Delvina KËRLUKU
Prof.dr. Bekim FETAJI është profesor ordinar në fushën e Informatikës pranë Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup. Ka përfunduar studimet e doktoraturës në shkencat kompjuterike në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike në Universitetin e Teknologjisë në Graz, Austri, në vitin 2008 dhe ka përfunduar studimet e Magjistraturës në Shkencat Kompjuterike në Universitetin “Oxford Brookes”, në Oksford të Anglisë në vitin 2004. Është zëvendësrektor për Shkencë pranë Universitetit “Nënë Tereza” dhe Dekan i Fakulteti të Informatikës. Ish-kreu i grupit të kërkimeve në fushën e Programimit dhe Inxhinierisë Softuerike dhe Specifikimeve Formaleve të Softuerit. Më parë ka qenë Dekani i Shkencave Kompjuterike dhe para kësaj – zëvendësdekan për çështje akademike në Shkencat Kompjuterike në Universitetin e Evropës Juglindore. Ka marrë pjesë në më shumë projekte ndërkombëtare dhe kombëtare brenda programeve të ndryshme të bashkimit Evropian si Tempus, FP7, Erasmus dhe projekte të tjera kërkimore kombëtare dhe ndërkombëtare. Ka qenë profesor vizitues në më shumë universitete, midis të cilëve në Japoni – në Universitetin e Tokios për Agrikulturë dhe Teknologji, pranë Fakultetit të Shkencave Kompjuterike. Gjithashtu, si profesor vizitues ka qenë edhe në Qendrën “South East European Research Centre (SEERC)”, pranë Universiteti të Shefildit – City Universitetit, Selanik, Greqi, si dhe në Universitetin Politeknik të Tiranës, Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, etj. Ka të publikuar mbi 100 punime shkencore ndërkombëtare, ndër të cilat më shumë se 30 punime në revista ndërkombëtare – në disa Revista me ISI ëeb të faktorit të impaktit të Shkencës. Gjithashtu ka të publikuar shtatë libra midis të cilëve një libër në gjuhën angleze dhe i publikuar në Angli, dhe i cili edhe shitet në shitoren online Amazon. Ka qenë në Komitetin shkencor në më tepër konferenca ndërkombëtare si dhe udheheqës (chair) i disa sesioneve të konferencave si Ed-Media 2008 në Vjenë të Austris, ITI IEEE 2009-2013, në Cavtat të Kroacisë… Po ashtu është edhe recensues i punimeve shkencore në ACM që nga viti 2009. Gjithashtu ka qenë edhe zëvendëskryetar i Bordit të akreditimit dhe evualimit të arsimit të lartë në Maqedoni.
KOHA: Prorektor, Universiteti “Nëna Terezë” në Shkup patjetër që ishte një nevojë imediate. Jo vetëm për faktin që kryeqyteti s’ kishte asnjë universiteti, kurse “provinca” i kishte dy, por edhe për faktin tjetër, atë thelbësorin, se këtu jeton një numër i madh i shqiptarëve (bashkë me Kumanovën dhe Luginën e Preshevës). Gjithashtu, nuk duhet anashkaluar edhe gjendja jo e volitshme e arsimimit të kësaj ane, e cila është pasojë e politikave diskriminuese të pushteteve që vanë. Ç’do t’i shtonit këtij konstatimi, apo me çka do ta kontestonit?
FETAJI: Fakti se në kryeqendër jeton një numër i madh i shqiptarëve dhe gjendja jo e volitshme e arsimimit të kësaj ane, ishte një çështje dhe nevojë, “një amanet” që duhej zgjedhur dhe besojmë se Universiteti “Nënë Tereza” me kohë do fillojë të tregojë rezultatet e veta pozitive. Arsimimi është me kosto të ulët, kështu që mundësi të barabarta janë krijuar për të gjithë, madje edhe për ato me pak të ardhura financiare, të mund të studiojnë dhe të edukohen në mënyre cilësore. Themelimi i një tempulli të dijes siç është Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup, që mban emrin e humanistes dhe shenjtores shqiptare, Nënës Terezë, e cila merret me edukimin e gjeneratave të reja të shekullit të ri, jo vetëm që do të përmbushë një amanet të kahershëm, por edhe do të shfrytëzojë kushtet më të favorshme që i ofron kryeqendra me resurset, qasjet ndaj industrisë dhe teknologjive të reja, si dhe frymën e gjerë të një metropoli dhe me këtë të krijojë një vlerë të shtuar, një qasje të re të fuqizimit të edukimit duke shfrytëzuar këto përparësi.
