Nëse BE dhe SHBA nuk ndërmarrin veprim përkatës, ndikimi i Rusisë në Maqedoni do të përforcohet, konsideron lideri i LSDM-së, Zoran Zaev në deklaratën për Euronews. Sipas tij, interesi rus është përforcuar menjëherë pas zgjedhjeve. “Ndikimi i Rusisë tash më po ndihet, përmes prezencës së rritur të personave dhe përmes deklaratave të Ministrisë së jashtme të Rusisë, si dhe përmes aktiviteteve të Ambasadës së tyre në vend. Në mesin e qytetarëve është i dukshëm trendi i rënies së mbështetjes për BE dhe NATO. Përqindja e uljes së mbështetjes është e vogël, por megjithatë e qartë”, thotë Zaev në deklaratën për Euronews, transmeton gazeta KOHA. Ai është i bindur se nëse nuk merren masa shtesë në lidhje me interesimin e ulët të BE dhe SHBA në rajon, Federata Ruse do të ketë hapësirë më të madhe që të imponojë interesat e saja, thotë Zaev. Në ndërkohë, shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Poposki hedhë poshtë pohimet për ndikimin rus në vend. “Është legjitime që Rusia të ketë interesat e veta. Por kjo mund të thuhet për secilin vend anëtare të BE. Nuk ka të bëj me diçka që është ekskluzive vetëm për rajonin tonë ose vetëm për kandidatët ose vendet kandidate nga shtetet ballkanike”, ka deklaruar Poposki për Euronews.