Fisnik PASHOLLI
Shkup, 18 mars – Maqedonia mundet për çdo ditë të ushqejë së paku 25 mijë banorë të varfër me ushqimin që përfundon në deponi. Sipas të dhënave të organizatës “Banka e Maqedonisë për Ushqim” (BMU), 10 mijë tonë ushqim që akoma është i përshtatshëm për konsumim hidhet në mbeturina nga ana e amvisërive, restoranteve, dyqaneve dhe distributorëve, shkruan gazeta KOHA. Analizat e Bankës së Ushqimit tregojnë se më mijëra ton ushqime të ndryshme që janë të mira për konsum, për çdo vit përfundojnë në deponitë nëpër Maqedoni. Pemë dhe perime që kanë qëndruar disa ditë, por nuk janë të prishura, qumësht apo mish dhe përpunimet e tyre që janë afër afatit të skadimit të tyre, bukë, ëmbëlsira dhe parori të bardha dhe ushqim tjetër i paketuar… gati për çdo ditë hidhet nga marketet dhe objektet e ushqimit në vend. Vetëm sasi shumë të vogla të këtyre ushqimeve përfundojnë tek njerëzit e varfër, për shkak të mungesës së sistemit të organizuar të shpërndarjes së këtij ushqimi tek nevojtarët. Nga ana tjetër, aktivitetet e organizatave humanitare përkufizohen në aksionet e përkohshme, që kur grumbullohen sasi të mjaftueshme të sasive të ushqimeve – ju shpërndahen atyre që kanë nevojë për ushqim. Andaj, nga Banka e Ushqimit që në fokus ka luftën kundër urisë dhe varfërisë, theksojnë se nevojitet të miratohet Ligj që do të rregullojë procedurën e dhurimit të ushqimit, si dhe do të ndalojë hedhjen e ushqimit, me qëllim që ai të mund të drejtohet ndaj personat e varfër dhe familjet në margjinat e shoqërisë.
“Rregullimi normativ i shpërndarjes së obligueshme të ushqimit për ata që kanë më shumë nevojë do të ishte një hap i rëndësishëm në luftën kundër urisë. Në këtë kuptim, qëllimi i Ligjit nuk është restriktiv, por i mirëfilltë edhe pse sanksione nuk mund të përjashtohen në rast të mosrespektimit të tij. Ligji do të ishte i përgjithshëm dhe orientir, sipas të cilit, më vonë do të kryheshin ndryshimet ligjore me të cilat rregullohet fusha e tregtisë dhe ushqimit”, thotë për KOHA, kryetari i Bankës së Ushqimit, Dushko Hristov. Sipas tij, Ligji nuk do të bëjë me qytetarët, por me prodhuesit, distributerët, dyqanet dhe objektet hotelerike. Në aspektin socio-ekonomik, Ligji do të nxiste të gjitha subjektet në shoqëri për një menaxhim të qëndrueshëm me ushqimin, uljen e mbeturinave të ushqimit, dhurimin e tepricave të ushqimit, si dhe rritjen e vetëdijes për pjesëmarrjen e më shumë faktorëve në proceset e uljes së varfërisë.
Ligji që do të rregullojë një problematikë të tillë është mjaft kompleks, pasi prek në esencë kompetencat e më shumë institucioneve vendore si agjencive, ministrive e kështu me radhë, andaj edhe miratimi i tij kërkon kohë dhe përgatitje të kujdesshme, shprehet Hristov.
Në ndërkohë, në Evropë po merren masa legjislative për të parandaluar shpërdorimin dhe hedhjen e ushqimeve. Franca është bërë vendi i parë në botë që ndalon supermarketet të hedhin ose të shkatërrojnë ushqimet e pashitura, duke i detyruar që t’i dhurojnë për bamirësi në bankat e ushqimit. Sipas një Ligji të miratuar unanimisht vitin e kaluar nga Senati Francez, që tani e tutje dyqanet nuk do e hedhin ushqimin me cilësi të mirë edhe pse është afër datës së skadencës. Organizatat bamirëse do të jenë në gjendje të japin ushqime falas çdo vit për njerëzit që luftojnë për të siguruar ushqim. Duke filluar nga korriku i vitit 2016, supermarketet në Francë nuk lejohen të hedhin ushqimet para datës së skadencës, por duhet t’ua dhurojnë të varfërve.
Qeveria italiane, gjithashtu ka miratuar një Ligj i cili parashikon parandalimin e hedhjes së ushqimit në mbeturina. Ky vendim i qeverisë italiane vjen pasi shteti po humbiste sasi të mëdha ushqimi në mbeturina çdo vit. Ligji është miratuar nga 181 senatorë, të cilët po ashtu i kanë inkurajuar njerëzit ta marrin me vete ushqimin që u tepron kur hanë nëpër restorante, ndërsa Ligji i detyron supermarketet që ta falin ushqimin e tepërt e të mos e hedhin në mbeturina. Qëllimi i këtij Ligji është të zvogëlohet sasia prej pesë milionë tonësh që hidhen çdo vit, për të paktën një milion ton. Ministrat italianë kanë thënë se hedhja e ushqimit po u kushton shtrenjtë bizneseve dhe amvisave në Itali, për më shumë se 12 miliardë euro për çdo vit.
Ndërkaq në botë, çdo vit 1.3 miliard ton ushqime, gati një e treta e atyre që prodhohen – shpërdorohet, si fruta dhe perime, peshk, drithëra, prodhime blegtorale etj. Sipas OKB, nëse sasia e ushqimit të shpërdoruar do të ulej me 25 për qind, do të ishte e mjaftueshme për të ushqyer të gjithë njerëzit e keq-ushqyer.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.