Koha në të cilën jetojmë është koha e një zhvillimi të hovshëm teknologjik, e cila ka implikacion të fuqishëm në të gjitha sferat e jetesës, sidomos te edukimi, informimi dhe komunikimi masiv. Universitetet sot po hyn në botën e gjerë të teknologjisë të arsimit, pasi kjo po bëhet gjithnjë e më e domosdoshme në botën e sotme. Kreativiteti dhe inovacioni janë thelbësore për një arsim cilësor dhe ne fokusohemi në inkorporimin e tyre në procesin arsimor. Për më tepër, informacioni dhe sistemet e komunikimit kanë shpërthyer jashtë dimensionit lokal dhe domosdoshmëria për të punuar me kultura dhe komunitete të ndryshme ndërkombëtare dhe kombëtare – për të trajtuar qasje të ndryshme shkencore në zgjidhjen e problemeve dhe për të rritur nivelin e arsimit, kreativitetin dhe inovacionet – janë bërë të patjetërsueshme.
KOHA: Me vetë hapjen e këtij tempulli të dijes, u ngrit mjaft pluhur rreth nevojës për hapjen e tij, por edhe për pranimin e kuadrit, i cili në masë të madhe vinte nga radhët e partisë në pushtet, qoftë nga udhëheqësit e mëparshëm, qoftë nga aktualët. Pastaj, dorën në zemër, u pranuan edhe fëmijë miqsh e kolegësh partiakë. Mos është ky perceptim i gabueshëm? Nëse këtu ka të vërtetë, si do ta zhdavaritnit këtë mjegullnajë?
FETAJI: Themelimi i Universitetit duhej të bëhej adekuat sipas kushteve dhe ligjeve të Maqedonisë. Ne procesin e themelimit u krijuan Komisionet amë, të cilët sipas Ligjit, duhej të kalojnë dhe votohen në Parlamentin e shtetit. Komisionet amë në përbërjen e tyre kishin profesorë aktual më me eksperiencë dhe midis të cilëve edhe nga një përfaqësues nga universitetet ndërkombëtare, domethënë jashtë Maqedonisë. Dhe pasi kaluan Komisionet amë në Parlament, ato ishin përgjegjës për hapjen e konkurseve dhe pranimin e kuadrit. Puna e tyre nuk ishte aspak e lehtë dhe duke marrë parasysh të gjithë implikacionet, perceptimi im është se ato u munduan në mënyrë maksimale dhe arritën të bëjnë një punë të mirë profesionale. Sa i përket pranimit të kuadrove “fëmijë miqsh e kolegësh partiakë”, perceptimi im se kjo nuk ka qenë rasti dhe se çdokush që plotëson kushtet dhe kriteriumet ligjore ka mundur të konkurrojë, dhe pranohet dhe nuk duhet të hendikepojmë dhe diskriminohet dikush për kritere dhe kategori joligjore, vetëm se ka dikë familjar ose ish kolegë. Te kjo çështje duhet të jemi mjaft të kujdesshëm se tani vijmë në situata që dikush punon dhe studion dhe arrin suksese në fushën e vet profesionale me mundin e vet, mirëpo me vete faktin që mundet të ketë edhe ndonjë familjar tjetër, ose politikan, i cili gjithashtu është i suksesshëm që tani s’mundet të punon. A do të thotë kjo se atë të parin nuk guxojmë ta lëmë të konkurrojë dhe diskriminojmë e të mos lejohet të pranohet ose të punojë në atë fushë vetëm pse ka tjetër të suksesshëm në familjen e vet ose ka ndonjë të njohur? A do të thotë kjo që, nëse njëri në familje arrin suksese, atëherë të gjithë familjarët tjerë mos të merren, studiojnë dhe punojnë në këtë fushë që ka arritur familjari i parë? Sigurisht që jo. Shoqëria dhe sistemi shoqëror duhet të afrojë mundësi të barabarta të gjithëve, sidomos atyre që punojnë dhe e meritojnë dhe i plotësojnë të gjitha kushtet dhe kriteret sipas Ligjit. Nëse dikush edhe pranohet në mënyrë jo të rregullt dhe pa merita akademike dhe shkencore, ajo do të evidentohet me kohë dhe ekzistojnë mekanizma të ndryshëm përmes kritereve për thirrje akademike dhe të tjerë që mundet të përmirësojnë edhe këto lëshime eventuale në sistem.
