Enuresis nokturna) është një gjendje kur fëmijë të shëndetshëm, vazhdojnë të lagen dhe në moshën kur duhet ta kishin ndërprerë si të gjithë moshatarët. Veç kësaj, ky emër e veçon nga shkaqet e tjera të urinimit jashtë vullnetit.
Enureza haset në 10 deri në 20% të fëmijëve të shëndoshë dhe vetëm 1% në të rriturit.
Në fëmijët, dominon seksi mashkull, ndërsa në të rriturit nuk ka dallime midis sekseve.
Shumica (afërsisht 90%) lagen vetëm natën, gjatë gjumit të thellë (rreth menatës) dhe vetëm 10% lagen dhe gjatë gjumit të ditës. Disa lagen vetëm në ditë të caktuara të javës; prandaj prindërit u thonë: hë more kur e ke radhën e vaditjes (sigurisht që gabojnë).
Pse të vegjlit urinojnë në gjumë
Për ta kuptuar, mendoj se duhet ditur si dhe kur arrihet kontrolli mbi urinimin. Në pjekurinë e këtij mekanizëm kompleks, marrin pjesë disa hallka:
1-fshikëza e urinës dhe muskulatura e veçantë e qafës së saj që si “gardian” lejon ose pengon rrjedhjen e urinës
2- disa fije nervore që dalin nga fshikëza, ngjiten në palcën e boshtit të kurrizit e përfundojnë në një qendër në tru; mandej “komandat” e marra zbresin e përfundojnë në fshikëzën e urinës.
3- Një gjëndër e vogël në tru (hipofiza) prodhon hormonin (ADH) që rregullon prodhimin e urinës – gjatë natës prodhohet sa gjysma e sasisë së ditës.
Pjekuria plotë e këtyre hallkave, arrihet me rritjen e fëmijës, pra kërkon kohë. Te disa mund arrihet pak më herët se në të tjerët, po brenda moshës 5-6 vjeç, arrihet te të gjithë; prandaj kini pak durim se gjithçka do normalizohet.
Pse disa fëmijë vazhdojnë të lagen në gjumë mbi 6 vjeç
Arsyet janë të ndryshme, po nga ana praktike e ka rëndësi të njihen tipet e enurezës, ajo mund të jetë: parësore, dytësore ose shenjë.
Enureza parësore. Këta fëmijë vazhdojnë të lagen në mënyrë të pavullnetshme në gjumë pa ndërprerje dhe mbi moshën 6 vjeç. Kjo lidhet me pamjaftueshmërinë e funksionit të fshikëzës së urinës dhe të muskulit të qafës së saj që lejon e ndalon rrjedhjen e urinës si dhe me kontrollin e pamjaftueshëm asaj gjëndre (hipofizës) që gjendet në tru.
Në këto raste, pjekuria e plotë e këtyre dy mekanizmave, arrihet më vonë se në të tjerët, për rrjedhojë dhe kohëzgjatja e enurezës ndryshon nga një fëmijë në tjetrin.
Enureza dytësore. Në këto raste Enureza, është ndërprere, po mbas një kohe fillon përsëri. Kjo ndodh zakonisht për shkaqe emocionale ose stresi si p.sh. grindje e tensione brenda familjes, frikë e pasiguri nga ato që dëgjojnë nga prindërit se ç’mund të ndodhin, divorse, tensione në shkollë, largimi vëmendjes ndaj tij me lindjen e një fëmije tjetër etj.
Enureza si shenjë. Urinimi i pavullnetshëm në gjumë, mund të jetë vetëm një nga shenjat e sëmundjeve të sistemin urinar (infeksione, reflukse veziko ueterale të gradave të rënda, keqformime etj), sëmundjeve të sistemin nervor që kanë çuar prapambetje mendore, ose me dëmtimeve të rrugëve nervore (për shumë shkaqe, përfshi aksidentet) duke filluar prej fshikëza, në boshtin e kurrizit deri në tru më rrallë, shenjë e diabetit dhe epilepsisë.
Këto janë arsyet pse Enureza asnjëherë nuk duhet nënvleftësuar.
Kur duhen medikamente
Për medikamente duhet menduar vetëm mbasi fëmija të ketë mbushur 6 vjeç; moshë kur çdo i shëndetshëm nuk duhet të vazhdojë të laget në gjumë. Sot me rezultate më të mira, konsiderohet Minirini, luan rolin e hormonit të hipofizës (që përmenda më lart); ndikon në pakësimin prodhimit të urinës gjatë natës, për rrjedhojë grumbullohet më pak urinë në fshikëz dhe muskujt “gardianë” nuk lejojnë rrjedhjen e urinës në gjumë.
Minirini (kokrra nga goja ose spraj në hundë), jepen çdo mbrëmje para se të shkojnë për të fjetur dhe mbasi të kenë shkuar në tualet për të urinuar. Për të pasur rezultatet e duhura dhe mënjanimin e rifillimit të enurezës, mjekimi duhet i zgjatur, nga 3-4 deri në 5-6 muaj.
Medikamentet e përdorura gjerësisht më parë si Imipramina dhe Ditropani, sot ia kanë lënë vendin Minirinit.
Rekomandohen dhe disa aparate për zgjim para se të lagen, po përfitimet janë të rralla.
Po prindërit, ç’mund të bëjnë.
Në radhë të parë duhet të kenë bindje se fëmija i tyre urinon në gjumë pa dashje (jashtë vullnetit), se ata nuk janë dembelë e moskokëçarës (indiferentë) se në të vërtetë ata vuajnë më tepë se kushdo tjetër. Ankthi shtohet jo vetëm prej veprimeve jo korrekte të prindërve, po dhe jashtë shtëpisë për arsye se nuk mund të shkojnë ndonjë natë për të fjetur te të afërm ose shokë, frikës se sekretin mund t’ua dinë dhe të tjerët, ngacmimeve prej shokëve etj.
Çdo prind, për t’i ardhur në ndihmë fëmijës, duhet t’i qëndrojë gjithmonë pranë dhe ti bindi se kjo është një gjendje kalimtare të cilën e kanë kaluar dhe shumë të tjerë (duke e ilustruar dhe me ndonjë shembull, qoftë dhe të sajuar).