Delvina KËRLUKU
Zoti Ruzhdi Lata është lindur në vitin1953 në Dibër. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Medresenë “Alaudin” në Prishtinë. Pas përfundimit të shkollës së mesme vazhdon studimet ne Fakultetin Filologjik-dega Gjuhë Orientale në Universitetin e Prishtinës. Shkallën e tretë të studimeve e kreu në Universitetin e Prishtinës dhe morri titullin magjistër i shkencave të filologjisë. Prej vitit 1980 ka punuar në Bashkësinë Islame dhe në të njëjtën kohë ka ligjëruar në Universitetin e Prishtinës, në Katedrën e Orientalistikës deri në vitin 1991 kur serbët me dhunë e larguan nga fakulteti. Në ndërkohë paralelisht dy vjet punoi në Bashkësinë Islame të Maqedonisë dhe në Fakultetin e Shkencave Islame në Shkup dhe në Katedrën e Orientalistikës në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Në vitin 2013 u votua dhe u zgjodh kryetar i Komunë së Dibrës. Është marrë edhe me përkthime nga arabishtja. Nga arabishtja ka përkthyer veprën e dhjetë të Sahihil-Buhariut, kurse nga turqishtja romanin e Sami Frashërit “Dashuria e Talatit me Fitneten”. Kontribut të veçantë ka dhënë për themelimin e partive politike shqiptare në Dibër pas vitit 1990. Njihet edhe si aktivist për pajtimin e gjaqeve.
KOHA: Çdo të thotë të jesh dibran?
LATA: Është një vlerë. Një vlerë e jashtëzakonshme, shumë me peshë. Dhe unë më mirë do të kisha thënë “të mundohesh të jesh dibran”, me atë normativë të të qenit dibran. Ajo mund të përkufizohet në shumë aspekte, por unë do të shkoj në atë tradicionalen, që “dibran” do të thotë të kesh mendjen plot, brezin plot dhe xhepin plot, atëherë do t’i dalësh zot të jesh dibran. Unë fatmirësisht rrjedh prej një fshati, në afërsi të Dibrës, që quhet lagje e Dibrës, që ka një veçori që nuk krahasohet me të gjitha fshatrat e tjera në këtë rrethinë, nga se fshati quhet “Ame”, ku në ilirishten e vjetër “amë”do të thoshte burimi. Pra, fshati ka vetëm një burim. Është i vetmi fshat që mban emër të pastër ilirik. Rrjedh nga një familje tradicionalisht religjioze fetare, nga një fshat sado kudo i varfër, por dinjitoz. Shkollimin fillor e fillova në fshat, kurse e mbarova në qytet.
KOHA: Çfarë fëmijërie keni pasur?
LATA: Rrjedh nga një familje e madhe prej 12 shtëpive. Jam djalë i vetëm. Kemi jetuar me një disiplinë patriarkale, që ndryshe thënë, dikur përkonte edhe me kohën. Me një disiplinë tradicionale dhe me një kujdes të madh të prindërve. Por, në traditën dibrane, në kujdesin e fëmijës, nuk ka qenë kujdestar vetëm prindi. Por, rolin e prindërit e ka luajtur edhe anëtarët e tjerë të familjes, mixha, daja, plaku më i moshuar i lagjes. Kështu që jemi rritur në një kontroll të jashtëzakonshëm, për t’u bërë më të mirë, më të edukuar, më të sjellshëm, më të kujdesshëm, më efektiv dhe më punëtor.
KOHA: Çfarë nxënësi keni qenë, në shkollën fillore?
LATA: Gjithmonë kam qenë nxënës shembullor, i shkëlqyeshëm, prej në klasën e parë deri në të tetë në Dibër. Shkollën e mesme në Prishtinë, në Medrese, përsëri e përfundova shkëlqyeshëm. Në afat të caktuar e kreva edhe fakultetin. Njëkohësisht vazhdova edhe shkallën e tretë. I gjithë shkollimi ka rrjedh natyrshëm, nuk kam pasur ndonjë vështirësi të mësimit dhe studimit. Dhe rezultatet kanë qenë të këndshme, të dëshirueshme, të volitshme, të mira dhe më kanë favorizuar të jem vigjilent.