KOHA: Fillimi ishte i vështirë, shumë e natyrshme. Por tani, si paraqitet situata në planin ekipor të kuadrit dhe me konsolidimin e programeve? Kur jemi këtu, ç’do na thoshit për zgjerimin e fakulteteve dhe programeve?
FETAJI: Ne jemi entuziastë dhe optimist të pamasë, por edhe jemi të vetëdijshëm se kemi shumë sfida. Por, me angazhimin tonë, me mbështetjen morale të të gjithë dashamirësve të arsimit dhe me mirëkuptim për të gjithë lëshimet eventuale fillestare, ne jemi të sigurt që do t´ia dalim të jemi në nivelin e detyrës të misionit tonë të përbashkët, të mundësojmë studime cilësore dhe ambient të ngrohtë dhe miqësor universitar, dhe ky tempull i dijes ne të ardhmen të jetë gurrthemeli ynë për krijimin e gjeneratave të reja që do të udhëheqin shoqërinë tone dhe do të na bëjnë krenar.
Sa i përket momentit, plan programet dhe fakultetet pranë UNT-së, pra Universiteti Nëna Terezë ngelin në 5 Fakultet që i kishte që në fillim mirëpo shtohen drejtime studimore dhe tanimë UNT-ja ka 21 drejtime studimore së bashku si ne ciklin e parë dhe atë të dytin. Të gjitha detajet me përshkrimet dhe plan programet e drejtimeve studimore mundet te gjinden në ëeb faqen e Universitetit ne ëëë.unt.edu.mk. Këtu do të përmendi vetëm drejtimet. Kështu në Fakultetin e Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës ka 3 drejtime studimore dhe atë: Arkitekture dhe Dizajn, Ndërtimtari dhe Konstruksion dhe Gjeodezi dhe Gjeoinformatikë. Ne Fakultetin e Shkencave të Informatikës ngelin 2 drejtimet fillestare: Informatika – programim dhe Informatika-Mësimdhënie. Ne Fakultetin e Shkencave Teknike janë drejtimet e Sistemeve Elektroenergjetike, Inxhineria Makinerike dhe Menaxhment, Inxhineria Ekonomike me 2 drejtimet – Ekonomia e zbatuar dhe Menaxhmenti Industrial, Mekatronika, Inxhineria për mbrotjen e ambientit të punës dhe jetesës. Fakulteti i Shkencave Teknologjike ka 2 drejtime dhe atë Inxhinieri e materialeve dhe nanoteknologjive dhe Teknologjinë Ushqimore. Fakulteti i Shkencave sociale ka drejtimet Pune dhe politikë sociale me nëndrejtimet: Punë Sociale dhe Gerontologji, Shkenca Politike me nëndrejtimet Studime Evropiane, Studime Ballkanike dhe Euroaziatike, Media dhe Komunikim ndërkulturor, Administrim publik dhe menaxhim i resurseve humane, Shkenca Sportive. Sa i përket zgjerimit të Fakulteteve dhe drejtimeve të reja studimore kisha dashur të ceki se kjo është një procedurë e gjerë, e cila ngërthen me tepër analiza duke u nisur nga analiza e tregut të punës, analizat dhe sugjerimet nga dhoma Ekonomike e Maqedonisë si dhe dhoma e inxhiniereve të Maqedonisë, të cilët në fakt ofrojnë certifikime profesionale në fushat përkatëse në varshmëri prej punëve praktike dhe projekteve reale të kompanive ne vend dhe jashtë. Çdo i diplomuar që të punon praktikisht duhet të merr edhe licencë profesionale nga këto dhoma dhe të njëjtët kanë informata reale për nevojat e punëdhënësve dhe trendet e zhvillimit që për momentin asnjë institucion tjetër nuk i ka. Këto informata së bashku me analizat e tregut të punës si dhe analizat e kaheve të zhvillimit të trendeve globale merren parasysh në hapjen e drejtimeve të reja me qëllim që të diplomuarit ti posedojnë ato shkathtësi, të cilët kërkohen ose do të kërkohen në të ardhmen dhe me këtë lehte do të gjejnë punë. Me një fjalë çdo drejtim i ri do të ofron edukim i orientuar në punësim.
