Urim HASIPI
Tetovë, 17 maj – Ardhja e mërgimtarëve muajve të verës ka bërë që policia në këtë kohë të fillojë të ndërmerr masa shtesë për të evituar tollovitë në komunikacion. Rrugët e Tetovës gjatë periudhës së verës trefishohen nga automjetet, sidomos pas ardhjes së mërgimtarëve pothuajse në të gjitha rrugët ka frekuentim të madh dhe krijohet kaos që vështirë kontrollohet, shkruan gazeta KOHA. Nga Policia e komunikacionit në Tetovë, theksojnë se gjatë verës dukshëm do të ketë kontrolle të përforcuara. “Do të kemi më shumë kontrolle apo prani të pjesëtarëve të policisë në vendet ku ka intensitet më të madh të automjeteve, apo në rrugë më të frekuentuara. Krahas praninë se policisë në pjesën qendrore të qytetit po ashtu prani do të ketë edhe në rrugët në dalje të Tetovës për në Shkup, Gostivar dhe në rrugën për në Jazhincë. Po ashtu do të parashihen edhe dënime për kundërvajtjet më të mëdha”, tha për KOHA, Besir Qamili, zëvendëskomandant i Stacionit policor për siguri në komunikacionin rrugor. Ai nënvizon se do të ketë disa prioritete sa i përket aspektit të mbarëvajtjes së komunikacionit më të mirë gjatë tre muajve të verës. “Një prioritet gjatë rritjes së masave të kontrollit do t`i japim edhe parkimit të gabuar të automjeteve, sepse kjo mund të shkaktojë edhe pengesa më të mëdha në komunikacion dhe ndaj tyre do të merren masa. Në këtë drejtim do të përdorim edhe dy automjete të merimangës dhe nuk do të jemi tolerant dhe në të gjithë ato vende ku do të hasen vetura të parkuara gabimisht, do të ndërmarrim masa. Po ashtu nëse në udhëkryqe do të ketë nevojë, përmes pjesëtarëve të policisë do të bëjmë rregullimin e komunikacionit”. Krahas kësaj, parashihen edhe dënime më rigoroze ndaj atyre që nuk do të respektojnë rregullat e komunikacionit “Ndaj vozitësve që nuk do të respektojnë shenjat e komunikacionit do të ketë kundërvajtje, ndaj atyre që do të drejtojnë automjetin nën ndikim të alkoolit, pa leje për vozitje, por njëkohësisht masa do të ndërmarrim edhe ndaj motoçiklistëve që në mënyrë të parregullt janë pjesë e komunikacionit. Edhe një aspekt tjetër është i rëndësishëm, pjesëmarrja e këmbësorëve të cilët në shumë raste në mënyrë të parregullt kalojnë rrugën apo lëvizin përgjatë saj, prandaj edhe ndaj tyre do të ketë masa”, thotë Qamili. Nga policia apelojnë që gjatë periudhës së verës nëse nuk është e nevojshme të mos përdoren veturat dhe të shmangen kaosi në rrugët e Tetovës.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara