Uragani Irma i cili ka goditur Ishujt Karaibe dhe që pritet të mbërrijë në Florida të SHBA-ve mund të ndikojë tek 37 milionë njerëz. Në një deklaratë të Kombeve të Bashkuara (OKB) vihet në dukje se janë dërguar ekipe në veri të Barbadosit dhe Haitit për t’u ardhur në ndihmë viktimave të urganit Irma në Karaibe. Në deklaratë thuhet se nga uragani mund të ndikohen 37 milionë njerëz. Të paktën tetë të vdekur është bilanci nga goditja e uraganit Irma në Karaibet franceze. Ministri francez i Punëve të Brendshme, Gerard Collomb, deklaroi për “Info Radio”, se numri i të vdekurve ka gjasa të rritet, pasi ekipet për shpëtim të kenë qasje në zonat e dëmtuara ku do të duhet të kryejnë kontrolle në ishujt Shën Martin, Shën Barthelemy dhe Shën Barts të Karaibeve. “Aeroporti francez nuk është shkatërruar, ndërsa ai i Holandës po”, tha Collomb në një konferencë të sotme për mediat, duke iu referuar ishullit Shën Martini, i cili është i ndarë nga Franca dhe Holanda. Uragani Irma gjithashtu ka shkaktuar edhe përmbytje dhe dëmtime të shtëpive përgjatë ishujve ku ai ka kaluar. Ndërsa Qendra Kombëtare e Uraganeve në SHBA ka njoftuar se uragani Irma ka arritur një shpejtësi prej 300 kilometra në orë dhe se ndodhet në kategorinë e pestë të uraganeve më të rrezikshëm. Pas ishujve Karaibe ka nisur të godasë ishujt Virgin dhe brigjet e Porto Rikos. Shërbimi Kombëtar i Motit në SHBA njoftoi se Porto Riko nuk ka parë një uragan më të fuqishëm se Irma që nga uraganit San Felipe në vitin 1928 i cili shkaktoi vdekjen e 2.748 personave në Guadeloupe, Porto Riko dhe Florida. Presidenti amerikan Donald Trump për shkak të uraganit Irma i cili pritet që në fund javë të mbërrijë në Florida ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në Florida, Porto Riko dhe Ishujt Virgin. Gjithashtu për shkak të uraganit janë evakuuar edhe 6 ishuj në Bahama.