Fillimi i vitit të ri e sinjalizon edhe fillimin e shumë negociatave të mundshme për transferimin e futbollistëve, kontratat e të cilëve përfundojnë në qershor. Njëra ndër klubet që pritet ta bëjë pikërisht këtë gjë është Barcelona, e cila do të tentojë ta transferojë mesfushorin e Paris Saint-Germainit, Adrien Rabiotin.
Largimi i 23-vjeçarit nga PSG-ja është spekuluar tash e një kohë të gjatë. Mesfushori është larguar nga projekti i trajnerit Thomas Tuchel, pasi që nuk pranoi të nënshkruante kontratë të re me klubin, transmeton Gazeta Express.
Kontrata e tij përfundon në qershor, mirëpo ai mund t’i fillojë negociatat me cilindo klub qysh tani, pasi që kjo gjë u lejohet ligjërisht lojtarëve të cilëve u përfundon kontratën në qershor. Klubi favorit për ta marrë Rabiotin si transferim të lirë gjatë verës është Barcelona.
Drejtori sportiv i PSG-së, Antero Henrique, e ka akuzuar Barcelonën se nuk i ka respektuar rregullat e transferimit dhe i ka ofruar francezit kontratë pa e kontaktuar fillimisht klubin. Klubi katalonas e ka mohuar këtë akuzë përmes një deklarate, ku thuhet se klubi nuk ka asnjë marrëveshje me Rabiotin.
“Barcelona dëshiron t’i adresojë lajmet e publikuara në Francë sa i përket transferimit të lojtarëve të Paris Saint-Germainit dhe ta bëjë të qartë se nuk ka shkelur asnjë rregull sa i përket kësaj”, shkruhet në deklaratën e publikuar në faqen zyrtare të Barcelonës.
“Kontakti i vetëm u bë gjatë muajit gusht dhe para një javë. Në të dyja rastet, kontakti u bë me menaxherët sportiv të PSG-së për ta shfaqur interesimin e Barcelonës për futbollistin Adrien Rabiot”.
“Barcelona gjithmonë ka dashur të punojë me transparencën më të madhe në marrëveshjet me PSG-në dhe çfarëdo klubi tjetër. Barcelona e mohon ekzistencën e ndonjë marrëveshje me lojtarin e PSG-së, Adrien Rabiot”.