KOHA: Lexojmë se po ballafaqohen edhe me hapësirat e përshtatshme. Kur pritet që UNT ta ketë shtëpinë e vet?
FETAJI: Për momentin, Universiteti “Nënë Tereza” zhvillon mësimin ne 3 objekte dhe atë në ndërtesën e mëparshme të Universiteti të Tetovës, në Shkup afër përmendores së Skënderbeut, në Hapësirat e UEJL-së, në Shkup si dhe në ndërtesën e sindikatave të Maqedonisë në qendër të Shkupit afër parlamentit. Këto hapësira janë të përshtatshme për vijimin e mësimit duke marrë parasysh se në disa objekte edhe deri tani ne mbi 10 vitet e fundit mësim kanë mbajtur 2 Universitetet e lartpërmendur.
Sa i përket kampusit të ri të Universitetit, duke u referuar në programin e qeverisë të publikuar në faqen zyrtare, thuhet se: “Qeveria do ta përfundojë ndërtimin e kompleksit universitar “Nënë Tereza”. Kjo le të kuptohet se objekti i këtij universiteti do të përfundojë brenda 3 viteve. Lidhur me këtë ngjarje ditë më parë në emisionin “Në Fokus” u prononcua edhe Rektori i UNT-së Prof. Dr. Aziz Pollozhani, i cili ndër të tjera u shpreh se sipas bisedave që ka pasur pret që në shtator-tetor të hidhet edhe gurë-themeli i objektit të universitetit, i cili me hapësirë gjendet përballë ambasadës së Amerikës.
Sa i përket kampusit të ri është me rëndësi të përmendet se ky do të jetë kampusi i parë në Maqedoni dhe në regjionin më të gjerë, i ndërtuar apostafat për nevojat specifike të çdo drejtimi mësimor dhe jo një ndërtesë e thjeshtë e cila pastaj riadaptohet për mësimdhënie siç kanë qenë rasti deri tani nëpër Universitetet. Për çdo drejtim studimor këshillat mësimor shkencorë te Fakulteteve kanë përcaktuar anëtarin e vet në grupin punues të Universitetit dhe i cili grup punues përcaktoi brenda një periudhe kohore prej mbi 2 muajsh kriteriumet dhe nevojat specifike të çdo fakulteti dhe drejtimi në veçanti sidomos specifikat laboratorike dhe ato hapësinore, si dhe përcaktimi i raportit të hapësirës me numrin e mësimdhënësve dhe studentëve që do të vijojnë mësimin sipas standardeve botërore dhe ne duke respektuar ligjet e Maqedonisë për këtë kategori të definuar në procedurat për akreditim. Në kriteriumet e definuara vlen të përmendet midis tjerave aspekti i akustikës, ku nuk guxon në klasë të dëgjohen zhurmat nga klasa tjetër dhe nga korridore por akustikisht duhet të jenë të izoluar dhe njeri mësimdhënës mos i pengon tjetrit gjatë ligjërimit siç ndodh tani nëpër shumë Universitete. Gjithashtu në aspekt teknik inkoporimi i teknologjive të reja, proektorëve WiFi, LCD televizorëve me “touch screen” në vend të projektorëve klasik, kabllove optik, etj. Gjithashtu kampusi është definuar ti plotëson edhe kushtet për kampus të gjelbërt (green campus) me të cilin do të shfrytëzohen ujërat e shiut dhe të njëjtët do të ripërdoren, çatia do të ketë fotoqelija të cilët do të akumulojnë nxehtësinë e dritës duke marrë parasysh se Shkupi ka shumë ditë me diell dhe e njëjta do të gjeneron rrymë elektrike, e cila do të përdoret për nevojat e Universitetit. Gjithashtu, krieteriumi tjetër parashikon që dizajni i ndërtesës të përfshin shumë hapësira të gjëra me dritare, me qëllim që së paku deri në ora 16h mos ketë nevojë të ndizen dritat. Pra nëse çdo gjë shkon sipas planifikimeve dhe parapërgatitjeve të realizuara do të kemi një kampus të sofistikuar te hapësira e të cilit është parashikuar që 70% të ngel hapësirë e gjelbër, në të cilën do të përfshihen edhe hapësira të gjelbërta, terrene sporti, dhe gazibo-hapësira në të cilët studentët do të mblidhen gjatë pushimeve të diskutojnë dhe pse jo të debatojnë siç edhe janë shfrytëzuar në të kaluarën në Universitet me prestigjioze të botës.
