ZEKOLLI: Në universitetet tona ligjërojnë aktivistë partiak

Nuk mund të kërkohet shumë prej arsimtarëve të cilët vite të tëra me radhë nuk njohin një ngritje të pagës. Me pagë mujore prej vetëm 23.000 denarë, vështirë se mund të motivohet për punë cilësore dhe më të përkushtuar askush, në ndërkohë që këto mjete financiare nuk mundësojnë as një minimum të jetës dinjitoze këtu tek ne

458

Delvina KËRLUKU

Shefqet Zekolli u lind në vitin 1955 në Prizren. Shkollën fillore e kreu në fshatin Bllacë. Gjimnazin “Zef Lush Marku” dhe studimet në Fakultetin Filologjik në Shkup. Për arsye të rrethanave të krijuara në vitet tetëdhjeta, deri në vitin 1989 punon arsimtar në fshatin Javor të Drenicës. Studimet postdiplomike i kreu në Zagreb, ndërsa disertacionin e doktoraturës e mbrojti në Shkup. Ka punuar profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Gjimnazin “Zef Lush Marku”, pastaj udhëheqës i Sektorit për arsim dhe kulturë në Komunën e Çairit, Drejtor në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve. Aktualisht është i punësuar në Universitetin e Tetovës, ku ka qenë i angazhuar prej vetë themelimit të tij si dhe ligjërues në Prishtinë dhe Prizren. Deri tani ka botuar shumë libra nga fusha e trashëgimisë kulturore, folklorit dhe letërsisë për fëmijë.

 

KOHA: Zoti Zekolli, shumë vite më parë, familja Juaj nga Bllaca e Suha Rekës u vendos në Shkup. Pse ndodhi kjo lëvizje?