KOHA: Keni përjetuar fatkeqësinë natyrore, “Tërmeti në Dibër”, si e shpjegoni?
LATA: Kur ka ndodhur tërmeti kam qenë në vitin e parë në shkollën e mesme. Ishte një trishtim shumë i madh, mbase tërmetin e kam përjetuar fatkeqësi natyrore dhe kishte një pamje momentale sikur u grumbulluan në një vend nëntë Malet e Dibrës. Kam qenë në Dibër, në natyrë. M’u bë sikur malet vijnë në qytet. Deshati, Korabi, Lura, Lusnija sikur u bënë bashkë. Ishte një moment trishtues dhe nuk isha i vetëdijshëm çfarë bëhet. Një tajfun i kohës, siç e quajmë sot. Tmerr. Shtëpitë u dëmtuan në një masë të konsiderueshme, të cilat përmes një kreditimi edhe i sanuam, ngaqë nuk kishte potencial material që t’i sanojmë drejtpërdrejtë.
KOHA: Keni kryer shkollën e mesme në Prishtinë. Pse vazhduat shkollimin larg vendlindjes?
LATA: Shkollimin tim e vazhdova në Medresenë e Alaudinit në Prishtinë. Shkuarja në atë shkollë ishte më shumë vazhdim i traditës, ngase edhe prindin e kisha teolog, po ashtu edhe gjyshin edhe stërgjyshin. Kështu që unë isha gjenerata e pestë në familje që shkollohesha për teologji. Por, këtu ka diçka të veçantë. Që përpara Luftës së Parë Botërore e deri në vitin 1967, nga rrethi i Dibrës isha i pari që u shkollova në shkollë fetare. Kam qenë nxënës i Hasan Nahit, një pedagog nga Gjakova, i cili në vitin 1936 kishte mbaruar Fakultetin më të vjetër në botë, atë të Al Az’harit në Kajro, domethënë ishte një kuadër jashtëzakonisht i veçantë, i cili në qarqe fetare dhe shoqërore është i njohur, nga se është edhe themelues i gjimnazit të Gjakovës.
KOHA: Kush janë prindërit e juaj, ata që ju edukuan?
LATA: Historia e prindërve është paksa mallëngjyese nga se në vitin 1953, kur kam lindur, prindi është dënuar me 7 vjet burg, pastaj 5, pastaj 3 vjet e gjysmë, e përfundoi me 1 vjet e gjysmë, por fatkeqësisht e mori ‘epilepsinë’, prej të cilës edhe vdiq në moshën 46 vjeçare. Të gjithë të afërmit e tjerë, dajallarët, të gjithë farefisin e babait, nënës, me vonë edhe të gruas, i kam pasur në Shqipëri. Në dibër kam qenë vetë.
KOHA: Nënën si e mbani mend?
LATA: Nëna ka qenë me origjinë nga Shqipëria, prej një fshati Erebarë të Peshkopisë. Një amvise e zellshme, një edukatore e mirë, e urtë dhe në çdo iniciativë të marrë më ka përkrahur.
KOHA: Si ishte Prishtina e vitit 1967?
LATA: Në vitin 1967 Prishtina në hyrje kishte spitalin dhe pjesën e Ulpianës. I ndërtuar ishte vetëm konvikti numër 1. Në pjesën e sipërme, ishte fakulteti Teknik. Në drejtim të Fushë Kosovës ishte gjimnazi “Sami Frashëri”. Afër Fakultetit Filozofik, ku tash është ndërtuar katedralja katolike dhe në drejtim të Besianës apo Podujevës ishte Xhamia e Llapit. Ishte një qytet që kishte përjetuar dhunën dhe masakrën psikologjike të ministrit të Punës së Brendshme të asaj kohe të Jugosllavisë, Aleksandar Rankoviqit. Dhe në 68-tën filluan demonstratat, ambiciet e shqiptarëve, përkushtimi për zgjedhjen e çështjes shqiptare, të cilat u përsëritën në 81-shin dhe në fund lufta e Kosovës. Thënë thjesht, kam kaluar në të gjitha fazat dhe peripecitë që ka përjetuar populli shqiptar prej vitit 1967 deri në ditët e sotme, por historia rrjedhën akoma nuk e ka përfunduar. Jeta ime kaloi në të gjitha këto turbullira. Pra, kam qenë prezent dhe i kam përjetuar të gjitha.
