Një femër dhe një mashkull kanë mbetur të vrarë me armë zjarri në fshatin Vërnicë të Vushtrrisë. Sipas Policisë ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22:00, ndërsa personi i dyshuar për vrasje të dyfishtë është arrestuar. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës Avni Zahiti duke e konfirmuar rastin për KosovaPress tha se i dyshuari është arrestuar menjëherë ndërsa arma me të cilën dyshohet se janë kryer këto vrasje është konfiskuar.
”Rasti ka ndodhur mbrëmë dhe sipas informatave që kemi i dyshuari vrasjen e parë e ka kryer në një vend tjetër ndërsa kur është kthyer në shtëpi e ka vrarë edhe viktimën tjetër femër e që dyshohet se është bashkëshortja e tij”, tha Zahiti. Sipas tij trupat e pajetë janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore ndërsa që ende nuk dihen motivet e kësaj vrasje.