Familja e pilotit të zhdukur të aeroplanit me të cilin po udhëtonte futbollisti Emiliano Sala e ka filluar një faqe për dhurimin e donacioneve në mënyrë që të rifillojë kërkimi për ta gjetur David Ibbotsonin, pilotin.
Trupi i Salas u gjet në rrënojat e aeroplanit të fundosur afër ishullit Guernsey. Trupi i tij u identifikua këtë javë, mirëpo David Ibboston nuk është gjetur ende, transmeton Gazeta Express, përcjell gazeta KOHA.
Deri më tani janë grumbulluar më shumë se 23 mijë euro për ta gjetur edhe pilotin, pasi që kërkimet private të financuara për gjetjen e Salas tani kanë ndaluar.
Piper Malibu, lloji i aeroplanit të fundosur në det, u zhduk mbrëmjen e 21 janarit, përderisa me të po udhëtonte Sala dhe piloti David Ibbotson. Policia Guernsey i kishte ndalur kërkimet tri ditë më vonë, më 24 janar, pasi që nuk kishin gjetur asgjë gjatë kërkimeve.
Më vonë kishte filluar një kërkim privat, i cili u mbështet nga donacionet private. Departamenti për Hetimet e Aksidenteve Ajrore kishte thënë se një trup kishte qenë i dukshëm në rrënojat e aeroplanit, i cili ishte në fund të detit afër ishullit Guernsey.
Pas disa përpjekjeve, trupi u nxjerr me sukses nga ato rrënoja dhe dje u konfirmua se është i lojtarit që sapo ishte transferuar në Premierligë te Cardiff City, Emiliano Sala. Pas këtij lajmi, rrjetet sociale janë vërshuar nga mesazhe pikëllimi dhe ngushëllimi.