Ky është makthi i çdo qeverie: Luftëtarë armiq, të cilët janë “të fjetur”, por presin vetëm të marrin komandën nga vendi për të cilin punojnë, për të nisur sabotimet dhe provokimet. A nuk është kjo një histori që shfaqet e rishfaqet në Shqipëri, sa herë ka trazira e probleme? Por ky makth nuk është një trillim, por realitet. Kështu shkruan e përditshmja më e madhe gjermane, Bild, e cila thotë se presidenti rus, Vladimir Putin ka në Gjermani një ‘trupë të fshehtë’ me agjentë. Të njëjtën gjë e ka edhe në vende të tjera perëndimore. Autori i njohur dhe biografi i Putin-it, Boris Reitschuster thotë se ka informacione për këtë. Në librin e tij, “Lufta e fshehtë e Putinit”, ai shkruan se shefi i Kremlinit ka qasje direkte në një rrjet elitar luftarak në Perëndim. Ata stërviten në shkolla të sporteve luftarake sipas modelit rus ‘Systema’. Qëllimi: të mësojnë teknikat e dyluftimit dhe vrasjes së kundërshtarit. Në këto shkolla ata trajnohen si sportistë normalë, por në sfond të tyre qëndron inteligjenca ushtarake ruse, GRU. Për autorin, një gjë është e sigurt: Këto trupa janë një shtyllë e rëndësishme në luftën e Putinit kundër Perëndimit. Shërbimet sekrete perëndimore kanë identifikuar vetëm vitin e shkuar 300 persona të kësaj strukture në Gjermani. Mes tyre janë ushtarë, policë, nëpunës gjykatash e madje edhe komando e pjesëtarë të inteligjencës. Ata mbajnë lidhje me grupimet kozake dhe bandat ruse të rock-ut. Objektivat e operacionit “Systema”, në bazë të analizës së inteligjencës perëndimore, janë:
- Shkaktimi i trazirave dhe pasigurive në zonat e synuara.
- Shumimi i trupës së tyre.
- Rekrutimi i elitës së ardhshme.
- Shtrembërimi i proceseve politike dhe sociale në zonat e synuara.
- Përcjellja e ideve jo-demokratike.