Shkup, 19 maj – Mospajtime mes VMRO-së dhe shumicës së re parlamentare (LSDM-BDI-ASH-BESA) vazhdon të ketë edhe sa i përket procedurës për emërimin e kryeparlamentarit Talat Xhaferi, shkruan gazeta KOHA. Në pyetjen “Sipas jush, procedura për emërimin e kryeparlamentarit ka qenë në pajtim me ligjet dhe Rregulloren”, mbi 85 për qind e votuesve të VMRO-së janë shprehur me JO, derisa 61 për qind e LSDM-së mendojnë të kundërtën, ashtu sikurse edhe 90 përqindëshi i elektoratit të tri partive shqiptare. Madje, 89 përqindëshi i VMRO-së fare nuk pajtohet me emërimin e Xhaferit në postin e të parit të Parlamentit, ndryshe nga 70 për qindëshi i LSDM-së që thonë se është OK si kryetar. Edhe te elektorati i Lëvizjes BESA, edhe pse deputetët e kësaj partie votuan kundër, mbi 94 për qind janë dakord me emërimin e Xhaferit si kryetar i Parlamentit. Në Aleancën për Shqiptarët, kjo përqindje shkon në 100. Megjithatë, mendimi i shqiptarëve se “tashmë ka filluar zgjidhja e krizës politike” nuk e kalon as 50 përqindëshin, derisa në LSDM – 68 për qind e votuesve të saj mendojnë se “ka filluar zgjidhja e krizës”. (koha.mk)