Delvina KËRLUKU
Sermine Purini u lind më 25 qershor 1965 në Shkup. Filloren e kreu në SHF “Petar Zdravkovski – Penko”- në Shkup, të mesmen në “Zef Lush Marku”, ndërsa studimet i kreu në Fakultetin Pedagogjik pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”. Sermine Purini punoi mbi 20 vjet në arsim, që nga diplomimi i saj, si mësimdhënëse në ciklin e ulët në Shkollën Fillore “Liman Kaba”dhe shkollën fillore ”Rajko Zhinzifov” në Shkup. Më pas u emërua drejtoreshë e Qendrës Informative Kulturore në Shkup, ku akoma i vijon aktivitetet e saj si drejtuese e këtij institucioni.
KOHA: Që femra shqiptare në Maqedoni ka filluar të jetë pjesë e vendimmarrjes në institucione, kjo tashmë është shumë e dukshme. Fakti që një numër jo i vogël i tyre udhëheqin, është shenjë që hapësira dhe mundësia për të vepruar si femër është e madhe?
PURINI: Natyrisht që po, por përsëri do të them se dy dekadat e fundit, sidomos pas pavarësimit të shtetit tonë, në kohën e tranzicionit, të qenurit grua, e cila kryen profesionin e vet apo ndonjë funksion publik nuk ka qenë fare punë e lehtë. Viteve të fundit shohim lëvizje pozitive në avancimin e gruas shqiptare në aspektin profesional. Domethënë, gruaja deri diku tani është mirë e pozicionuar në shoqëri. Por, kjo nuk do të thotë se duhet ndalur në këtë pikë, por duhet akoma shumë të punohet në këtë drejtim.
KOHA: Sot gruan e shohim të përfshirë gjithandej në sferat e jetës, në institucione publike dhe private. Mendoni se femra shqiptare jep një kontribut të suksesshëm në shoqërinë tonë?
PURINI: Absolutisht po. Femrën në përgjithësi, por sidomos femrën shqiptare në Maqedoni, ne e shohim gjithandej, gati në të gjitha poret e sistemit, por edhe në jetën publike. Shohim femra të cilat na përfaqësojnë në Kuvendin e Maqedonisë, shohim femra të cilat janë bartëse të denja të institucioneve shtetërore, si drejtoresha të spitaleve, shkollave, agjencive të ndryshme, kemi edhe një ministre femër shqiptare, pastaj kemi sipërmarrëse të suksesshme në bizneset e tyre, mjeke nga të gjitha fushat e mjekësisë, si dentiste, gjinekologe, pediatre, oftamologe dhe të tjera. Kemi femra shqiptare shumë të suksesshme në sferën e kulturës, si piktore të njohura, shkrimtare, prezantuese televizive, gazetare, profesioniste dhe natyrisht pjesëtare të fushës më të brishtë, por më të fisme, si arsimi, pra kemi profesoresha shumë të suksesshme dhe mësimdhënëse të mira të ciklit të ulët, të cilat kanë rëndësinë, peshën dhe përgjegjësinë më të madhe për një edukim të drejtë të fëmijëve tanë.
KOHA: Cilat janë përpjekjet e juaja për emancipimin e femrës?
PURINI: Ne jetojmë në një hapësirë shumë të brishtë të tokave shqiptare, aty ku shoqëria shqiptare herë është ballafaquar me traditat dhe zakonet e ndryshme, duke vërë theksin në vendet rurale, pikërisht aty ku paragjykimet janë më të theksuara dhe ku emancipimi i femrës shkon pak më vështirë dhe nga ana tjetër kemi hapësirat urbane ku femra ka më tepër shans të depërtojë në ndërtimin e personalitetit të saj dhe të kontribuojë në realizimin e ëndrrave të veta, respektivisht të arrijë pavarësinë e saj psikofizike dhe atë materiale. Duke krahasuar këto dy ambiente krejtësisht të kundërta, kujtoj se ne si shoqëri duhet të bëjmë balansin që hendeku emancipues mes këtyre dy kategorive të femrave, mos të jetë shumë i madh, por t’i shfrytëzojmë të gjitha resurset të cilat i posedojmë që këtë hendek ta bëjmë sa më të kalueshëm, e pse jo edhe më të padukshëm. Unë si grua, si nënë dhe si femër në përgjithësi mundohem dhe do të mundohem që sa më shumë të ndihmoj në kapërcimin e këtyre barrierave, si fuqia e opinionit publik dhe prezencës të shoqërisë maskiliste dhe këtë mund ta bëj vetëm me këshillimin e femrave të cilat kanë nevojë për këshillim dhe si drejtuese e një institucioni të mundohem sa më tepër femra të kyç në projektet të cilat i planifikon dhe i realizon institucioni të cilin unë e udhëheq.
KOHA: Jeni në një institucion që prodhon kulturë. Ju lutemi, na tregoni diçka në lidhje me historikun e Qendrës Informative Kulturore?