ZEKOLLI: Për shkak të aktiviteteve intensive të gjyshit tim, Jupë Demiri, gjatë viteve tridhjeta, fillimisht për pengimin e shpërnguljes së shqiptarëve nga Kosova për në Turqi, posaçërisht pas vrasjes së Ramë Bllacës dhe pasi refuzoi të nënshkruaj në Beograd pëlqimin për shpërngulje dhe për shkak të aktiviteteve të mëvonshme në Lëvizjen Balli Kombëtar, ra në burg nën akuzën “Për shkak të veprimtarisë armiqësore kundër popullit dhe shtetit dhe me qëllim të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë”. Pas amnistisë së shpallur në vitin 1947 dhe mbajtjes së Burgut në Prizren, deri në vitin 1966 gjyshi ishte i burgosur politik ose siç i quanin atëherë “i përjashtuem”. Kjo do të thotë se ai e kishte të ndaluar të dalë nga shtëpia për të vizituar familjarët e miqtë, ndërsa në shtëpinë tonë në Bllacë, përveç familjes së ngushtë, nuk guxonin të vinin njerëz të tjerë. Për këtë, kush hynte dhe kush dilte në shtëpinë tonë, kujdeseshin “shqiptarët e ndershëm”, të cilët natën bënin roje nën arrën e madhe, në fund të oborrit tonë, për të dërguar informacionet e duhura të nesërmen në vendin e duhur, te Milan Gjuriqi, në Suharekë. Sa për ilustrim të atmosferës së krijuar dhe për të sjellë në kujtesë, siç tregonin gjyshërit dhe prindërit e mi, përmendim rastin e lindjes sime, në dhjetor të vitit 1955 në Prizren. Gjyshit i kishin konfiskuar gjithë pasurinë, përfshirë këtu edhe bagëtinë që kishte pasur. Meqenëse nëna ime ishte e shtrirë në spitalin e Prizrenit, ndërsa mua më kishte marrë gjyshja në shtëpi, ku nuk kisha më shumë se dy deri tri ditë i lindur, rrezikohesha jashtë mase nga mungesa e ushqimit. Për të shpëtuar jetën e foshnjës, pa lejen e organeve të partisë së atëhershme, gjyshes sime nuk i ishte lejuar që edhe te një grua e kushëririt, e cila kishte një fëmijë të vogël, të më dërgonin për të më dhënë gji. Çdo vit, më 28 nëntor, një patrullë policore kalonte në shtëpinë tonë për të verifikuar se të gjithë burrat ishin aty ndërsa sa herë Tito vinte në Kosovë, tri deri katër ditë më parë gjyshin e mbanin ngujuar në stacionin e policisë në Duhël, aty ku me vite të tëra me radhë komandant i policisë kishte qenë M.M. ose siç mbahet mend në popull M. Dajaku, një ofiq, të cilin ia kishin dhuruar për shkak të maltretimeve shtazarake që ua kishte bërë shqiptarëve të padëgjueshëm. Ky Komandant i policisë, sa për dijeni, ka qenë babai i një opinionisti dhe publicist shumë të njohur kosovar, i cili aktualisht vjel fonde shumë të majme për të shitur patriotizëm. Situata të këtilla, jo vetëm në familjen time, por në mbarë Kosovën ka pas shumë. Të gjendur në një situatë të këtillë, babai im detyrohet të dalë në kurbet si punëtorë krahu, në Beograd. Pas vetëm katër – pesë vjet, me qëllim të shpëtimit të kokës, me ndërmjetësimin e një miku Pejan në Shkup, ai transferohet këtu dhe puna e parë që bënë regjistrohet në Qendrën Shkollore të Ndërtimtarisë, një shkollë të cilën e mbaron me korrespondencë. Kësisoj, për shkak të rrethanave të krijuara në Bllacë dhe në Kosovë në përgjithësi, gradualisht, pas mbarimit të shkollës fillore ne kaluam në Shkup, të gjithë gjashtë fëmijët, ku vazhduam shkollimin e mëtutjeshëm. Në të vërtetë Shkupi asokohe nuk ishte vetëm një qytet transitor për në Turqi, siç pretendohet gabimisht. Shkupi, pas aksionit famëkeq të grumbullimit të armëve dhe në vazhdim, për kosovarët ishte shndërruar në një vend shpëtimi, në një lloj vend azili ku më lehtë mund të gjeje punësim, kryesisht në ndërtimtari dhe prej ku, për shkak të afërsisë, gjatë fundjavave shqiptarët mund të ktheheshin nëpër vendlindjet e tyre në Kosovë. Kësisoj, ashtu siç është edhe sot, ashtu si ka qenë ndër shekuj, Shkupi mbeti një ndër qendrat shumë të rëndësishme, fillimisht politike e administrative, ndërsa pastaj edhe kulturore, arsimore e ekonomike por gjithmonë me një peshë të padiskutueshme edhe kombëtare. Këtu mbetëm të gjithë deri kah fundi i viteve tetëdhjeta kur, pas mbarimit të studimeve, një pjesë e familjes u kthye në Kosovë, ku u punësuan dhe krijuan familjet e tyre atje, ndërsa një pjesë mbetëm në Shkup.

KOHA: Si ishin ditët e para pas vendosjes në Shkup?

ZEKOLLI: Për ne fëmijët, gjithsej gjashtë në numër, të gjithë nxënës e më vonë studentë, sigurisht që kanë qenë vite shumë të mira dhe plot gëzim. Të ardhur prej fshatit në kryeqytet, ishte një mrekulli e cila na ndodhi, falë sakrificës shumë të madhe të prindërve tanë. Vetë vendi ku e kishim shtëpinë, na ofronte ambiente jashtëzakonisht të përshtatshme për të jetuar, por edhe për lojë e argëtim. E ndodhur mu në qendër të parkut të qytetit, në mes të gjelbërimit shumë të bujshëm, ne, pastaj edhe fëmijët tanë, kaluam një fëmijëri ngjashëm sikur të jetonim në mes të pyllit, ndërkohë që ishim në mes të kryeqytetit të vendit. Por, këto favore vështirë se i kanë shijuar në tërësinë e tyre prindërit tanë. Me një rrogë makinisti, me gjashtë nxënës e studentë dhe në një shtëpi të vjetër, unë e di se nuk e kanë pasur lehtë. Sidoqoftë, kujtimet janë shumë të mira dhe përplot me ngjarje të ndryshme, me përjetime djaloshare e me shqetësime të natyrshme për këtë moshë.

