Kryeministri Zoran Zaev dhe ministri i Punëve të Jashtme Nikolla Dimitrov sot në orën 10 në takim të përbashkët në vilën “Vodno” do ta informojnë presidentin Gjorge Ivanov për marrëveshjen e arritur me Greqinë për kontestin për emrin.
Republika e Maqedonisë së Veriut, erga omnes, ndryshim i Kushtetutës dhe vendosje graduale e emrit të ri në brendi të vendit, ruajtje e identitetit maqedonas dhe gjuhës maqedonase, i përmban marrëveshja, të cilën dje në një bisedë telefonike e konfirmuan kryeministrat e Maqedonisë dhe të Greqisë, Zoran Zaev dhe Aleksis Cipras, ndërsa më pas e informuan opinionin në vendet e tyre për atë që është arritur në përpjekjen që t’i jepet fund kontestit 25-vjeçar.
Tani pritet takimi i dy kryeministrave, i cili ndoshta do të mbahet gjatë kësaj jave në Prespë dhe në të cilën duhet ta nënshkruajnë marrëveshjen, por konfirmim për takimin nuk ka akoma. Marrëveshjen e përgëzuan të gjithë përfaqësuesit e lartë të bashkësisë ndërkombëtare, ndërsa përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme e BE-së Federika Mogerini paralajmëroi se do të vijë drejt nënshkrimit të tij.
Cipras dje menjëherë pas bisedës me Zaevin i brifoi presidentit Prokopis Pavlopullos dhe liderëve të partive politike, ndërsa Zaev përmes telefonit e ka njoftuar liderin e VMRO-DPMNE-së Hristian Mickoski, ndërsa sot së bashku me Dimitrovin do të takohen me presidentin Ivanov.
“Angazhimi ynë në kompromis është përkufizimi i emrit të saktë për shtetin tonë, emër i cili është i dinjitoz dhe i saktë në aspektin gjeografik, Republika e Maqedonisë së Veriut, i përkthyer në të gjitha gjuhët”, informoi Zaev dje në pres konferencë.
Potencoi se marrëveshja është konfirmim për gjuhën maqedonase në Kombet e Bashkuara. Gjuha do të jetë maqedonase/macedonian pa fusnota, kombësia është maqedonase gjegjësisht qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut (Macedonian/citizen of the Republic of Macedonia).
Marrëveshja, pasi të prezentohet para të gjitha subjekteve politike relevante në shtet, të nënshkruhet nga përfaqësuesit e të dyja qeverive, do të vendoset për ratifikim në Kuvend.Në seancën e qeverisë do të shqyrtohet të enjten.
Pas ratifikimit Greqia do t’i dërgojë letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, me të cilën do ta njoftojë se midis dy vendeve nuk ka kontest dhe pengesa Maqedonia të marrë ftesë për anëtarësim.
Është paraparë Greqia t’i dërgojë letër edhe kryetarit të Këshillit Evropian, Donald Tusk, me të cilën do ta njoftojë se më nuk ka pengesa dhe rekomandohet të marrim datë për fillimin e negociatave për anëtarësim.
“Besojmë fuqishëm se Këshilli Evropian më 28 qershor do të sjellë vendim për fillimin e negociatave me Maqedoninë. Besojmë fuqishëm se në samitin e NATO-s më 12 korrik në Bruksel Maqedonia do të marrë ftesë për anëtarësim të plotfuqishëm si anëtarja e 30-të e Aleancës”, theksoi Zaev
Për në vjeshtë planifikohet referendum në të cilin qytetarët do të thonë fjalën përfundimtare. Por kryeministri theksoi se pavarësisht se si do të jetë referendumi i detyrueshëm apo konsultativ do të jetë i detyrueshëm për institucionet në vend.
“Pasi qytetarët tanë ta konfirmojnë këtë marrëveshje historike Greqia nga fundi i vitit do ta ratifikojë në Kuvend, si edhe protokollin për anëtarësimin tonë në NATO”, shtoi Zaev.
Me ratifikimin nga parlamentet e të dy vendeve, marrëveshja bëhet e vlefshme.
