Pasi u konfirmua vdekja e Emiliano Salas, Cardiff City e ka publikuar një deklaratë zyrtare për ish-futbollistin e tyre, i cili nuk arriti ta zhvillonte asnjë ndeshje me fanellën e klubit të Premierligës.
Emiliano Sala u transferua në klubin e Premierligës, Cardiff City, më 19 janar, vetëm dy ditë para se të zhdukej me aeroplanin që po udhëtonte drejt shtëpisë së tij të re, në Cardiff të Uellsit, transmeton Gazeta Express, përcjell gazeta KOHA.
“Me pikëllim të thellë e raportojmë deklaratën në vazhdim, të lëshuar më 7 shkurt 2019 nga Policia e Dorsetit: ‘Trupi që u sjellë në Portin e Portlandit sot është identifikuar zyrtarisht si i futbollistit profesionist, Emiliano Sala’”, shkruan faqja zyrtare e Cardiffit.
“Ne ua ofrojmë ngushëllimet tona të përzemërta familjes së Emilianos. Ai dhe David [piloti i aeroplanit, David Ibbotson] do të mbesin gjithmonë në mendjen tonë”.
Piper Malibu, lloji i aeroplanit të fundosur në det, u zhduk mbrëmjen e 21 janarit, përderisa me të po udhëtonte Sala dhe piloti David Ibbotson. Policia Guernsey i kishte ndalur kërkimet tri ditë më vonë, më 24 janar, pasi që nuk kishin gjetur asgjë gjatë kërkimeve.
Më vonë kishte filluar një kërkim privat, i cili u mbështet nga donacionet private. Departamenti për Hetimet e Aksidenteve Ajrore kishte thënë se një trup kishte qenë i dukshëm në rrënojat e aeroplanit, i cili ishte në fund të detit afër ishullit Guernsey.
Pas disa përpjekjeve, trupi u nxjerr me sukses nga ato rrënoja dhe dje u konfirmua se është i lojtarit që sapo ishte transferuar në Premierligë te Cardiff City, Emiliano Sala. Pas këtij lajmi, rrjetet sociale janë vërshuar nga mesazhe pikëllimi dhe ngushëllimi.