Në organizim të Këshillit Rinor dhe me mbështetje financiare të Komunës së Gostivarit, u mbajt manifestimi letrar “Dita e Poezisë Shqipe”, që organizohet me rastin e 9 vjetorit të pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe në përkujtim të 49 vjetorit të ndarjes nga jeta të poetit dhe atdhetarit Sefer Selimi.
Pas intonimit të himnit kombëtar dhe hapjes së manifestimit, të pranishmit i përshëndeti shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës, Bashkim Hasani.
“Manifestimi ka edhe dy simbolika shumë të çmueshme, shënojmë përvjetorin e pavarësisë së Kosovës dhe po ashtu përkujtojmë jetën dhe veprën e veprimtarit Sefer Selimi. Data e pavarësimit të Kosovës është një datë jashtëzakonisht e rëndësishme për faktin se pas një beteje 100 vjeçare të popullit të Kosovës, me sukses u kurorëzua me formimin e shtetit më të ri në Evropë, Republikën e Kosovës.
Edhe përkujtimi i jetës dhe veprës së veprimtarit Sefer Selimi ka një rëndësi të veçantë, sepse gjeneratave të reja ua mësojmë sakrificën për arsimim, edukim dhe mbi gjitha sakrificën për lirinë e popullit shqiptar. Vepra e tij, ishte më tepër se një sakrificë e një jete të tërë për lirinë dhe të ardhmen më të mirë të popullit tonë”, tha Hasani, duke shtuar që: “Duke i pas para sysh këto vlera që i bart ky manifestim kulturor dhe letrar, Komuna e Gostivarit me në krye kryetarin Nevzat Bejta nga momentet e para i ka dhënë përkrahje të gjithanshme këtij manifestimi. Përkrahja e jonë nuk do të mungon edhe në të ardhme”.
Në emër të Këshillit Rinor, fjalë rasti mbajti Mevlana Elezi, ndërkaq, në nder të jetës dhe veprës së poetit të madh kombëtar, Dritëro Agolli, poezi të përzgjedhura nga ai, në skenë i solli studentja e aktrimit, Ajshe Useini.
Para pjesës konkurruese të poetëve garues, u paraqit edhe video dokumentari dedikuar jetës dhe veprës së veprimtarit të shquar gostivaras, Sefer Selimi, pas çka pasoi paraqitja me poezi e fitueses së edicionit të vitit te kaluar, Kaltrina Sadiku.
Juria profesionale në përbërje: Lulëzim Haziri, Lindita Ahmeti dhe Vjollcë Berisha, pas prezantimit të poezive nga poetët e rinj pjesëmarrës, dhanë verdiktin e tyre për tre poezitë e përzgjedhura si më të mira.
Vendi i parë i takoi poeteshës së re, Blerona Braho, vendi i dytë Vlora Demirit dhe vendi i tretë Abdilkadër Selimit. Krahas ndarjes së çmimit “Sefer Selimi”, për tre fituesit e parë, mirënjohje për pjesëmarrje morën të gjithë pjesëmarrësit e natës finale.
Në fjalimin e saj në emër të jurisë, poetesha dhe profesoresha Vjollcë Berisha fillimisht foli mbi rëndësinë e manifestimit, duke shtuar që momenti i parë simbolik është nderimi që i bëhet pavarësisë së Kosovës, dhe së dyti, me organizimin e këtij manifestimi po bëhet një punë e mirë dhe që shërben si motiv ogurmirë për talentet e rinj të poezisë shqipe.
Berisha nënvizoi që Gostivari i ka dhënë shumë kulturës shqiptare, ndërsa duke folur për poezitë e mbi 50 garuesve të edicionit të sivjetshëm, vuri në dukje që kishte poezi jashtëzakonisht të bukura.
“Ka shpresë letërsia e Shqipërisë Lindore”, vijoj tutje Berisha.
Gjatë prezantimit të poezive dhe për pjesën artistike të manifestimit, u kujdesën Leutrim Aliji në piano dhe Faton Stafaj në kitarë, thuhet në kumtesën e komunës së Gostivarit.