KOHA: Që nga shkolla e mesme deri në ciklin e tretë të studimeve keni qenë në Prishtinë. Çfarë vështirësi keni përjetuar, pasi e dimë se në Kosovë pati pushtues, pati demonstrata të përgjakshme. Cili ishte roli juaj në këto ngjarje?
LATA: Në Prishtinë jemi edukuar, jemi frymëzuar, jemi shkolluar në një frymë të dëshirueshme, patriotike. Medreseja ka qenë shkollë e patriotizmit, e strehimit të patriotëve, e kontributit për lëvizjen kombëtare. Pas kryerjes së shkollës së mesme përsëri pata fatin të regjistrohem në Fakultetin Filologjik, grupin e gjuhëve orientale, ku profesor kisha të ndjerin Hasan Kaleshi, një personalitet unikat në trojet shqiptare, i cili shkruante në tetë gjuhë. Ligjëronte në Prishtinë, në Munih, në Vjenë, në Kajro, në Ankara. Ishim gjenerata e parë, vetëm katër studentë. Pas mbarimit të fakultetit, u pranova ligjërues, asistent. Raportet me studentët i kam pasur të mira. I kam dhënë rëndësi anës edukative. Shumë nga ata, edhe sot e kësaj dite i kam shokë.
KOHA: Si e mbani mend fillimin e punës në fakultet?
LATA: Fillimi i punës në Fakultetin filologjik ishte në një periudhë kur më lëvizja popullore shqiptare mori përmasa gjithë-popullore dhe filluan demonstratat e njëpasnjëshme. Ne kemi qenë shpesh kujdestar në Fakultetin Filologjik, në mensën e studentëve, bashkëpunonim me studentët, tash mund të them me kryengritësit.
KOHA: Kemi qenë i angazhuar në këto aktivitete. Si u reflektua kjo?
LATA: Nga vendi i punës më kanë përjashtuar në vitin 1991. Mandej e vazhduam punën, ta quaj kushtimisht “në të zezë”, në lokale private. Nuk e ndërpremë procesin e mësimdhënies deri sa serbët e morën në duart e tyre tërë Kosovën..!
KOHA: A është armiku juaj ai që është kundër jush?
LATA: Kundërshtari gjithmonë nuk është armik. Sa i takon atributit armik, unë në mesin e shqiptarëve nuk dua të trajtoj askënd armik. Kundërshtari në mendime, si i tillë, duhet të pranohet. Pra, armiqësia është diçka tjetër. Kishim dhe kemi një armik të përbashkët ne shqiptarët, ndaj dhe nuk është e nevojshme në mesin tonë të kemi armiqësi.
KOHA: Keni dhënë mësim edhe në shtëpi private, na e përshkruani atë shtëpi?
LATA: Dekanati i Fakultetit Filologjik ishte në një shtëpi të vjetër, në rrugën që shkon për në Besianë, Podujevë, e në orët e pasdites, jepnim mësim në një shkollë – tetëvjeçare, që na u mundësua dy vjet e mandej na e ndaluan.
KOHA: Keni qenë ligjërues në Fakultetin e shkencave Islame në Shkup, çfarë virtyti duhet të ketë një ligjërues për të arritur titullin profesor në këtë institucion?
LATA: Në Shkup kam ligjëruar “Kulturën dhe civilizimin Islam”. Për të qenë ligjërues në Fakultetin e Shkencave Islame, primare është përgatitja profesionale, pastaj duhet të kesh njohuri të përgjithshme arsimore dhe shoqërore, për të pasur aftësi për të bërë krahasimet me civilizimet e tjera, me ndikimin dhe gërshetimet e civilizimeve të tjera. Të jesh shumë i përgatitur, i rregullt në mësim, me një edukatë primare kuranore.
