Me rastin e botimit të trilogjisë së profesorit Avni Dehari, “Gjergjat në drita përkrenaresh“, mërgata shqiptare në bashkëpunim me LAPSH-in kanë organizuar promovimin e kësaj vepre në tetë qytete të Zvicrës, shkruan albinfo.ch.
Vepra e autorit Dehari, vjen jo rastësisht në Zvicër, në muajin mars, në mesin e bashkatdhetarëve, që ndryshe, sivjet, shënon 20 vjetorin e epopesë së lavdishme të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosoves, nga ku dhe vetë autori ka jetuar e vepruar para se të kthehej në Kosovë.
Trlogjia „Gjergjat në drita përkrenaresh“ ka zgjuar një interesim të jashtëzakonshëm në mesin e lexueseve dhe lexuesëe të diasporës shqiptare në Zvicër.
Kështu, në St. Gallen, si asnjëherë më parë, vinin bashkatdhetarë të shumtë, varg e varg, për ta ndjekur nga afër prezantimin e trilogjisë „Gjergjat në drita përkrenaresh“, botuar dhe promovuar nga shtëpia botuese „Orfeu“, në Prishtinë, me vetëm 500 ekzemplarë, në janar të këtij viti.
Shoqata „Mëmëdheu“, e cila ishte bartëse e prezantimit të librit në St. Gallen, me sekretarin Agush Buja dhe poetin Isuf Sherfi i bëri një prezantim trologjisë së autorit Dehari, i cili gjatë kohës sa ka jetuar në Zvicër, ka qenë anëtar i kesaj shoqate me të shoqen Xhemilen, fëmijët Arbnorin, Astritin dhe Albanën.
„Brenda një periudhe një-javore po bëhen tetë prezantime. Ka filluar në Gjenevë, ka vazhduar në Bernë e Rapperswil-Jona, në Kreuzlingen, sot në St. Gallen, nesër në Wil dhe Flums dhe pasnesër e mbyllim në Lozanë“, tha Buja.
Kjo vepër përbëhet nga 46 nëntituj, secili prej të cilëve një njësi metodike, e kjo është një ndihmesë e çmuar për mësuesit e historisë dhe të letërsisë për shpjegimin e zhvillimeve të periudhës historike në fjalë.
Përveç shpjegimeve të kësaj periudhe të lavdishme të popullit tonë dhe heronjtë e saj, autori përcjell një mesazh të fortë të lexuesit e rinj dhe të tjerë. Ky mesazh na vjen përmes dialogut të tij me nipin e tij Hamzain.
Botimi i kësaj vepre në këtë përvjetor të madh të historisë sonë, është vlerësuar si vepra më e mirë e realizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës. Çmimi vjetor për letërsi „Vehbi Kika“, për veprën më të mirë letrare për fëmijë të botuar brenda vitit 2017, iu nda autorit Avni Dehari për veprën „Flakadanët e Lirisë“.
Titulli i trilogjisë „Gjergjat në drita Përkrenaresh“, sipas autorit Avni Dehari ka ardhur duke u bazuar në një fragment ku bëhet fjalë për rrethimin e Krujës ku Gjergji herë pas here natën sulmonte kampin e Sulltanit. „Meqë përkrenarja e tij ishte bërë tmerr për pushtuesit, një ditë një nga bashkëluftetarët e tij i propozon që të bëjnë shumë përkrenare të tilla, t`i vejnë në kokë dhe ta befasojnë armikun i cili vazhdimisht shihte një Gjergj me përkrenare nën dritën e hënës dhe dritën e flakës së kampeve të tyre që digjeshin, te shihnin edhe Gjergja të tjerë“, kjo ishte arsye pse kam zgjedhur këtë titull për trilogjinë, u shpreh Dehari i cili dha shpjegime shtesë. „Libri i parë „Dragoi“ bën fjalë nga lindja gjer në ditën kur dorëzohet peng te sulltani. Libri i dytë mban titullin „Udhëkryqi” që përshinë jetën dhe veprën e Gjergjit në Adrinopojë dhe libri i tretë „Flakadanët e Lirisë“, përfshin jetën dhe të bëmat e Gjergjit që nga kthimi prej Nishit e deri në ditën e vdekjes së tij në Lezhë“.