 

KOHA: Gjithsesi ditët e rinisë ngelën si momente të paharruara në kujtesë. Çfarë do të veçonit nga ato ditë?

ZEKOLLI: Ditët e rinisë në të vërtetë janë vite të tëra, andaj dhe janë të mbushura me ngjarje të cilat disa kanë mbetur në kujtesë, ndërsa të tjerat i ka mbuluar pluhuri i harresës. Sigurisht që vitet e studimit kanë qenë të mbushura me shumë ngjarje dhe me shumë aktivitete të natyrave të ndryshme. Ishin vitet e fundit të shtatëdhjetave, atëherë kur pas sjelljes së Kushtetutës së vitit 1974, shqiptarët filluan të zgjerojnë veprimtaritë e tyre në të gjitha fushat duke u forcuar kështu si në aspektin ekonomik, social, arsimor e shkencor, këtu, në Kosovë dhe në të gjitha viset tjera të banuara me shqiptarë në ish Jugosllavi. Ky zhvillim i hovshëm solli deri te hapja e institucioneve të reja, posaçërisht në Kosovë, ndërsa komunikimi me Prishtinën i dha frytet e veta, duke ndikuar kështu edhe në intensifikimin e debateve lidhur me të drejtat e shqiptarëve dhe mënyrat e realizimit të tyre. Këto nevoja dhe këto kërkesa të cilat, në shikim të parë ishin thjeshtë si reaksion ndaj mohimit të këtyre të drejtave në fushën e arsimit e kulturës, në vetë thelbin e tyre ishin kërkesa politike, të cilat pastaj sollën deri te shpërthimi i demonstratave e pakënaqësive tjera të cilat rezultuan me ndryshimet, të cilat ju i dini. Por në kontekst të këtyre zhvillimeve janë edhe reflektimi i tyre në punën tonë në Fakultetin Filologjik këtu në Shkup, më konkretisht në Katedrën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe. Prandaj, si përshtypje të cilat kanë mbetur të pashlyera në kujtesën time janë disa ngjarje të organizuara gjatë këtyre viteve. Në bazë të një liberalizimi të ndjeshëm të marrëdhënieve në mes të Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë, në vitin 1980 në Katedrën tonë u organizuan disa ligjërata, në të cilat ligjëruan profesorët e nderuar nga Shqipëria: Shaban Demiraj, Vehbi Balaj, Mahir Domi… Kjo ngjarje ishte shumë e rëndësishme për ne, shumë domethënëse dhe e dobishme. Por, në sfondin e kësaj vizite dhe këtyre leksioneve, si shije e hidhur dhe kujtim absurd më ka mbetur koha e kaluar jashtë orarit të ligjëratave, më konkretisht koha e kaluar në mbrëmje, gjatë shëtitjeve nëpër qytet. Në të vërtetë, gjatë shëtitjeve të profesorëve nëpër qendrën e qytetit, ata ecnin përpara ndërsa ne iu shkonim prapa, në një distancë të theksuar ngase as ne nuk guxonim t’iu afroheshim, por edhe ata ishin mjaft të kujdesshëm kë po kontaktonin. Një ndodhi sa anakronike po aq edhe e pajustifikueshme, pengimi i studentëve të bisedojnë lirshëm me profesorët, të cilët para dite iu kishin folur për letërsinë, ndërsa pas dite nuk guxonim t’i përshëndesnin. Megjithatë, ne atëherë u munduam që gjërat t’i lëvizim prej pikës zero nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme kulturore por që kishin karakter mobilizues e sensibilizues të rinisë studentore, në prag të ngjarjeve të mëdha që ndodhën gjatë vitit 1981 dhe në vazhdim. Në këtë drejtim është për t’u përmendur revista e parë letrare e studentëve të Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, “Rrezet e para”, një revistë e shaptilografuar ku punimet e tyre i prezantuan studentët e Katedrës. Gjithashtu, me rastin e 80 vjetorit të vdekjes së Naim Frashërit, në vitin 1980, në Teatrin Shqiptar në Shkup organizuam një recital skenik me vargjet e poetit tonë kombëtar, në regjinë e aktorit të njohur Selman Jusufi dhe skenografi të piktorit të njohur nga Shqipëria Ksenofon Dilo, i cili për fatin tonë, qëlloi në përgatitjen e dramës “Nita” të Josip Relës në këtë teatër. Më kujtohet mirë se vargjet e para të poemës “Bagëti e Bujqësi”, “O malet e Shqipërisë…”, u detyruam, me këshillën e profesorëve tanë të dashur, Petro Janura e Remzi Nesimi, t’i ndryshojmë duke i konvertuar dhe riformuluar në “O malet e Malësisë…” Të nesërmen, Adem Gajtani, poeti i njohur i cili atëbotë ishte gazetar te “Flaka”, në një artikull vlerësues për aktivitetin tonë të zhvilluar në teatër, shkruante se në të gjitha trojet shqiptare, vetëm në Shkup u shënua tetëdhjetë vjetori i vdekjes së Naim Frashërit. Unë, si organizator i manifestimit që isha, e bëra një fjalim rasti dhe një vlerësim kritik për veprimtarinë letrare e kombëtare të Naim Frashërit, të cilin duhej ta lexoja para publikut shkupjan, kryesisht studentëve, por edhe përfaqësuesve më të lartë të jetës publike këtu, të cilët i kishim ftuar me ftesa të shaptilografuara me dorë. Vetë fillimi i shfaqjes u vonua, derisa unë e gjeta vëllain e madh, t’ia huazojë këpucët e tij sa për të dalë në skenë.

