Arlinda CANAJ
Problemet e trungut shqiptar kanë qenë dhe problemet e komunitetit shqiptaro-amerikan. Shqiptarët pasi u integruan në jetën amerikane u organizuan dhe krijuan miqësitë e tyre me amerikanët në shumë fusha si në politikë, ekonomi, shkencë dhe në jetën shoqërore. Mërgata shqiptare në SHBA gjatë gjithë shekullit luajti një rol të rëndësishëm në çështjen kombëtare shqiptare. Historia e Federatës Vatra dhe Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane bëjnë pjesë në fondin e artë të historisë së përpjekjeve shqiptare në mbrojtje të interesave shqiptare, për ruajtjen e sovranitetit territorial, të pavarësisë së Shqipërisë dhe në luftën e Kosovës.
Pas shpalljes së Pavarësisë, Fuqitë e Mëdha do e trajtonin territorin shqiptar si një plaçkë tregu. Në vitin 1913 do të mbahej Konferenca e Ambasadorëve në Londër e cila do linte jashtë territorit shqiptar gjysmën e vendit. Por nuk do të mjaftoheshin me aq. Donin që dhe atë pak territor ta gllabëronin. Italia donte të merrte Vlorën dhe gjithë rrethinat e saj. Pikërisht në një situatë të tillë dramatike , Vatra do përpiqet me të gjitha forcat që kjo gjë të mos ndodhte.
Autori amerikan Edwin Jasques në librin e tij”Shqiptarët, një histori etnike prej kohëve prehistorike deri në kohët moderne” 1995 do të shkruante: “Shqiptaro –amerikanët e Bostonit u mblodhën në një tubim historik më 4 nëntor 1915 për t’i dërguar një peticion Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të formonin një fond ndihmash ushqimore për të ndihmuar popullatën shqiptare e cila po vdiste nga uria si rezultat i bllokadës italiane të bregut të detit shqiptar pas Traktatit të Fshehtë të Londrës, i cili i jepte Italisë Vlorën. Në këto ditë të vështira të mbijetesës së popullit shqiptar ishte peshkopi Fan Noli i cili lëshoi apelin poetik “Jepni për nënën” duke nxitur djemtë besnikë të shqipes që të kontribuonin me 150 mijë dollarë ndihma për Shqipërinë, çka ishte shumë kuptimplote. “
Një ndër kontributet më të mëdha të Vatrës mbeten marrëdhëniet e krerëve të saj me presidentin amerikan Willson. Në datën 4 korrik 1918 peshkopi Noli, i cili përfaqësonte Federatën Pan Shqiptare “Vatra” si dhe përfaqësues të tjerë kombesh shoqëruan presidentin Willson në Jahtin presidencial për tek varreza e George Washingtonit në malin Vermon.
Në këtë datë të shënuar presidenti Willson deklaroi 14 principet e nacionalizmit dhe vetëqeverisjes së kombeve të vogla. Noli do të takohej në Manflower për të folur për pavarësinë e Shqipërisë. Në këtë takim presidenti Wilson i tha Nolit:”Unë do të kem një zë në Konferencën e Paqes dhe atë zë do e përdor në të mirë të Shqipërisë.
Dhe Konferenca e Paqes e njohu Shqipërinë si një komb me vetëqeverisje të ligjshme brenda kufijve të vendosur të 1913-ës dhe urdhëroi ushtritë e vendeve fqinje të largoheshin menjëherë prej territoreve shqiptare. Dhe sigurisht që zëri i Uillsonit ishte vendimtar. Lufta që bëri Vatra veçanërisht kundër grekëve ishte e jashtëzakonshme. Aq sa kryeministri i atëhershëm grek Venizellos do shprehej :”Vatra ma hoqi Epirin nga duart”.
“Vatra” ishte organizata shqiptare që vulosi historinë e Shqipërisë me emër të artë sepse aty qëndronin patriotët dhe personalitetet e kulturës sonë shqiptare: Noli e Konica, e shumë bij të tjerë që lanë çdo gjë në shërbim të atdheut.
Pikërisht në një traditë të tillë të Vatrës u zhvillua dhe lufta për Kosovën. Krahu i Kosovës ishin mërgimtarët të cilët ndihmuan Lëvizjen e rezistencës dhe luftën çlirimtare politikisht, moralisht, materialisht dhe me pjesëmarrje në frontin e luftimeve.
Dhe ndihma nuk ishte vetëm shpirtërore por dhe fizike, me ndihma të pandërprera materiale, me kontribute financiare nëpërmjet 3 për qindëshit si dhe ngritjes së fondit “Vendlindja thërret” që ishte ndihma direkte në luftën çlirimtare të Kosovës. Por jo vetëm ndihmë materiale. Ato dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në internacionalizimin e çështjes së Kosovës dhe në pjesëmarrjen e vazhdueshme në protesta që organizonin në të gjitha qytetet e Evropës në SHBA dhe vende të tjera. Ata bënë presion moral e politik ndaj strukturave udhëheqëse dhe në sensibilizimin e opinionit ndërkombëtar për angazhimin e tyre në zgjedhjen e drejtë të çështjes kosovare dhe në gjykimin e dhunës serbo-sllave.
Shumë prej mërgimtarëve u rreshtuan në radhët e ushtrisë çlirimtare të Kosovës dhe luftuan me një heroizëm të pashoq për çlirimin e vendlindjes deri në fitore. Dhe këtu nuk mund të mos lihen pa përmendur të gjithë ata të rinj e të reja që morën pjesë aktive në frontet e luftës.
Lobi shqiptar në Amerikë përfaqësohej nga Liga Qytetare shqiptaro-amerikane me në krye Dio Guardin, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Këshilli Kombëtar Shqiptaro-Amerikan që luajtën një rol të padiskutueshëm. `Dio Guardi ishte njeriu që për herë të parë në dy dekadat e fundit paraqiti problemin e shqiptarëve në Ballkan para kongresit amerikan duke sensibilizuar këtë institucion dhe publikun që nuk e dinte ku binte Kosova.
LDK-ja ishte forca që organizoi protestat, grumbullimin e fondeve për të sensibilizuar çështjen e Kosovës. Këshilli Kombëtar shqiptaro-amerikan punoi me qeverinë amerikane duke e informuar dhe duke u përpjekur të influencojë qeveritarët për të ndërmarrë hapa kundër represionit sllav ndaj shqiptarëve.