KOHA: Bashkëpunimi gjithsesi është një komponent i rëndësishëm në cilësinë e mbarëvajtjes së veprimtarisë suaj. Konkretisht me cilët universitete, brenda dhe jashtë vendit, keni lidhur marrëveshje bashkëpunimi? Aq më tepër kur ju jeni pa përvojën e mjaftueshme si institucion?
FETAJI: Bashkëpunimi është gjithsesi komponentë më e rëndësishme dhe këtu duhet potencuar sidomos me Universitet tjera në gjuhën Shqipe. Bashkëpunimi përfshin moduse të ndryshme duke filluar nga mobiliteti i stafit akademik, d.m.th ndihma njëri tjetrit me kuadrot mësimorë, pastaj mobiliteti i studentëve duke mundësuar kështu edhe plotësimin e një prej kushteve esenciale të Bolonjës, pastaj bashkëpunimin në konkurrim në projektet e ndryshme shkencore dhe ato industriale, te bashkimit evropian dhe projekteve rajonale ku kërkohet që çdo Universitet të jetë pjesë e ndonjë rrjeti të Universiteteve lokale dhe ndërkombëtare. Lista e marrëveshjeve të bashkëpunimit që ka lidhur Universiteti “Nena Terezë” që tani eshte mjaft e madhe. Ne këtë aspekt Universiteti “Nënë Tereza” ka lidhur bashkëpunim me shumicën e Universiteteve shqipfolëse sidomos Universiteteve te Kosovës dhe Shqipërisë dhe sidomos ato të vendit, Universitetin e Evropës Juglindore dhe Universitetin e Tetovës-në të cilët gjatë tërë kohës edhe i kanë ndihmuar Universiteti “Nënë Tereza” ne aspekte të ndryshme si duke i afruar hapësirat e veta mësimore ashtu edhe duke i ofruar ndihmë në konsolidimin e kuadrit. Gjithashtu UNT-ja ka lidhur bashkëpunim edhe me Universitetin e Shtipit dhe atë të Manastirit, të cilët edhe i kanë huazuar edhe shumë softuere të tyre për menaxhimin e serviseve studentore dhe ato organizative, sidomos këtu vlen të përmendet e-indeksi i Universiteti të Shtipit, i cili tanimë është përkthyer edhe në gjuhën shqipe, dhe prej këtij viti akademik të ri do të përdoret në UNT. Gjithashtu, Universiteti “Nënë Tereza” ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me shume Universitete te Turqisë dhe në vijim janë diskutime në lidhje me bashkëpunime të reja me Universitete tjera te Evropës dhe te Shteteve te Bashkuar të Amerikës. Universiteti “Nënë Tereza” në planin e vet strategjik e ka të parashikuar qe 4 vitet e para të krijon një rrjet të gjerë rajonale dhe ndërkombëtare dhe sidomos për këtë qëllim trajnon stafin vet, dhe kërkon nga çdo anëtar i stafit të konkurron ne programin www.cost.eu të bashkimit evropian, program ky i cili mundëson krijimin e rrjeteve të shkencëtareve nëpër fusha të ndryshme duke bashkëpunuar në krijime të ideve të përbashkëta për projekte hulumtuese shkencore.
KOHA: Me ç’sy e shohin punën tuaj dy universitetet e Tetovës?
