Delvina KËRLUKU
Shkup, 18 gusht – Në rektoratin e Universitetit “Nënë Tereza”, në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Shkupi”, u promovuan gjashtë libra të teologut Zekirja Idrizi, shkruan gazeta KOHA. Rizvan Sulejmani, moderator i këtij promovimi, në fjalën e tij hyrëse tha se UNT mbështet aktivitet shkencore, kulturore, veprat, të cilat janë në nevojë të shoqërisë tonë. “Në strategjinë tonë të universitetit, përveç arsimimit, shkencës, vlerësojë se është me rëndësi të madhe që ky universitet të shndërrohet në shtëpi, ku do të promovohet vlera shkencore dhe jo vetëm shkencore, por edhe kulturore dhe kërkimore, prandaj me kënaqësi të madhe pranuam ftesën e autorit të Zekirja Idrizit dhe botuesit Azam Dauti, ku bashkërisht të promovojmë librin e këtij autori me një të kaluar, sa interesante aq edh intriguese, me një arsimin, siç edhe na tregoi kryetari i BFI-së. Njeriu, që fati i jetës e ka detyruar të jetojë jashtë vendit, por përnjëherë pa mos i ndërpre lidhjet me vendin, ku edhe ka bë një edukim të mëshirueshëm të atij fetar dhe atij kombëtar dhe sot para nesh paraqitet me disa vepra, që do të kemi rastin të dëgjojmë prej promovuesve tanë”, tha Sulejmani. Rektori i UNT-së, Aziz Pollozhani, tha se roli i tij i mëhershëm si diplomat e ka përballur edhe me imamë. “Vet kam qenë në diplomaci dhe kam komunikuar me imamë të vendit dhe pashë që roli i imamit tani, në kurbet sidomos, në një ambient kur ka konfuzion të theksuar social, është vërtet i rëndësishëm. Në qoftë se imamët janë të orientuar, ashtu siç thotë libri i shenjtë Kurani, dhe ashtu siç e duan edhe nevojat e tjera sociale edhe ato kombëtare, pse jo mund të luajnë një rol shumë konfensiv dhe afrues mes njerëzve, i cili aq shumë na duhet në këtë periudhë me aq konfuzion social”, tha mes tjerash Azis Pollozhani, rektor i UNT-së. Kreu i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Sulejman efendi Rexhepi, tha se Zekirja Idrizi ka dhënë dhe jep kontributin e devotshëm në shoqërinë tonë. “Vepra të cilat i promovojmë sot të efendi Zeqirja Idrizit, tregojnë se shqiptarët, veçmas ata myslimanë, ndër shekuj kanë treguar se janë kujdestarë dhe kultivues të pashoq të tolerancës dhe bashkëjetesës ndërfetare. Populli shqiptar është unikal në rajon dhe më gjerë për sa i përket kalitjes dhe ruajtjes së kësaj vlere tepër me rëndësi dhe të dëshmuar. Shqiptarët myslimanë, por edhe të tjerët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre fetare, kurrë në historinë e tyre nuk pranuan dhe nuk lejuan të manipulohen në emër të ndjenjave fetare, ashtu siç janë bartës të shumë proceseve kombëtare, ashtu ngelën edhe bartës dhe kultivues të vlerave të mirëfillta, tradicionale, burimore, autoktone dhe autentike islame”, tha mes tjerash kreu i BFI-së. Për librat e teologut Idrizi fjalë rasti patën edhe prof. dr. Bexhet Asani, Fadil Curri dhe Kristaq Shabani. Autori Zekirja Idrizi, duke përshkruar rrugën e tij në mërgim, tha se në librat e tij preokupim kryesorë mbetet çështja kombëtare. (koha.mk)