 

KOHA: Siç na kanë treguar miqtë Tuaj, ju u vendosët në një shtëpi buzë lumit të Vardarit, disa dhjetëra metra larg hotelit Aleksandër Palas. Ç’kujtime keni nga ajo shtëpi, e cila akoma gjendet aty ku është ndërtuar?

ZEKOLLI: Në këtë shtëpi, ku kemi jetuar më shumë se pesëdhjetë vjet dhe ku edhe tani e banojmë gjatë muajve të verës, kemi përjetuar shumë momente të mira dhe ruajmë kujtime të këndshme. Ndër kujtimet më të mira janë organizimi i lojërave pas mësimit me shokët në parkun e qytetit. Në të vërtetë, kur ne u vendosëm në këtë shtëpi të vjetër, pas tërmetit të vitit 1963, parku i sotëm i qytetit ishte një mal i vërtetë, i cili më shumë i ngjante xhunglës, ndërsa plazhi i qytetit ishte menjëherë aty përballë, vetëm dyqind metra larg prej oborrit tonë. Më poshtë, ku edhe tani qëndron një shtëpi e vjetër, ishte Klubi për kanu, ato lundrat e gjata dhe elegante, ndërsa përgjegjës dhe rojtar ishte xha Jahushi, një njeri i mirë nga fshati Çajlane. Djali i tij, Ymeri, vite me radhë ishte kampion i Maqedonisë në kanu dhe ai na mësoi neve të lundrojmë në lumin Vardar. Meqenëse si nxënës e më vonë studentë, Xha Jahushi na jepte pa të holla kanutë, me këto ne lundronim deri te Ura e Gurit, ku atëherë bëhej korzo. Shtëpia jonë e vogël dhe e vjetër, gjatë viteve shtatëdhjeta, në një farë mënyre ishte shndërruar në një çerdhe studentësh kosovarë ku ata gjenin ngrohtësi dhe mirëkuptim, gjithmonë në mes debatesh shumë konstruktive për çështje të cilat i mundonin shqiptarët atëherë. Kjo ngase gjatë viteve shtatëdhjeta nga Kosova kishin ardhur një elitë studentësh të shkëlqyeshëm të cilët studionin kryesisht në fakultetin e mjekësisë, të ndërtimtarisë, të arkitekturës etj. Ishin këto vite të arta kur në Shkup ndikuan të ndjehen rezultatet e një zgjerimi dhe avancimi të kulturës e arsimit shqip, kryesisht edhe falë këtyre studentëve të cilët pastaj u kthyen në Kosovë si mjek, inxhinier, rëntgenolog etj. për t’u ngritur deri në pozicionet e ligjëruesve të njohur në Universitetin e Prishtinës. Sepse, atëherë ishte një frymë e shëndetshme dhe shumë pozitive e krijuar në bazë të lirive, të cilat megjithatë u arritën pas vitit 1974. Ishte koha kur babain tim asnjëherë nuk e kam parë të kthehet nga puna me biçikletën e vjetër dhe mos të ketë në xhepin e tij “Rilindjen” ose ndonjë libër të blerë në librarinë e vogël të kësaj shtëpie aq të dashur botuese, e cila ishte hapur në rrugën kryesore të Bit Pazarit.