PURINI: Si një menaxhere e QIK-ut, jam munduar të kontribuoj shumë për ndërtimin e mëtutjeshëm të këtij institucioni kulturor, i cili është tejet i rëndësishëm në qytetin e Shkupit, por i cili deri në momentin që u mor në menaxhim nga shqiptarët, sikur nuk kishte shumë hapësirë për artistët shqiptarë. Nuk dua të tingëllojë jo modeste, sepse cilido menaxher i cili do të kishte drejtuar këtë institucion, thellësisht besoj se do të kishte qëllim primar afirmimin e kulturës shqiptare, por pasi që mua m’u dha një rast i tillë, mundohem dhe do të mundohem që t’u jap përkrahje të pa rezervë të gjithë artistëve në të gjitha fushat e artit dhe kulturës. Medoemos që jam përballur me vështërsitë nga më të ndryshmet, por asnjëherë nuk hoqa dorë dhe me tërë qenien time e aktivizova gjithë potencialin e institucionit, vetëm e vetëm që kultura shqiptare në Maqedoni të merr një dimension më ndryshe dhe vëmendjen e merituar. Dhe të gjitha këto aktivitete janë mirë të planifikuara, pra realizohen me anë të plan- programit vjetor të QIK-ut.
KOHA: Sa jeni e kënaqur me gjendjen e artistëve dhe kulturës që e ushtrojnë njerëzit e fushës së artit në Maqedoni, pra bëhet fjalë për shqiptarët?
PURINI: Në Maqedoni ka artistë shqiptarë jashtëzakonisht të talentuar dhe të suksesshëm. Artistë të shumë profileve kanë depërtuar edhe në arenën ndërkombëtare dhe janë mirënjohur botërisht. Natyrisht se ne si institucion i përkrahim dhe i angazhojmë edhe artistët të cilët kanë arritur të bëjnë popullaritet si vendor po ashtu edhe ndërkombëtar, por jemi të gatshëm dhe vazhdimisht në shërbim edhe të artistëve, të cilët nuk e kanë pasur edhe aq mundësinë të promovohen. Ne gjithnjë kemi qëndruar dhe do të qëndrojmë pas tyre. Kemi bashkëpunim të mrekullueshëm me artistët shqiptarë dhe në aktivitetet kulturore, të cilat i organizon QIK-u, ku janë të përfshirë artistë nga më të ndryshëm, në të gjitha zhanret e muzikës klasike, zbavitëse… Pastaj, e pranishme është edhe letërsia me krijuesit letrarë nga Maqedonia. Botohen dhe promovohen krijime letrare, punime shkencore të ndryshme. Nga fusha e artit figurativ, hapësirë jashtëzakonisht të madhe u japim piktorëve të rinj, por edhe piktorëve të cilët janë promovuar në arenën ndërkombëtare, si mjeshtër të pëlhurës dhe ngjyrave.
KOHA: Si është bashkëpunimi juaj me institucionet e tjera, me artistët jo vetëm nga Maqedonia, por edhe nga Kosova dhe Shqipëria?
PURINI: Ne jemi të hapur për të gjitha institucionet, të cilat shfaqin interesimin për bashkëpunim me QIK-un, qoftë nga Maqedonia apo nga institucionet e shteteve fqinje si Kosova apo Shqipëria. Kemi bashkëpunuar mjaft edhe me artistë individualë, por edhe me grupe të ndryshme. Kemi arritur të sjellim në Shkup, me ndihmën e Komunës të Çair-it, Operën “Skënderbeu”, e cila pas shfaqjes para publikut në Tiranë, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, dhuroi emocione të mrekullueshme artdashësve, në Shkup, duke u dhënë mundësinë që nga afër të përcjellin një nga veprat më madhore të lirikës shqiptare. Pastaj, sollëm në bashkëpunim me Komunën e Çairit në Shkup, edhe ansamblin kulturor të këngëve dhe valleve popullore të Tiranës. Për t’i përmendur të gjithë, do na duhej një hapësirë shumë e madhe e gazetës tuaj. Me një fjalë, kultura shqiptare në Shkup është afirmuar shumë, përmes organizimeve të shumta dhe me vlerësimin e lartë të ngjarjeve kulturore së bashku me artistë shqiptarë të njohur në mbarë botën, e sidomos në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e më gjerë.
KOHA: Jemi dëshmitar se deri tani i keni përkrahur projekte të ndryshme, pse e bëni këtë?
PURINI: E bëj për popullin tim, për Shkupin tim.
KOHA: Si e komentoni ardhjen e figurave shqiptare në QIK. Si mirëpriten ato nga publiku shkupjan?