FETAJI: Të dy Universitetet shqipfolëse Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti i Tetovës gjatë tërë kohës i kanë ndihmuar Universiteti “Nënë Tereza” ne aspekte të ndryshme. Ne për këtë jemi mirënjohës dhe shfrytëzoj rastin në emrin tim dhe të UNT-së t’u faleminderohem për përkrahjen dhe ndihmat që kanë ofruar. Sidomos vlerësojmë këshillat për qasjet e ndryshme dhe problemet qe duhet evituar dhe mos ti përsërisim. Këto dy Universitete kanë vendin e vet me rëndësi dhe kanë kontribuar në edukimin e gjeneratave të reja Shqiptare sidomos në kohën kur Kosova dhe Shqipëria kalonin nëpër një krizë të sistemeve të edukimit dhe këtu duhet përmendur edhe puna e madhe që kanë realizuar në këtë aspekt.
KOHA: Gjatë studimeve, por edhe detyra e punës ju ka dërguar në Shqipëri, Serbi, Greqi, Angli, Austri, Japoni, etj. Cila është përvoja juaj dhe cili është thelbi i funksionimit të sistemit arsimor, në këto shtete?
FETAJI: Po unë studimet kam vijuar dhe mbaruar ne Angli në vitin 2003 dhe 2004. Saktësisht ne Universitetin Oxford Brookes, në Oxford, studimet e Magjistraturës në shkencat kompjuterike. Sistemi i edukimit ne Angli është ndryshe dhe në vend se në semestra zhvillohej në terme dhe brenda një viti akademik ka 4 terme, ose siç u referohemi ne 4 semestra. Lëndëve u referohen si module dhe ka parakushte te caktuar për të hyrë ose zgjedhur disa lëndë studimi. Studimet modulare të tilla si sistem edukimi kanë një përparësi për shkak se në fund përmes lëndëve zgjedhore studenti përcakton ekspertizën e vet duke zgjedhur lëndët përkatëse në termet/semestrat përkatës. Domethënë nëse në fillim ai zgjedh një lëndë zgjedhore atëherë mundet ti vijon dhe zgjedh vetëm lëndët modulare që janë në atë vijë dhe që në fund mbarojnë në 2 drejtime (ekspertiza) të përafërta dhe më vonë ngushtohen në vetëm një një ekspertize.
Kam qenë edhe në shtetet e bashkuar të Amerikës përkatësisht përmes një bashkëpunimi me Universitetin e Indianës dhe Purdues në Indianapolis (IUPUI) përfunduam një kurs online dhe me vonë edhe vizituam kampusin dhe vijuam edhe disa ligjërata atje në suaza të marrëveshjes që kishte Universiteti i Evropës Juglindore me IUPUI. Në SHBA sistemi i edukimit kishte disa specifika të veta jo vetëm në sistemet e krediteve të cilët sipas meje ishin më mirë te definuar se ato në Evropë sipas Bolonjës, por edhe fakti që afrohej sistemi i edukimit i bazuar në “mayor/minor” që më së miri e kisha përkthyer si studime “primare/sekundare”. Këtu në princip studentët 2/3 e kohës studionin fushën primare të tyre ndërsa 1/3 e kohës studionin fushën sekondare që kanë mundësi ta zgjedhin dhe kjo u jepte një qasje në aspekte të shumta me rendësi multidisciplinare, e cila mjaftë vlerësohej në SHBA. Për shembull mundësohej të studionte Informatikën si primare dhe Mjekësinë si sekondare dhe në fund merr diplomën e Bio- Informatikës që nënkupton informatikan (shkenca kompjuterike) i cili ka shkathtësi në aplikimin e informatikës ne mjekësi, drejtim ky që me sukses i ngërthente të dy drejtimet. Mirëpo mundej të ndodhe edhe e kundërta primare të ketë Mjekësinë dhe sekondare t’i zgjedh Informatikën. Me këtë rast ai merr diplomën “Clinical Informatics” (Informatika Klinike) dhe konsiderohet si Mjek, i cili ka shkathtësi informatike specifike (shembull mundet të operon pacientet duke përdorur sistem softuerik specifik) Derisa në Austri ku isha në studimet e doktoratures në vitin 2004-2008, saktësisht ne Universitetin Teknik në Grac, Fakultetin e Shkencave Kompjuterike, sistemi