KOHA: Jeni profesor universitar. Cilat, sipas jush, janë sfidat e arsimit shqip në Maqedoni?

ZEKOLLI: Problemet në fushën e arsimit me të cilat vite të tëra me radhë po ballafaqohen qytetarët e Republikës së Maqedonisë janë të shumta megjithëse duhet thënë drejt, viteve të fundi ato janë pakësuar në disa segmente të rëndësishme. Problemet më të theksuara, për të gjithë, konsideroj unë, janë programet mësimore, modelet e huaja të cilat pa kriter po synohet të implementohen në sistemin tonë arsimor dhe eksperimentimi i vazhdueshëm me to. Gjatë vitit 2005, atëherë kur unë isha drejtor i Gjimnazit “Zef Lush Marku”, ndërsa Ministër i Arsimit, z. Azizi Pollozhani, ky i fundit na mblodhi një numër ekspertësh të arsimit dhe pas një pune të gjatë arritëm të hartojmë dhe botojmë një “Strategji të Arsimit në R.M. 2005-2015”. Unë nuk këmbëngul se kjo “Strategji…” ishte e përsosur dhe se nuk ka mangësitë e saj. Por, vazhdoj edhe më tej të mbroj qëndrimin se eksperimentimet e mëvonshme, duke pretenduar se secili ministër duhet të lë vulën e vet, duke eksperimentuar me një fushë jashtëzakonisht të rëndësishme të zhvillimit të gjithmbarshëm shoqëror, nuk është në rregull. Sa i përket shkollimit në gjuhen shqipe, konsideroj se ato mund të numërohen në disa syresh: 1. Mbipopullimi i shkollave fillore dhe të mesme. Sot, në Shkup, nuk besoj se ka ndonjë shkollë fillore a të mesme me mësim në gjuhen maqedonase me mbi 500 deri 600 nxënës ndërsa në Gjimnazin “Zef Lush Marku” janë të regjistruar mbi 2400. 2. Rishikimi i plan programeve dhe shkarkimi i tyre nga njësi tërësisht të panevojshme. 3. Emërimi i kuadrove udhëheqëse nëpër institucione të larta të ekzekutivit dhe nëpër shkolla, kuadro të shkolluar drejt, me integritet intelektual e profesional. 4. Kontroll më rigoroz universiteteve çfarë kuadro po nxjerrin dhe kush ligjëron në këto institucione të larta. Nëpër universitetet tona ndodh që ligjërojnë aktivistë partiak, të cilët janë punësuar pa kurrfarë kriteresh, brenda natës, me diploma të fituara në bazë të meritave për partitë politike, e të cilët as dreqi nuk e din se në shërbim të kujt janë. 5. Krijimi i mekanizmave për vlerësimin dhe mbikëqyrjen permanente të punës së arsimtarëve me qëllim të ngritjes së disiplinës në punën e tyre. 6. Ngritja e standardit të arsimtarëve nëpërmjet ngritjes së rrogave të tyre. Nuk mund të kërkohet shumë prej arsimtarëve të cilët vite të tëra me radhë nuk njohin një ngritje të pagës. Me pagë mujore prej vetëm 23.000 denarë, vështirë se mund të motivohet për punë cilësore dhe më të përkushtuar askush, në ndërkohë që këto mjete financiare nuk mundësojnë as një minimum të jetës dinjitoze këtu tek ne. 7. Me urgjencë të hapen çerdhe e kopshte të reja, ku do të përfshihen të gjithë fëmijët shqiptarë, ashtu si janë të përfshirë fëmijët maqedonas. Këto janë vetëm disa prej problemeve të cilat arsimin dhe arsimtarët i mundojnë dhe të cilat presin një zgjidhje të qëndrueshme. Por jo prej atyre të cilët lidhjen me arsimin e kanë vetëm faktin se dikur edhe vetë kanë qenë nxënës. Nëse kanë qenë!

