Në Gjykatën Themelore të Prishtinës po vazhdon gjykimi për korrupsion ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës, Fatmir Limaj. Ai akuzohet për keqpërdorim të detyrës dhe krim të organizuar në kohën sa ishte ministër i Transportit, raporton KTV. Të akuzuar janë edhe Nexhat Krasniqi shefi i Prokurimit i kësaj ministrie, ish-shefi i kabinetit Endrit Shala, Shpëtim Telaku shofer i Limajt dhe Florim Zuka pronar i një kompanie për ndërtim rrugësh. Dëshminë është duke e dhënë ish kryetari i Komunës së Ferizajt nga PDK-ja, Bajrush Xhemajli. Ai është thirr për të dëshmuar rreth një tenderi për mirëmbajtjen verore të rrugëve në rajon të Ferizajt në 2008. Xhemajli ka thënë se disa herë është takuar me Fatmir Limajn në atë kohë sepse kjo ishte puna e tij. “Ka qenë obligim si kryetar me punu, jo veç për ndërtimin e rrugëve, por edhe për fusha tjera. Ne si komunë e kemi pas obligim me përgatit projektin edhe me siguru shpenzimet, nga Komuna ose nga Ministria e Transportit. Kam njohuri për kompanitë “Burimi” dhe “Ekskavatori”, e di që merren edhe me ndërtimin e rrugëve. Gjatë ndërtimeve kam shku me shiku procesin e punës, kualitetin e rrugëve”, ka thënë Xhemajli, i cili ende është duke e vazhduar dëshminë. Gjatë paradites ka dëshmuar Mustafë Dalloshi, i cili sipas përgjimeve kishte pasur lidhje me Ali Aliun e Arsim Kolshin, tenderues në MTPT. Por ai shumicën e pyetjeve të prokurorit të EULEX-it i është përgjigjur me ‘nuk e di’ dhe ‘nuk më kujtohet’.