Kodet online dhe kudo që parashikohet përdorimi i tyre mbeten MK dhe MKD, ndërsa në targat e automjeteve do të qëndrojnë NMK.Sa i përket mënyrës se si do të futet emri i ri për përdorim të brendshëm, Zaev sqaroi se do të përdoret duke hapur çdo kapitull.
“Për përdorim të brendshëm, do të futet duke hapur çdo kapitull jo më vonë se pesë vjet. Për shembull, kur hapni kapitullin për arsim, jo më vonë se pesë vjet, diplomat e universiteteve tona duhet të ndryshohen me emrin e ri. Një pjesë e ndryshimeve të brendshme nuk do të mund të mbulohen me kapituj, që do të thotë se ato përdoren përfundimisht me anëtarësimin e plotë në NATO”, shtoi Zaev.
Gjithçka që lidhet me institucionet shtetërore, gjithçka zyrtare do të jetë në pajtim me emrin e ri.
“Me pranimin e ndryshimeve kushtetuese kjo do të thotë ndryshim i Kushtetutës dhe ratifikimin final të marrëveshjes në Greqi kjo qeveri do të jetë qeveri e Republikës së Maqedonisë së Veriut, por do të flasim për qeverinë e Maqedonisë”, tha Zaev.
I pyetur se çfarë lëshime bëri Greqia në procesin negociues, Zaev vuri në dukje se ajo pranoi identitetin maqedonas dhe gjuhën maqedonase.
Edhe Cipras marrëveshjen e vlerësoi si historik.
Pas disa muajsh bisedimesh, arritëm të arrinim një marrëveshje me kryeministrin e IRJM-së për të zgjidhur kontestin e gjatë për emrin e fqinjit, e filloi fjalimin e tij kryeministri grek Aleksis Cipras drejtuar opinionit publik.
Ai u shpjegoi grekëve se emri i ri do të ishte Republika e Maqedonisë së Veriut “dhe ndryshimi i emrit do të zbatohet si në marrëdhëniet ndërkombëtare, ashtu edhe në ato dypalëshe, por edhe në brendësi”, duke shtuar se bëhet një dallim i qartë midis “Maqedonisë greke dhe fqinjit verior dhe me këtë i jepet fund irredentizmit në emrin kushtetues”.
Cipras tha se në Kushtetutë do të bëhen ndryshime që i referohen gjithçkaje që mund të interpretohet si irredentiste.Kryeministri grek tha se marrëveshja hap një dritare për të ardhmen, një dritare solidariteti, miqësie, bashkëpunimi, prosperiteti dhe zhvillimi mes dy popujve.
Për partitë më të mëdha të opozitës në të dy vendet, zgjidhja nuk është e mirë.
Për liderin e VMRO-DPMNE-s marrëveshja është “kapitullim”. Ai dje në pres konferencë anuloi udhëtimin dhe takimet e planifikuara për sot dhe i kërkoi kryeministrit Zoran Zaev që menjëherë t’ia dërgojë marrëveshjen me Greqinë për zgjidhjen e kontestit për emrin.
Ai beson se Zaev dëshiron “me kontrabandë” të futë zgjidhjen, që më parë u njoftua nga kryeministri, Republika e Maqedonisë së Veriut, si zgjidhje epokale.
Ai theksoi se është e rëndësishme të bëhet dallimi se cili institucion është kompetent dhe ka autoritetin për të lidhur marrëveshje ndërkombëtare, qeveria apo presidenti i shtetit.
Për liderin e partisë opozitare grekek Demokracia e Re, Kirijakos Micotakis, marrëveshja është e keqe dhe është në kundërshtim me qëndrimin e shumicës së grekëve.
Micotakis përsëri e akuzoi kryeministrin grek për mungesë të legjitimitetit politik dhe se zhvillon një diplomacisë sekrete dhe i kërkoi atij të mos e nënshkruajë marrëveshjen.
“Për thelbin e marrëveshjes dhe në bazë të asaj që ne dimë dhe e dëgjuam tani për tani nga Cipras, duhet të them vetëm se: pranimi i gjuhës maqedonase dhe kombësisë maqedonase është një përjashtim i papranueshëm kombëtar”, tha Micotakis dhe shtoi se përparësia e tij është që me të gjithë forcat të kontribuojë që populli grek të mbetet i bashkuar. I bëri thirrje Ciprasit të mos e nënshkruaj marrëveshjen.