Shkup, 27 shkurt – Federata Futbollistike e Maqedonisë do të nisë procedurë kundër skuadrës së Vardarit pas ndeshjes së javës së 20-të me Shkëndijën, e cila të dielën u zhvillua në Shkup. Komisioni për gara pranë FFM-së, sot (e martë) në mbledhjen e saj të rregullt, sipas “Alsat-M” do të ngre masë disiplinore kundër KF Vardar, edhe atë për katër pikë, ndërsa më e rënda është ofendime në baza nacionale. Pas përfundimit të kësaj përballje, njerëzit e patë të futbollit vendor, i kanë siguruar të gjitha raportet e delegatëve nga ndeshjet e zhvilluara.
Sipas të njëjtëve, Komisioni për gara pranë FFM-së do të sjell vendim për nisjen e procedurës kundër Vardarit. Pothuajse gjatë gjithë ndeshjes, tifozët e këtij klubi “Komiti”, i kanë ofenduar shqiptarët dhe njeriun e parë të FFM-së, Illço Gjorgjioski, nga i cili kërkon ta braktis këtë funksion. Jo zyrtarisht mësuam se KD masë ndaj KF Vardar do të nisë për shkak të thyerjes së rregullores edhe atë për: Organizimin e dobët të ndeshjes; ofendime në baza nacionale, ofendime për drejtuesit e FFM-së; dhe hedhjen e mjeteve piroteknike në fushë. Kujtojmë, këto dy ekipe do të ndeshen përsëri të mërkurën në Shkup, por kësaj radhe në kuadër të ndeshjes së parë çerekfinale të Kupës së Maqedonisë.