PURINI: Kohë të gjatë populli shqiptar në Maqedoni ka qenë i etur për të shijuar artin e mirëfilltë dhe kulturën. Me ardhjen e figurave shqiptare me renome, ne mundohemi që sado pak ta shuajmë atë etje. Dhe publiku shqiptar i mirëpret jashtëzakonisht mirë. Nëpër koncertet dhe ngjarjet të cilat po organizohen, vijnë shumë vizitorë dhe kjo na bën të ndjehemi shumë krenarë dhe të lumtur. Jam shumë optimiste dhe besoj se dalëngadalë po ja arrijmë synimit tonë.
KOHA: Znj.Sermin duke qenë se jetoni në qytetin e Shkupit, cila është marrëdhënia juaj me komunitetet e tjera?
PURRINI: Mirë është. Natyrisht se QIK-u ka për detyrë që të bën organizime edhe për komunitetet tjera, për të gjithë qytetarët që jetojnë dhe veprojnë në Maqedoni. Programi i QIK-ut është multi-etnik, nuk mungojnë edhe aktivitetet e komuniteteve tjera. E gjithë kjo varet nga kërkesat dhe interesimi i tyre.
KOHA: Duket se politika është një terren i vrazhdë, sidomos në vendin tonë, ju tremb kjo gjë?
PURINI: Politika është politikë kudo në botë dhe natyrisht se nuk është një fushë e lehtë as për botën mashkullore, po as për femrat. Aktorët politikë ballafaqohen me shumë goditje, por gjithsesi se duhet ruajtur etikën e veprimit, etikën e komunikimit të ndërsjellë dhe mbi të gjitha të punohet për popullin dhe me popullin.
KOHA: Znj. Sermin ju kemi parë si udhëheqëse të QIK-ut, por mund të na tregoni si e kujtoni periudhën e fëmijërisë. Në çfarë ambient jeni rritur?
PURINI: Kam lindur dhe jam rritur në një familje të madhe, familje kryesisht e qetë, por jashtëzakonisht mikpritëse. Prindërit e mi, babai Selajdini dhe nena Hasibe, kanë krijuar familje tetë-anëtarëshe, pra ata të dy dhe gjashtë fëmijët, të gjitha vajza. Na rriten me një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe fare nuk ka qenë e lehtë për ata. Na rritën me dashuri të madhe. Të jetosh në një familje “femërore”, do të thotë të kesh hare në shtëpi, disi gjithmonë shtëpia ka qenë plot e përplot.
KOHA: Cilat kanë qenë vështirësitë e juaj gjatë shkollimit..?
PURINI: Ka pasur vështirësi nga më të ndryshmet, por me mundin tim dhe të prindërve të mi dhe me besim në vete, ia kam dalë ashtu siç kam menduar se është më së miri. Prindërit e mi gjithmonë e kanë pasur parasysh se vetëm shkollimi dhe pavarësia materiale do të na shpjerë në një rrugë të drejtë dhe në një jetë të denjë. Ky ka qenë synimi i tyre sa na përket neve vajzave të familjes time. Natyrisht se ka pasur vështirësi nga më të ndryshmet, por gjithmonë kam qenë luftarake në synimet e mia. Jam munduar që edhe përmes kulturës, vetëdijes time personale të luftoj për pabarazinë gjinore në periudhën e shkollimit tim dhe në periudhën fillestare të karrierës time profesionale. Kam qenë shumë e vetëdijshme se emancipimi i femrës është një proces i domosdoshëm dhe i pakontestueshëm. Dua të theksoj se është shumë i rëndësishëm emancipimi i përgjithshëm i femrës shqiptare, për arsye se ky i jep një imazh krejt tjetër dhe të lakmueshëm shtetit dhe kulturës të një kombi.
KOHA: Ju pëlqeni vetëm fushën e artit, apo edhe sferat e tjera si sportin, shkencën. Cili është profesioni juaj dhe a keni edhe ndonjë hobi?
PURINI: Natyrisht se më pëlqen arti, çdo lloj i artit. Por, e dua edhe sportin, edhe pse nuk e praktikoj në mënyrë shumë aktive, por mundohem të gjej kohë për vete kur më ofrohet mundësia dhe gjej kohë për not, shëtitje pse jo edhe aktivitete të tjera. Hobi i cili më plotëson është leximi dhe puna e dorës, më pëlqen muzika e mirëfilltë, i dua këngët e pastra shqipe, të huaja, klasike…
KOHA: Është shoqëria apo familja mbështetja më e madhe për realizimin e aktiviteteve tuaja?
PURINI: Unë jam bashkëshorte dhe nënë e dy vajzave dhe, duke qenë që të dy intelektualë, nuk e kemi fare problem të kuptojmë rëndësinë e profesioneve tona. Pra, ballafaqohemi me sfidat e jetës dhe i ndihmojmë njëri tjetrit, aq sa kemi dituri dhe mundësi. Vajzat dhe bashkëshorti im, po ashtu edhe familja ime më e gjerë dhe shoqëria, më japin mbështetje të madhe në realizimin e objektivave të cilat i kam përcaktuar në jetë dhe të cilat jeta i ka vënë para meje.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.