​Shënohet 330 vjetori i vdekjes së Pjetër Bogdanit

Në 330 vjetorin e vdekjes së Pjetër Bogdanit, në Kishën Katolike në Kosovë, Dioqeza Prizren-Prishtinë, sonte është mbajtur një konferencë shkencore. Veprat e Pjetër Bogdanit janë vlerësuar lartë për fenë krishtere, e për popullin shqiptar në përgjithësi. Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji tha se kjo pasdite do të ‘shkund’ të menduarit për të kujtuar ato që sipas tij janë lënë pas dore.

“Uroj që kjo ditë ose kjo pasdite të jetë vërtetë diçka që do të shkund të menduarit tonë, por do të ndihmojë edhe në memorien për të kujtuar shumë gjëra, të cilat i kemi lënë pas dore”, tha ai.

Ndërsa Ipeshkvi nga Tivari, Rrok Gjonlleshaj konsideroi se kjo është një ngjarje historike, marrë parasysh se deri vonë nuk është diskutuar shumë për Pjetër Bogdanin.

“Vërtetë është një ngjarje historike, për arsye se deri më tani, ose deri më 1989 shumë pak kemi folur për Bogdanin, jo që nuk kemi dashur, por shumë pak jemi marrë me Bogdanin. E falë angazhimit të famulltarit të atëhershëm, me ngritjen e bustit këtu pikërisht në Prishtinë. Edhe ka filluar angazhimi ynë më i madh në lidhje me Imzot Pjetër Bogdanin. Për mua personalisht ka qenë nder i madh që të jem famulltar këtë në Prishtinë, mu aty ku Imzot Pjetër Bogdani ka vepruar, por edhe ka ndërruar jetë. Për mua ka qenë dhe është privilegj që pikërisht të jem në atë seli, të cilën 10 vite e ka administruar Imzot Pjetër Bogdani. Dhe kjo më detyron shumë më tepër për një obligim më të madh, sepse të jesh në të njëjtën seli në të cilën ka qëndruar për 10 vite Imzot Bogdani është përgjegjësi e madhe edhe detyrë e cila më obligon për angazhim më të madh”, u shpreh ai.

Në këtë konferencë shkencore, studiuesit kanë diskutuar edhe për veprat e Bogdanit. Profesori i Letërsisë, Kujtim Shala tha se veprat e këtij të fundit, shkruheshin e botoheshin për t’u dhënë besimtarëve në vendet e pushtuara e të rrezikuara nga islamizimi.

“Duket se lexuesi elementar i tij ta jetë edhe më i sakti. Bogdani shkroi një libër religjioz, njëherë në arbërisht e më pas në italisht, në pjesë të caktuara edhe në disa gjuhë të tjera. Vepra si kjo e Bogdanit shkruheshin dhe botoheshin për t’ua dhënë besimtarëve në vendet e pushtuara e të rrezikuara nga islamizimi dhe religjionet e tjera”, tha Shala. Imzot Pjetër Bogdann, vdiq më 6 dhjetor të vitit 1689 në Prishtinë, nga epidemia e murtajës.

Manifestimi përkujtimor vazhdoi me kremtimin e Meshës solemne dhe me një Akademi solemne të Rivarrimit simbolik të Imzot Bogdanit në Kriptën e Katedrales “Shën Nënë Tereza”