​Muriqi mund të kishte zgjedhur Turqinë, Kosova është me fat që e ka

Sot luan për një nga skuadrat më të mëdha të Turqisë dhe mban peshën e sulmit te përfaqësuesja e Kosovës.
Dardanët janë vërtetë me fat që kanë në skuadër një lojtar si Vedat Muriqi klasin e të cilit tashmë do ta shijojnë javë pas jave tifozët e Fenerbahces. Ata janë gjithashtu me fat sepse sot Muriqi mund të ishte duke mbajtur veshur fanellën e Turqisë, lajmi i bujshëm është zbuluar nga njeriu që besoi fillimisht tek ai kur ishte thjeshtë një i panjohur, ish-presidenti i skuadrës së ligës së dytë Giresunspor Mustafa Temel Bozbag i cili e mori nga Teuta për të luajtur në Turqi para 5 vitesh, kur Muriqi ishte vetëm 20 vjeç.

“I jam lutur që të luajë për kombëtaren tonë. Kam folur me të gjithë, por nuk më kanë kthyer përgjigje. Muriqi e kishte pasaportën turke. Unë nuk i njoh shumë detajet sesi punohet te kombëtarja. Unë jam mahnitur me të. E ka ndjekur edhe trajneri i Turqisë U-21 asokohe, Abdullah Ercan, për ta parë në një ndeshje dhe i pëlqeu. Por sulmuesi tha se procedurat po hasnin shumë probleme dhe nuk po zgjidheshin, kështu që pranoi ftesën e Kosovës”, ka thënë Mustafa Temel Bozbag.