KOHA: Çfarë kontributi keni dhënë në universitet – USHT?
LATA: Sa i përket kontributit në USHT kam qenë pjesëmarrës që në themelim e USHT-së, dhe fati e deshi që në vitin 1994 kur u themelua universiteti, kam qenë në Kryesinë e punës bashkë me profesor Fadilin, Murtezan Ismaili, e shumë të tjerë. Pas kësaj jemi marrë në pyetje nga policia. Por universiteti vazhdoi punën e vet. Veç kësaj, në bashkëpunim me qytetarët dibranë kemi tubuar 14.000 marka dhe bashkë me Eugjen Cami e Mexhit Capën i kemi dërguar në arkën e universitetit. Kur u themelua dega e orientalistikës në USHT, u ftova ta ligjëroj lëndën “Shkrimtarët shqiptar me alfabet arab”.
KOHA: Tash jeni nënkrye të Komunës Dibër. Çfarë ju shtyu në fakt që të kandidoheni për këtë post?
LATA: Fatmirësisht i njoh pothuaj të gjitha familjet dibrane. Këtë ma ka mundësuar puna në Myftininë e Dibrës. Një kontribut të veçantë kam dhënë në ndërmjetësimin ose pajtimin e gjaqeve. Lutjet që sot bëhen në gjuhën shqipe jenë prodhime të mia. I pari i kam aplikuar unë. Jam munduar të jap maksimumin në ruajtjen e marrëdhënieve ndër-njerëzore. Dibra është një qytet karakteristik, pak edhe i nakatosur. Them kështu, pasi në Dibër nuk ka njeri që në gëzim familjar ose në një pikëllim familjar të mos mungojë dikush, ngase migrimi e ka bërë të vetën. Vazhdimisht jam munduar dhe mundohem t’i plotësoj ato boshllëqe me këshilla ose inkurajimin. Në raste gëzimi gjithmonë kam qenë inkurajimi, në raste pikëllimi jam munduar ta zbus dhembjen. Pritëm 5500 kosovarë, i strehuam dhe u munduam që t’ua bëjmë më të lehtë qëndrimin në Dibër dhe edhe në këtë drejtim Myftinia dha një kontribut të veçantë. Ndaj dhe kandidimi për kryetar komune nuk ishte i rastësishëm, sepse njerëzit më besojnë dhe bashkërisht kemi bërë mjaftë punë për qytetin tonë të dashur. Mjaft na ndihmon edhe diaspora dibrane. Me kontributin e dibranëve që janë jashtë ndërtuam edhe qendra e qytetit.
KOHA: Po komuna?
LATA: Komuna ka paguar vetëm gurin, punët e tjera kanë qenë punë vullnetare, nga bamirësit.
KOHA: Jeni i vetmi kryetar që thotë se të tjerët kanë kontribuar?
LATA: Nuk duhet mohuar kontributin e tyre!
KOHA:A ju është bërë ndonjë hile?
LATA: Unë jam në moshën 63 vjeçare. Lutje për punë nuk kam bërë asnjëherë, gjithmonë më kanë kërkuar të tjerët. Edhe nëse ka pasur ndonjë hile, atë nuk e kam pasur atë preokupim. Kur e pranoj një punë nuk pendohem asnjëherë, Dua të jem kreativ, dua të punoj, e dua punën, aq më tepër të organizoj. Menaxhimi i punëve më jep kurajo edhe më shumë dhe ndjehem shumë i disponuar. Sepse atë që e synoj, mundohem ta realizoj. Ndërtimi i xhamisë me 100 dritare prej guri, ku mu bashkëngjitën të gjithë donatorët, në mënyrë të shkëlqyeshme u realizua. Kështu ndodhi me qendrën e qytetit. Nga të gjithë pati gatishmëri. Gjatë fushatës për kryetar komune, premtova ndërtimin e gjimnazit dhe ja do të kemi një objekt shumë shumë të bukur, më të bukurin në Maqedoni. Unë me bashkëpunëtorët nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë të punojmë…
KOHA: Çfarë marrëdhënie keni me Reisin Sulejman Rexhepin?
