Ajo që po përflitej prej ditësh tashmë është bërë realitet. Hans-Joakim Vatzke ka rinovuar kontratën me Borussian e Dortmundit deri në vitin 2022. Shefi ekzekutiv i verdhezinjve ka pasur një rol kyç në sukseset e skuadrës, sidomos në ato financiare gjatë dekadës së fundit, ndaj drejtuesit e klubit nuk kanë hezituar për t’i ofruar një kontratë të re, që i skadon pas katër vitesh. Në jë komunikatë zyrtare, presidenti Reinhard Rauball vlerësoi punën e 58-vjeçarit, duke i dhënë besim të plotë në menaxhimin sportiv edhe për vitet që do të pasojnë. Dortmundi është një klub i shëndetshëm financiarisht, sidomos pas shitjes së Ousmane Dembele te Barcelona dhe Pierre-Aimerik Aubamejang tek Arsenali për shifra rekord, që bashkë me bonuset në total mund të kalojnë 200 milionë euro. Emërimi i Jurgen Klopp në krye të skuadrës në vitin 2008 konsiderohet si “çelësi” i nisjes së një epokë te re te verdhezinjtë.