Nga Festim POLLOZHANI
Historia na ka mësuar se “peshku i madh e han të voglin”. Në fakt kjo thënie është e përgjithshme dhe ka kuptim më të gjerë, por nëse ndjekim metodën e deduksionit, kjo thënie mund të shërbejë si orientim sidomos për ne shqiptarët. Jo rrallëherë kemi qenë në pozitë të palakmueshme, herë si pasojë e konstelacioneve të gjeopolitikës dhe herë si pasojë e orientimit të gabuar politik dhe strategjik por mbi të gjitha sepse në një mënyrë ose një tjetër figurativisht si popull, jemi një “peshk I vogël” dhe për më tepër nuk jemi të ngjashëm me ndonjë popull tjetër fqinj, ose familje popujsh siç janë për shembull sllavët, ose më larg nesh arabët. Çështë e vërteta, historia na ka gjetur të pa përgatitur si komb, na ka gjetur pa shtet të konsoliduar dhe pasojat janë ato që janë. Nga ana tjetër, më duket se SHBA – të janë aleatët ose përkrahësit që kanë parandaluar që punët të shkojnë edhe më keq, bile në historinë e shekullit XX – SHBA-të kanë qenë aleati ynë më i fuqishëm, një mrekulli e paqes kjo që vazhdon edhe sot. Nuk duhet ta harrojmë kontributin e ish presidentit amerikan Wilson, dhe angazhimin e tij politik në fillim të shekullit të kaluar që shteti i sapo krijuar shqiptar të mos copëtohej. Vizioni i ish presidentit amerikan, interesi për të mirën e popujve të vegjël në Evropë të cilët nuk ishin marrë parasysh nga fuqitë e mëdha, përveç se një politikë vizionare për sa I takon botëkuptimit ishte edhe një shqetësim konkret për popuj të caktuar dhe sidomos për shqiptarët, duke e mbështetur vizionin e tij politik mbi parimin e vetëvendosjes së popujve. Natyrisht se rol të rëndësishëm në atë kohë ka luajtur edhe diaspora shqiptare në SHBA e udhëhequr nga Faik Konica dhe Fan Noli, por edhe të tjerë si Kostë Çerkezi dhe Kristo Dako (bashkëshorti i Sevasti Qiriazit). Pra, dy elemente ndërlidhen këtu, përveç parimit për vetëvendosje – i lansuar nga presidenti amerikan Wilson, janë edhe kontaktet shqiptaro – amerikane që pamundësuan copëtimin e Shqipërisë në atë kohë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë ndër fuqitë më të mëdha politike, ekonomike dhe ushtarake në botë, për të mos thënë fuqia më e madhe dhe natyrisht se janë përfshirë në shumë procese, që kanë të bëjnë me ruajtjen e paqes dhe stabilitetit politik kudo nëpër botë. Janë angazhuar edhe si ndërmjetësues për zgjidhjen e kontesteve mes popujve të ndryshëm anekënd botës. Rasti më aktual është ai mes Izraelit dhe Palestinës në lidhje me qytetin e Jerusalemit, një vendim politik i rëndësishëm i SHBA –ve që sipas gjasave ngjalli shumë reagime, të ndara ne dy pjesë, përkrahës dhe kundërshtues të idesë dhe vizionit amerikan. Ne shqiptarët qoftë si komb, ose në vijë institucionale dhe shtetërore nuk besoj se kemi kapacitetin ose informatat të vlerësojmë se cili vendim është i drejtë dhe cili jo. Për më tepër ky rast nuk ka asnjë lidhje me proceset tona politike si komb për konsolidimin e shteteve tona në Ballkan. Ne duhet të besojmë në vizionin amerikan, siç kemi besuar deri tani dhe në mënyrë të heshtur ta përkrahim atë, për aq mundësi sa kemi. Nuk e kemi ne luksin për të ndërhyrë në konteste aq të mëdha politike, siç është kontesti izraelito – palestinez. Thjeshtë duhet të kemi besim tek SHBA – të si shtet që kujdeset për ruajtjen e paqes nëpër botë, dhe kujdesin për fatin e shteteve të vogla, natyrisht bazuar edhe në këndvështrimin e tyre.
Mos harrojmë se pas rënies së komunizimit në Evropë dhe shpërbërjes së Jugosllavisë, kontributi politik i SHBA-ve ishte vendimtar, sidomos në vendosjen e paqes në Bosnjë dhe pastaj përcaktimin e fatit të Kosovës duke u përfshirë në mënyrë direkte edhe ushtarakisht në atë konflikt. A ka një skemë amerikane për Ballkanin?! Sigurisht që mund të ketë, sepse ata kanë investuar për atë skemë, dhe ne duhet të kemi besim tek amerikanët. Një argument për këtë është mbështetja politike amerikane për konsolidimin e Shqipërisë si shtet, që kulmoi me anëtarësimin në NATO, gjë që u cilësua si “miracle of freedom”. Gjithashtu mbështetja politike e amerikanëve pas luftës së Kosovës, si në pavarësimin e saj si shtet, ashtu edhe në negociatat me shtetin serb por edhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës ka qenë e rëndësisë së veçantë. Askush nuk dyshon se shqiptarët janë populli më pro-amerikan në Ballkan, ndoshta edhe më gjerë, kujtoj pritjen entuziaste që ju bë ish presidentit Bush në Fushë-Krujë, ose ndërtimin e bustit të ish presidentit Clinton në Prishtinë. Çështja është se duhet të jemi të gatshëm të sakrifikojmë nga vetja edhe me veprime politike, për ta treguar mbështetjen ndaj SHBA – ve. Duhet të besojmë në vizionin amerikan edhe në rastin e demarkacionit të Kosovës, gjegjësisht caktimin e kufirit me Malin e Zi, duke pasur parasysh se në Mal të Zi jetojnë një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve dhe vizioni amerikan mund të jetë përtej horizontit tonë politik, të cilit ne duhet ti besojmë.
Duhet të mësohemi të notojmë në krahë të “peshkut të madh”, duke treguar vigjilencë politike, siç kanë treguar figurat politike shqiptare që i përmenda pak më lartë. Unë besoj në vizionin e SHBA -ve, ai është i drejtë. (koha.mk)