LATA: Gjatë gjithë punës së tij si kryetar, kam qenë në pozitë. Jemi konfrontuar, jemi zënë, kritikuar, por në parim, gjithmonë e kam njohur për kryetar të Bashkësisë Fetare Islame.
KOHA: Cilët janë shokët e juaj besnik?
LATA: Shokë tradhtar nuk kam. Ndërsa, ndër shokët më besnik i kam Bahri Aliun nga Tetova, me të cilin edhe në shkollë kemi qenë bashkë, pastaj Ismail Ahmetin, Ramazan Hasën, myftiun e tanishëm të Dibrës.
KOHA: Po bashkëpunëtorët?
LATA: Bashkëpunëtorët janë të shumtë. Kam bashkëpunimin institucional me Partinë Demokratike të Shqipërisë, me elitën e saj. Bashkëpunoj me të gjitha asociacionet që veprojnë në Dibër. Me Bashkinë e Peshkopisë kam marrëdhënie të mira. Bashkëpunim të veçantë kam pasur me pleqtë e Dibrës, si për shembull një kohë të gjatë kam punuar me nipin e Sherif Langut, Avni Langun, i cili më ka ndihmuar ta njoh qytetin dhe Dibrën në tërësi. Bashkëpunëtor bashkëpunëtorë i kam të gjithë dibranët.
KOHA: Omer Hatab, njihet si një udhëheqës i shquar pas pejgamberit Muhamed a.s. A mendoni se keni ndonjë veti të Omerit, birit të Hatabit?
LATA: Shumë virtyte duhet thithur prej Omer Hatabit. Për mua virtyti më i rëndësishëm është modestia, për të cilën ka nevojë udhëheqësi, po edhe më shumë ka nevojë popullata. Aty ku ke mundësia të bëhesh mësues bëju, nëse vëren se nuk mund të jesh mësues, bëhu nxënës, mëso nga tjetri. Çdo ditë duhet bërë më shumë, duhet të jemi më efektiv. Të gjitha këto nuk mund t’i arrijmë po qe se në vetëdijen tonë nuk dominon, në kushte dhe rrethanat ku jetojmë, toleranca. Tërësisht duhet larguar prej vetëdijes sonë atë që na e kanë mbjell të tjerët, inatin. Sukseset arrijnë vetëm nëse ne kemi përkushtim. Kur mungon përkushtimi, mungon edhe zhvillimi i jetës.
KOHA: Ju keni qenë pajtues i gjaqeve!
LATA: Kam qenë ndërmjetës, pajtues në Dibër, por edhe jashtë Dibrës. Kam qenë ndërmjetësues edhe në mes institucioneve. I kam të regjistruar diku 184 pajtesa. Ne duhet të kontribuojmë për pjesën tonë, për aq sa mundemi dhe sa na ofrojnë kushtet dhe rrethanat.
KOHA: Jeni kundër ligjeve të Kanunit të Lekë Dukagjinit?
LATA: Nuk jam kundër. Edhe më parë thash që njeriu duhet të inkorporohet në rrethana, kushte, kohë, se çfarë problemi shtjellohet. Kanuni i Lekës, më në fund ka qenë një kod, një disiplinë. Nga një masë, fatmirësisht është pranuar, po në atë pikëpamje është Kanuni i Lekës, është Kanuni i Skënderbeut, por dibranët kanë avancuar pak më shumë, sepse kanë edhe kanunin e vet, Kanunin e Dibrës dhe të kesh një kod se si do të sillesh nuk mund ta injorosh se e injoron historinë tënde dhe e ka pasur efektin e kohës, në bazë të shumë rrethanave, të disa problemeve që janë zgjidhur, kanë qenë fatlume, për vendet, për shqiptarët. Deri sa vjen konstituimi zyrtar i shtetit me kushtetutë, dikush këto marrëdhënie i ka rregulluar. Pra ku i ka rregulluar Kanuni. Tjetër është pesha. Një kod ka ekzistuar dhe atë kod e përkrahi. E kam lexuar Kanunin e Lekës dhe e kam studiuar. Ne sot mund të bëjmë vërejtje, po kur të inkorporohemi në kohë janë plotësisht të arsyeshme.
