Vedat MEMEDALIU
Edhe në Likovë të hapet një Zonë e lirë ekonomike. Kjo ka qenë kërkesa e deputetit shqiptarë, kërkesë kjo që ka marrë mbështetjen edhe të anëtarëve tjerë të Komisionit parlamentar për buxhet dhe financa, ndërsa ishte kushtëzuar me një amendament që parashihte hapjen e një Zone ekonomike në qytetin e Kumanovës. Dhe, deputeti i Likovës, duke dashur të tregojë se ja, edhe ne mund të përfitojmë një Zonë ekonomike për 13 fshatrat e Likovës, mbështetet nga kolegët tjerë, edhe pse të gjithë e dinë se kjo nuk do të ndodhë asnjëherë. Nuk do të ndodhë, jo! Sepse, si propozim përfundoi edhe xeherorja e Llojanit!
Kështu në letër prej katër vitesh përfundoi edhe projekti i famshëm “Penda e Sllupçanit”, ndërsa rreth gjysma e fshatit nuk kanë ujë të pijshëm, e gjysma tjetër pinë uji nga puset private! Sa për përkujtim, projekti i pamenduar mirë për “Pendën e Sllupçanit”, ka katër vite që futet në Buxhetin vjetor të shtetëror, por që pas tre muajsh, tërhiqen mjetet! Tërhiqen sepse deri sot, as nuk është shpallë tender për fizibiliti studim, as nuk është hetuar terreni dhe as që ka ujë për pendë! Propozim sa për të thënë!
Kështu përfundoi edhe fabrika për përpunimin e qumështit, hapja e dy kufijve – njëri me Miratocën e Preshevës dhe tjetri me Stançiçin e Gjilanit. Veç kësaj, në fshatrat e Likovës nuk mund të gjendet një kompani apo ndërmarrje me më shumë se 10 punëtorë (hiq firmat ndërtimore). Në Likovë, përveç dyqaneve të vogla dhe ndonjë marketi tek-tek, asgjë tjetër nuk funksionon. Në Likovën me dy penda, akoma ujësjellës nuk ka, ndërsa po këtë ujë e pinë e gjithë Kumanova me fshatrat e saj për rreth.
Në Likovë, punëdhënësi më i madh është vet Komuna dhe askush tjetër. Komunë kjo që nga viti 2001, gjendet në “listën e zezë” të shtetit dhe ndërmarrjeve financiare siç janë bankat! Nuk gjendet një banor i Likovës të ketë marrë kredi për shtëpi dhe të njëjtën ta ketë nën hipotekë bankare. Edhe çerdhja dhe Shtëpia për përkujdesin e personave me nevoja të veçanta në Orizare nuk funksionon e plotë. Ani se për ndërtimin e saj u deshën rreth katër vite dhe tri faza. Gypat e ujësjellësit nga azbesti të vëna që në 2004 në fshatrat e Likovës tashmë janë mykur dhe kalbur nën tokë. Në Likovë, i vetmi investim kapital – “Shtëpia e Kulturës” në Mateç ka përfunduar në një mini-objekt me gjashtë dyqane! Në Opaj, kushte më të tmerrshme në shkollën fillore nuk gjeni askund. Edukata fizike mbahet në oborrin prej 100 m2. Kuptohet, në pranverë dhe verë!
Në Likovë, invalidët e luftës së 2001-it gjenden si munden vet. Në tri lokacionet ku pushojnë dëshmorët e UÇK-së, asnjë investim nga shteti nuk është bërë. Likovës nuk i duhet Zonë ekonomike. Likovës i duhet vetëm zë serioz në Parlament me listë prioritetesh. Këtë, jo vetëm deputeti i Likovës, por edhe 119 të tjerët e dinë. (koha.mk)