Driton ZENKU
Gostivar, 18 shkurt – Nga praktika, po dalin mangësitë e ligjit për siguri në komunikacion rrugor. Rritja e temperaturave që shoqëruan ditët e fundit, për pasojë shtoi praninë motoçikletave në komunikacion, shkruan gazeta KOHA. Sikurse edhe viteve të kaluara, kjo dukuri po shndërrohen në makth të vërtetë për drejtuesit e automjeteve dhe këmbësorët. Lëvizja e pakontrolluar e tyre, por edhe drejtimi nga persona adoleshentë dhe pa leje të posaçme qarkullimi, ka bërë që gjatë pranverës dhe verës, burim kryesor aksidentesh në trafikun urban të Gostivarit të jenë pikërisht motoçikletat. Në shumicën e rasteve të tilla, viktima paraqiten këmbësorët. Për shkak të zbrazëtirës ligjore, këto të fundit as që kanë të drejtë dëmshpërblimi. Në Ligjin për siguri në komunikacion rrugor motoçikleta nuk hyjnë në kategorinë e automjeteve motorike, dhe kjo nënkupton se nuk i nënshtrohen sigurimit të obligueshëm. Qytetarë të dëmtuar në aksidente komunikacioni të shkaktuara nga motoçikleta pas të gjitha aventurave të kaluara nëpër labirintet gjyqësore nuk ia dalin të arrijnë deri te drejtësia.
Këtë fat e ka pasur edhe Labinot Amdiu nga Gostivari, i cili si pasojë e aksidentimit nga një motoçikletë pësoi dëmtime serioze shëndetësore. Por, edhe përskaj këtij fakti, ai nuk ka arritur të fiton dëmshpërblim nga drejtuesi i motoçikletës, një 17 vjeçar nga rrethina e Gostivarit. “Aksidenti më ndodhi në qershor të vitit 2015. Pas aksidentit mora raport mjekësor për pasojat shëndetësore dhe drejtuesit e automjetit e padita në gjyq dhe kërkova dëmshpërblim. Procesi ende zvarritet, sepse, sipas gjykatësve, mоtoçikleta është automjet me dy rrota në raport me automjetet tjera që janë me katër rrota dhe të cilët zhvillojnë shpejtësi më të madhe se 25 kilometra në orë. Pikërisht për shkak të këtyre fakteve, por edhe për shkaka të disa parametrave të tjerë motoçikletat janë përjashtuar nga kategoria e automjeteve me motorë. Për këtë shkak, nuk mund të sjellin vendim në favorin tim”, tregon për KOHA, Amdiu 58-vjeçar.
Dhe pikërisht për këtë shkak, ai i mbështetur nga ekspertë dhe avokatë propozojnë ndryshime në ligjet që e rregullojnë sigurinë në komunikacion. Ndërkaq, organet e rendit tashmë kanë filluar kampanjë në terren. Regjistrimi i motoçikletës, posedim i lejes për vozitje si dhe përgatitjet e posaçme dhe respektimi i rregullave në komunikacion, janë ndër kushtet të cilat policia i kërkon nga drejtuesit e motoçikletave. Në të kundërtën, policia paralajmëron dënime të ashpra. Me rritja e prezencës së skuterëve në komunikacion gjatë periudhës së verës, policia e Gostivarit apelon deri te drejtuesit e tyre që maksimalisht të respektojnë rregullat e trafikut. Ato rikujtohen edhe në obligimet ligjore me të cilat obligohen t’i respektojnë në qoftë se frekuentojnë komunikacionin. Mungesa e ndonjërës nga kriteret e parapara me ligj mund të godas gjepat e motoristëve nga 300 deri 500 euro. Krahas motoçikletave personale, shumica e të rinjve deri te motoçikletat vijnë duke i marrë me qira për orë të caktuara, nga firma të caktuara të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në të zezë. Policia bën me dije se gjatë kësaj periudhe, motoristët do të ndiqen në hap dhe do të përcillet çdo lëvizje e tyre dhe nëse vërehet ndonjë lëshim, pa dallim se bëhet fjalë për të rritur apo të mitur, predispozitat ligjore do të respektohen deri në fund. Nga Policia e Gostivarit thonë se vazhdimisht ndodhen në terren dhe është duke mbikëqyrur lëvizjen e biçikletave dhe motoçikletave në komunikacion, dhe për çdo parregullsi, policia do të vepron bazuar në predispozitat ligjore.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.