Atalanta ka arritur ta mposhtë Interin me rezultat 4-1 në shtëpi, duke ia ndalur kështu zikaltërve ecurinë prej 7 fitore radhazi në Serie A. Kjo fitore ka bërë që Atalanta tani t’i ketë fituar katër ndeshjet e fundit në ligën italiane. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin Atleti Azzuri d’Italia nuk rezultoi të jetë e mirë për skuadrën e Luciano Spallettit, të cilët nuk arritën ta vazhdojnë ecurinë e fitoreve kundër skuadrës së Gian Piero Gasperinit, raporton Gazeta Express.
Vetëm tetë minuta i ishin nevojitur skuadrës së Atalantas për të kaluar në epërsi, pasi që menjëherë Hans Hateboer arriti të shënojë nga afër portës së zbrazur, pas një harkimi të Robin Gosensit, të cilin nuk arriti ta ndalë Samir Handanovic.
Gjatë pjesës së parë, asnjëra nga dy skuadrat nuk arriti të shënojë ndonjë gol tjetër, megjithatë Atalanta kishte shumë raste të mira, të cilët nuk arriti t’i konkretizojë. Interi, që nuk arriti ta shënojë asnjë gol në këtë pjesë, mirëpo lojtarët e tij u ndëshkuan me tre kartonë të verdhë.
Pjesa e dytë filloi në mënyrë të mrekullueshme për skaudrën e Luciano Spallettit, pasi që sulmuesi dhe kapiteni i skuadrës, Mauro Icardi, arriti ta barazojë rezultatin në minutën e 47-të, duke shënuar nga pika e penalltisë.
Ky gol nuk mjaftoi që Zikaltrit të marrin ndonjë pikë nga kjo ndeshje, pasi që në minutën e 62-të, Atalanta kaloi përsëri në epërsi, përmes golit të shënuar nga Gianluca Manicni, gol ky i asistuar nga Josip Jilic.
Afër përfundimit të ndeshjes, Atalanta arriti ta shënojë edhe një gol tjetër, duke e thelluar rezultatin në 3-1. Berat Gjimshiti arriti ta shënojë këtë gol, të cilin e asistoi përsëri Jilic.
Në minutat shtesë të ndeshjes, pasi Marcelo Brozovic u ndëshkua me karton të kuq, Papu Gomes arriti ta thellojë edhe më tej rezultatin e ndeshjes, duke e dërguar kështu epërsinë në 4-1.
Ky rezultat bën që Interi të humbasë pikë të rëndësishme në garën për titull dhe tani mbetet në pozitën e tretë, me gjashtë pikë me pak se Juventusi, që do të luajë sonte kundër Milanit. Në anën tjetër, Atalanta vazhdon formën e mirë dhe tani pozicionohet në vendin e gjashtë në tabelën e Serisë A.
Goli i Berat Gjimshitit
https://www.youtube.com/watch?v=zADpTZ_o1Wc