KOHA:Të falësh gjakun apo të marrësh gjak. Sepse, mbi të gjitha Kanuni e prek edhe këtë segment?
LATA: Nëse i shtjellojmë çështjet me Kanun, del diçka tjetër, por së pari është shumë e rëndësishme që të mos biesh në gjak. Preventiva është shumë e rëndësishme. Çdo njeri duhet pasur kujdes ku e harxhon gjakun, djersën dhe lotin. Mëkati më i madh është të marrësh jetën e dikujt.
KOHA: Më mirë durim apo hakmarrje?
LATA: Hakmarrja nuk është burrërore. Hakmarrja është ligësi, nga se mbjell një pemë, e cila do japë prodhime të hidhëta.
KOHA: Keni përkthyer librat e autorëve shqiptarë nga arabishtja në shqip. Të përkthesh e të shkruash libra është gjurmë historike?
LATA: Me të ndjerin Mehdi Polisin përkthyem në Stamboll romanin e Sami Frashërit “Dashuria e Talatit dhe Fitnetes”, roman i parë i shkruar nga një shqiptar, madje kur të tjerët e kishin harruar. Bëra disa përkthime për Haxhi Vebi Dibrën, kryetarin e Senatit të parë shqiptar, për Sherif Langun, pjesëmarrës në shpalljen e pavarësisë në 1912, për Haki Sharofin, një pedagog i Medresesë së Tiranës. Me kënaqësi të veçantë duhet përmendur një punim për Fuat Dibrën, person i cili ishte nga më të pasurit e Ballkanit, harxhoi në vitet e 20 –ta 500 mijë franga flori, për Pavarësinë e Shqipërisë. Vetëm një drekë që ai shtroi në Paris për trupën diplomatike kushtoi 80 mijë franga flori. Fakeqësisht, Futa Dibra vdiq në Tiranë në varfërinë më të madhe.
KOHA: Ju keni dhënë shumë kontribut për partitë shqiptare….
LATA: Përkrahjet për partitë politike duhet ndarë në dy faza. Deri sa isha myfti, kam përkrahur të gjitha partitë politike. Mund të them se pjesërisht themelimi i partive është bërë në zyrat tona. Tash jam anëtar i Bashkimit Demokratik për Integrim. Më ofruan që të jem udhëheqës dhe jam në shërbim të të gjithë qytetarëve.
KOHA: Keni bërë përpjekje të ndryshoni të tjerët, apo keni ndryshuar veten?
LATA: Mua më ka ndryshuar studimi.
KOHA: Qyteti që udhëhiqni ju për arsye politike, por edhe ekonomike, është zbrazur nga njerëzit. U bëni thirrje dibranëve që të kthehen në vendlindje?
LATA: Jo
KOHA: Pse?
LATA: Pse jo? Faktet na tregojnë diçka tjetër. Dibranët kudo ku kanë shkuar, kanë qenë të shkëlqyeshëm. Janë bërë punëtorë, janë bërë biznesmen dhe kanë kultivuar (është interesant) raporte të mira me të gjithë njerëzit në shtetet ku jetojnë. Kështu që Dibra mbetet dhe duhet të mbetet burim i intelektualëve. Dibranët themeluan lagje në Stamboll, në Shkup, Shkodër, Tiranë, kurse në Amerikë themeluan “një qytet”. Dibrani posedon dhuntinë hyjnore, dhuntinë e Perëndisë, që kudo që të jetë ai, ndjehet gjithmonë dibran. Në Tiranë jeton gjenerata e katërt apo e pestë e jona. Dhe sot në Tiranë kemi mbi 150 doktorë shkencash dibranë. Kemi kuadrot tona në Maqedoni, në Shkup, Tetovë, mjekët më të mirë, studiues, udhëheqës, etj. Unë krenohem me ata dhe nuk ua kisha vendosur atë kusht, asnjëherë, që ata të kthehen në Dibër. Më në fund, ata u shërbejnë shqiptarëve, kudo që janë…
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.