​Vuçiq: Haradinaj njeri i rrezikshëm, “Shqipëria e Madhe” kërcënim për të gjithë

102

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar ndaj deklaratave të liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili dje gjatë prezantimit të programit në parafushatë, tha se nëse Bashkimi Evropian vazhdon ta mbajë të varur Kosovën, atëherë ai do ta hapte rrugën për referendum për bashkimin me Shqipërinë.

Në pyetjen e gazetarëve se si do ta komentonte deklaratën e Haradinajt, Vuçiq, ka thënë se Serbia do ta ketë një përgjigje adekuate nëse ndodh kjo.

“Përgjigja ime është – ju bëni punën e jua, çfarë të doni, a ne do të kemi përgjigje të mirë dhe adekuate, e qytetarët nuk kanë se pse të shqetësohen”, ka deklaruar Vuçiq, raporton B92.
Ai ka shtuar se do të dëshironte të dëgjonte më tepër reagime nga Washingtoni e Brukseli. Ai ka shtuar se në rast se Serbia do të fliste me bashkimin me dikë tjetër në Ballkan, do të sanskionin atë.
Presidenti i Serbisë ka shtuar se Haradinaj është njeri i rrezikshëm dhe politikan serioz që po synon të bëhet president dhe në rast se zgjidhet me mbështetjen e Albin Kurtit, atëherë do të kishin edhe Qeverinë e Kosovës e edhe presidentin që do të pajtoheshin me bashkimin me Shqipërinë.

Ai ka shtuar se “Shqipëria e Madhe” do të ishte kërcënim për të gjithë.

Vuçiq ka thënë se ky është një fakt politik dhe kjo është arsyeja pse ai nuk e kuptoi entuziazmin e disa njerëzve në Beograd me një përbërje të tillë të forcave në Prishtinë.

“Ne e pranojmë atë si një fakt politik dhe gjithmonë do të reagojmë ndaj kësaj”, ka shtuar Vuçiq.

Ai thotë se përkundër gjithë kësaj, e kanë akuzuar në Kosovë për kërcënim kur ai tha se do të befasohen mne reagim të Serbisë nëse shkelin marrëveshjen e Washingtonit dhe të krëkonin pranimin në organizata ndërkombëtare.

Vuçiq ka folur edhe për planin e vaksinimit të serbëve në Kosovë me vaksinën anti-COVID. Ai ka thënë se po shikohet një mënyrë hibride për të bërë këtë, në mënyrë që një pjesë të vaksinohen në veri të Kosovës, një pjesë në Rashkë, një pjesë në Vranjë e Bujanoc, e po shikohet edhe mundësia për të vaksinuar ata qytetarë që gjenden në pjesën qendrore të Kosovës.

“Në çdo rast, një pjesë e veçantë e ekipit operacional së bashku me Zyrën për Kosovë e Metohi, do të kujdeset për njerëzit tanë”, ka shtuar Vuçiq.

Ai ka thënë se Serbia gjithmonë do të gjejë mënyrë për të ndihmuar qytetarët e saj në Kosovë, siç ka bërë deri më tash, por thotë se nuk është e lehtë për shkak të politikës që po e ndjek Prishtina.

“Siç është për ta Kosova një shtet i pavarur, edhe për ne është ajo një pjesë e Serbisë, veçanërisht për shkak të kujdesit për popullin serb që jeton atje dhe që e perceptojnë Kosovën si territorin e tyre”, ka shtuar Vuçiq.

Në pyetjen nëse pret që të ketë probleme me shpërndarjen e vaksinës, ai ka thënë se Serbia do të gjejë mënyrë. Ai tregoi se si Prishtina lëshoi një urdhër për arrestimin e njerëzve që shpërndajnë vaksinën, kështu që Serbia duhej t’i fshihte ato.

“I larguam ato për të mos i shkatërruar. Po të na thonin se i duan vaksinat për shqiptarët, do t’u thoshim në rregull. Por donin t’i shkatërronin ato”, tha Vuçiq, i cili ka shtuar se nuk do ta kishte problem të ndihmonte edhe Shqipërinë me vaksina anti-Covid, nëse është e nevojshme.