KOHA: Shoqëria shqiptare, fatkeqësisht, sot përballet me shumë probleme, për të cilat mendon se fajin ia kanë të tjerët. Cili është mendimi Juaj?

ZEKOLLI: Megjithëse unë shumë i besoj mençurisë popullore dhe i përdori shpesh urtit e shprehura prej popullit për të ilustruar ndonjë situatë, prapëseprapë nuk i besoj fjalës së urtë se “Faji (fajtori) gjithmonë është jetim”. Fajtorë për ndonjë gabim a dështim në ndonjë fushë të caktuar gjithmonë është dikush. Prandaj identifikimi i fajtorit gjithmonë jashtë nesh a kërkimi i fajit gjithmonë te të tjerët, është justifikim për dështimet tona dhe shenjë e mosgatishmërisë sonë për t’u ballafaquar me të vërtetën, ngase ajo na del e hidhur. Shikuar nga aspekti historik, po mundohem të bind veten se mbase kjo është një periudhë pak më e gjatë e tranzicionit, dhimbje të cilat popujt tjerë të Evropës i kanë përjetuar dhe kaluar shumë më herët. Në të vërtetë, është për të besuar se të gjithë popujt të cilët janë të ndarë në disa shtete, të cilët kanë kaluar periudha tepër të gjata okupimesh e mohimesh të njëpasnjëshme, janë ballafaquar me një krizë të këtillë, do kisha thënë organizative dhe të mungesës së disiplinës së përgjithshme.

 

KOHA: Absurdet e kësaj shoqërie (mendojmë për shoqërinë shqiptare) duket se nuk kanë fund. Nëse e shohim programin vjetor të Ministrisë së Kulturës, del se më shumë kemi shkrimtarë se sa lexues. Pse librit shqip i ndodh një trajtim i këtillë?

ZEKOLLI: Unë nuk mund të them se ka më shumë shkrimtarë se lexues, por mund të pajtohem me ju se lexues ka gjithnjë e më pak. Megjithatë, edhe konstatimi se ndër ne shkrimtarë ka shumë, qëndron. Çështja mund të shtrohet edhe ndryshe: sa shkrimtarë cilësor kemi dhe sa vetë shoqëria shqiptare dhe institucionet e shtetit po bëjnë për sensibilizimin e nevojës për të lexuar dhe sa po bëjmë ne që librin t’ua ofrojmë lexuesve, posaçërisht rinisë shkollore dhe studentore. Problemi i Programit vjetor për financimin e veprimtarisë botuese, i përfolur e kontestuar prej intelektualëve shqiptarë, është problem më vete. Është ky një program i cili nuk respekton kurrfarë kriteresh gjatë përzgjedhjes së autorëve dhe veprave letrare a shkencore, përveç kriterit të cilin e mbështesin aparatçikët, zyrtarë të ministrisë në fjalë që jorastësisht, vite të tëra me radhë përzgjidhen dhe emërohen sa për të plotësuar dëshirat e urdhërdhënësve të tyre. Këta janë njerëz pa potencë intelektuale dhe kombëtare, por gjithsesi të shkathtë për të tregtuar me atë pjesë simbolike të quajtur përqindje dedikuar kulturës shqiptare.

KOHA: Ju keni qenë edhe drejtues i ITSHKSH, një institucion i cili u krijua me shumë peripeci. Sa ky Institut arrin që ta arsyetojë qëllimin e funksionimit të saj?

