cila e ka publikuar këtë akuzë, ka publikuar edhe disa dokumentet të cila duket se e dëshmojnë padinë e Mayorgas. Megjithatë, Ronaldo dhe avokatët e tij e kanë mohuar të ketë ndodhur diçka e tillë, dhe portguezi i kishte quajtur këto lajmë të rreme, duke thënë se Mayorga po tentonte të bëhej e famshme duke përdorur emrin e tij. Që nga atëherë, edhe tri gra të tjera kanë dalë me akuzat e tyre ndaj Ronaldos dhe policia e Las Vegasit ka bërë të ditur se e ka rihapur hetimin për këtë ngjarje.