i edukimit ishte ndryshe dhe sipas Bolonjës. Këtu kushtohej një dallim i veçantë disa kategorive siç janë provimet, projektet praktike dhe hulumtimit shkencorë të cilët ishin të inkorporuar thellë në sistemin e edukimit. Një gërshetim i tillë dhe kontaktet e shumta me industrinë për të realizuar pjesën praktike dhe angazhimi i studentëve në projekte hulumtuese të shumta të Universitetit për të mësuar dhe vlerësuar hulumtimi përmes punimeve shkencore që kanë realizuar ishte një model mjaft i mirë dhe njëkohësisht mjaft sfidues. Gjatë vitit 2009, një muaji isha si Profesor vizitues në studimet e Magjistraturës në Japoni, pranë Universitetit të Tokios për Agrikulturë dhe Teknologji, Fakultetin e Shkencave Kompjuterike. Këtu sistemi i edukimit ishte paksa ndryshe nga ajo në Evropë dhe viti shkollor fillonte ne Prill dhe mbaronte vitin tjetër ne Mars. Sistemi i edukimit dhe plan programet e studimit ishin të dirigjuar nga Ministria e Arsimit dhe Universitetet vetëm i aplikonin ato. Sistemi i edukimit përfshinte pjesën praktikë që duhej të realizonte përmes internshipit në industri dhe kompani të ndryshme dhe pjesën akademike në ligjërata dhe ushtrime. Nga këndvështrimi im praktik këtu nga studenti pritej e tërë iniciativa dhe kreativiteti dhe kërkohej që të punon në grupe të punës dhe pjesën praktike ta realizon në ndonjë industri ose kompani dhe vlerësimin e bënte vet kompania ose industria ku ka dhënë kontributin e tij. Kjo do të kishte qenë një vështrim i shkurtër i krahasimit të sistemeve të edukimit nga eksperiencat e mia.
KOHA: Nëse ne do të bënim të gjitha gjërat të cilat jemi të aftë t’i bëjmë, do të mahnitim veten me kuptimin e plotë të fjalës?
FETAJI: Jam i mendimit se në jetë ne kemi aq kohë dhe fuqi sa të mbarojmë vetëm disa gjëra që do ti përcaktojmë më me rendësi dhe nuk duhet të zgjerohemi në shumë aspekte por të zgjedhim dhe fokusohemi ne disa qëllime konkrete, se edhe kohën që e kemi në disponim kalon shpejtë, sidomos duke u munduar të mbajmë një balans në relacionin punë-familje, gjë e cila sipas meje është mjaft rëndë të balancohet, sidomos në kushtet tona shoqërore aktuale ne Maqedoni.
KOHA: Të udhëheqësh familjen më mirë, apo një institucion arsimor?
FETAJI: Në praktikë shpesh të imponuar nga dinamika e jetës dhe vëllimi i madh i punëve harrojmë dhe më së tepërmi i kushtojmë vëmendje punës, dhe në rastin tim më shumë vëmendje i kam kushtuar institucionit arsimor ku jam, Universitetit “Nënë Tereza”. Të udhëheqësh me familjen e konsideroj të shenjtë dhe një nder. Udhëheqja e një institucioni arsimor normalisht si edhe në familje është punë ekipore mirëpo mjaft më sfiduese në aspekte të ndryshme dhe kërkon koordinim më të madh në mes një grupi më të gjerë njerëzish si drejtoreve të administratës, dekaneve, prorektoreve dhe rektorit. Udhëqehja e institucioneve arsimore shpesh në vete nënkupton edhe sfida të dimensioneve të ndryshme për shkak vëllimit, multidisciplinaritetit dhe dinamikës së punëve dhe një numrit të madh të njerëzve të kyçur në proces dhe në fund për çdo punë të kryer me mjaft mund jo çdo herë do të kesh përkrahjen dhe faleminderimin e të tjerëve. Por ka satisfaksionin e vet kur kryen një punë me sukses dhe sidomos kur për këtë merr edhe përgëzimin nga kolegët, respektin dhe vlerësimin pozitiv. Duke vënë së bashku “Familjen” dhe “punën” është me të vërtetë një sfidë që ia vlen për të reflektuar mbi mënyrën tonë të jetës, vlerat që na shoqërojnë në jetën e përditshme, dhe balancimit të të cilëve duhet dhënë kujdes i veçantë.