ZEKOLLI: Në kushtet në të cilat ne veprojmë këtu në Republikën e Maqedonisë, me një buxhet shumë modest dhe duke pasur parasysh edhe përvojën e mangët prej kur është themeluar Instituti, them se ai kryesisht është duke i përmbushë nevojat dhe detyrat të cilat dalin prej Statutit dhe detyrave të punës konform rrethanave aktuale. Këtë e them duke e njohur mirë veprimtarinë botuese, aktivitetet rrjedhëse brenda dhe në teren sikur edhe organizimin e tubimeve të ndryshme shkencore, të cilat organizohen brenda Institutit ose konferencat e organizuara nga subjekte tjera jashtë vendit, në të cilat studiuesit e këtij institucioni të lartë marrin pjesë me punimet e tyre. Në Institutin e Trashëgimisë janë të angazhuar studiues me përvojë, por edhe kuadro të rinj, shumë të zellshëm dhe shumë premtues, të cilët me hulumtimet e tyre dhe aktivitetet tjera shkencore po arrijnë që trashëgiminë kulturore e shpirtërore të shqiptarëve këtu dhe më gjerë ta mbledhin, sistemojnë e studiojnë, ashtu siç veprojnë edhe institutet tjera me përvojë më shumë se gjashtëdhjetë vjeçare. Gjithsesi, sikur çdo institucion tjetër, edhe këtu mund të hasen lëshime të aty-këtushme, të cilat kurrsesi nuk mund ta zbehin veprimtarinë e gjithmbarshme shkencore e arsimore të tij. Neve na mbetet që Institutin ta mbështesim, në të gjitha mënyrat e mundshme, sepse ky është një institucion, ngjashëm sikur universitetet tona, me rëndësi të jashtëzakonshme shkencore, emancipuese e kombëtare. Gojë-ligët, të cilat gjithmonë shikojnë vetëm zi dhe të tjerë të cilët edhe fabrikojnë gjëra me të cilat synojnë të minojnë punën e këtyre çerdheve të shkollimit shqip, gjithmonë do të ketë. Sepse, fundi fundit “vetëm lisat e gjatë i tundë era”.

 

KOHA: Padyshim se familja është një nga shtyllat kryesore e jetës. A mendoni se e keni dhënë maksimumin që ajo, pra familja, të jetë e shëndoshë dhe në ç’masë familja ju ka ndihmuar për të arritur aty ku jeni sot?

ZEKOLLI: Ne i kemi dy fëmijë: Vetonin, i cili punon koordinator projektesh në një organizatë joqeveritare e themeluar dhe financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Norvegjisë dhe Kaltrinën, e cila është e angazhuar në Universitetin “Nëna Tereze” në Shkup. Që të dy kanë krijuar familjet e tyre dhe së bashku me nipin tonë Arin dhe mbesën Dora, janë kënaqësia dhe krenaria jonë. Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë të ngjitet një familje e shëndoshë, në rrethanat dhe në kushtet në të cilat ne jetojmë. Por, unë konsideroj se me një përkushtim maksimal dhe gjithsesi me shumë sakrifica, një gjë të këtillë mund të arrijë secili. Është shumë e rëndësishme që vetë prindërit të shërbejnë si model për fëmijët e tyre, që me veprimtarinë dhe shembullin konkret të ndikojnë në formimin e tyre njerëzor, intelektual e kombëtar. Unë dhe bashkëshortja ime, ndër vite kemi qenë të privuar nga mundësia për të realizuar shumë dëshira tona, bile edhe nevoja tjera, me qëllimin e vetëm që fëmijët tanë t’i rrisim, edukojmë e arsimojmë drejt dhe në këtë mënyrë t’i largojmë nga rruga dhe veset negative të cilat bota, në të cilën po jetojmë, i ka me bollëk. Por, këto sakrifica dhe këto angazhime kanë qenë investim shumë i qëlluar, ngase ata nuk na kanë zhgënjyer as dëshpëruar kurrë. Përkundrazi, ata kanë qenë dhe mbeten gjithmonë stimulim dhe motiv i padiskutueshëm për të ecë përpara. Unë e them me kënaqësi dhe siguri të madhe se pa dashurinë dhe mbështetjen e tyre unë do isha një njeri krejtësisht tjetër.

© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara

Të Ngjajshme