Evis HALILI
Shkup, 17 mars – Manifestimet e promovimeve të librave po kthehen në tribuna të propagandimit me tone të theksuara nacionaliste, shkruan gazeta KOHA. Mbrojtja e identitetit maqedonas, emrit, kufijve territorialë…., janë kryefjala e fjalimeve të rastit të përfaqësuesve të kulturës, letrave, historianëve.., e të tjerë. Kështu ndodhi edhe gjatë promovimit të veprave të reja të edicionit “Tundimet maqedonase”, projekt kapital që prej disa vitesh financohet nga Qeveria. Të cilësuara si të një rëndësie të posaçme, të mërkurën në mbrëmje në Portën Maqedonia janë promovuar katër veprat e reja që gjithsej përfshijnë 50 botime, “Shenjtorët Kiril dhe Metodija”, “Pero Toshev”, “Damjan Gruev” dhe “Kapedanët më të famshëm maqedonas”. Në promovimin e parë që është zhvilluar po në Portën Maqedonia kanë qenë të pranishëm edhe ish kryeministri Gruevski, kreu i MK, e të tjerë, por fjalimet e tyre kanë qenë shumë larg gjuhës së përdorur dy vjet më pas. Urtësia e të parëve tanë na tregon se popujt që nuk e respektojnë dhe nuk mësojnë nga historia e tyre, jetojnë me rrezikun që ajo t’ju përsëritet. Kështu ka deklaruar ndër të tjera kreu i Ministrisë së Kulturës, Elizabeta Kançeska – Mileska, duke shtuar se tentativat për kontestimin e autenticitetin e mendimit historik maqedonas bashkëkohor asnjëherë nuk kanë reshtur.
“Madje edhe sot, ne ballafaqohemi me përpjekje subtile, por edhe pa dorashka për problematizimin e ekzistencës maqedonase në këto troje, në prizmin e përpjekjeve për ridefinime të reja politike të Ballkanit dhe më gjerë. Që këndejmi edhe ky edicion është një mbështetje që i jepet bazamentit të së vërtetës historike të maqedonasve – besnikë të vetvetes, me qëndrim të shprehur artë, interes dhe dëshirë për bashkëpunim me popujt e tjerë…”, ka thënë ndër të tjera Mileska. Ministrja i ka sugjeruar konsumatorëve të librave, por edhe të dokumentarëve që shoqërojnë këto vepra që gjatë leximit do të kenë mundësi që në mënyrë objektive të përballen me të kaluarën duke e parë me më shumë realitet edhe kompleksitetin e të tanishmes si shtet. Ndërsa një prej promotorëve, historiani Vanço Gjorgjiev ndër të tjera deklaroi se këto projekte që po realizohen nga Qeveria s’janë ndonjë gjë e jashtëzakonshme në krahasim me atë që bëjnë popujt e tjerë, madje Maqedonia është shumë pas. Ky projekt, sipas tij nuk është përgjigje e ideve anakronike të shekullit të kaluar, por është kontributi më i vogël që mund të jepet për të mbrojtur identitetin.
“Jemi dëshmitarë se kohët e fundit gjithnjë e më shpesh na tërhiqet vërejtja se jemi bërë robër të së kaluarës, se nuk shohim drejt të ardhmes. Ndërkohë kur vazhdimisht dëgjojmë deklarata politike nga të gjitha anët të cilat i thonë – stop maqedonizmës, në të cilat kontestohet gjuha jonë, ndonjëherë edhe karakteri kulturor, nacional e mbi të gjitha edhe ai shtet-formues dhe e drejta për shtetin tonë”, ka thënë ndër të tjera Gjorgjiev. Promovimi i parë i “Tundimeve maqedonase” u bë në vitin 2014. Dhe deri tani asnjë personalitet shqiptar ende s’ka hyrë në këtë projekt, veprat e të cilit janë përdorur si skenarë për realizimin e një cikli dokumentarësh nga Radio Televizioni Publik. Veprat e para i janë dedikuar jetës së Goce Dellçevit, Risto Shishkovit, Todor Aleksandrovit, Vasil Çakalarovit si dhe Luftërave Ballkanike. Në hartimin e projektit kanë marrë pjesë studiues të njohur nga sfera të ndryshme, dhe deri në përfundimin e tij parashikohet botimi i 25 publikimeve ekskluzive, të shoqëruara edhe me filma dokumentarë.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.