Delvina KËRLUKU
NEBI HOXHA u lind në Shkup. Ka diplomuar për elektro-inxhinier. Rrjedh prej një familje esnafesh, që merret me përpunimin e stolive që nga viti 1965. Pas diplomimit u kthye për të vazhduar traditën e biznesit familjar. Si menaxher i kompanisë artizanale Smaragd, e zhvilloi nga një kompani familjare lokale në një kompani ndërkombëtare. Që nga viti 2003 është themelues dhe pronar i Kolegjit Amerikan në Prishtinë, ASK (American school of Kosovo). ASK është arsimim K-12 (i sistemit të arsimit amerikan), i akredituar në Uashington. ASK është i njohur si një nga shkollat më prestigjioze në Kosovë dhe më gjerë. Që nga viti 2006 është në partneritet me fabrikën e drurit “Tefik Çanga”, që merret me ristrukturimin dhe zhvillimin e prodhimit në tre fabrika: Divani, Deko dhe Tedes Contract, të gjitha në fushën e mobilieve dhe interierit. Përveç që merret me prodhimtari, Nebi Hoxha njihet si themelues dhe i Kompanisë “Rubin Invest”, me fushëveprimi ndërtimtari. Që nga viti 2006 ka ndërtuar mbi dhjetëra objekte afariste. Të gjitha këto kompani janë pjesë e grupit “OXA-Group”, ku kryesisht të gjitha janë kompani familjare. Në të njëjtën kohë, përveç në sektorin privat, ka qenë aktiv edhe në sektorin jo-qeveritar, si anëtar i Bordit të Shoqatës Esnafët, anëtar i Bordit të drejtorëve të fondacionit për bursa për shqiptarët, kryetar i Shoqatës Ballkanike të Artarëve, katër vjet në Bordin Drejtues të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore dhe tani më 18 muaj në cilësinë e Kryetarit të OEMVP-së.
KOHA: Z.Hoxha, jeni kryetar i Odës Ekonomike Veri –Perëndimore në Maqedoni. Udhëhiqni biznese familjare, keni ushtruar edhe shumë pozita të tjera, ndërsa me profesion jeni inxhinier i elektronikës. Si arrini t’i koordinoni të gjitha këto profesione?
HOXHA: Kur njeriu i bën punët me dëshirë, ka kohë për gjithçka. Në jetën time që nga fëmijëria, kam qenë çdoherë i angazhuar në aktivitete të ndryshme jashtë profesionit. Mendoj që çdo individ duhet të jep një kontribut vullnetar si në aspekt human, kulturor apo social. Për t’i arritur të gjitha këto, mjafton të kesh përkrahje dhe punët lëvizin përpara. Në rastin tim, kam përkrahjen e familjes dhe një staf të mrekullueshëm. Kuptohet, këtu është edhe Bordi i Odës, ku kemi raporte shumë korrekte dhe një atmosfere pozitive.
KOHA: Si Kryetar i OEMVP, si arrini të bëni organizimin, avancimin, mbrojtjen e interesave dhe promovimin e bizneseve në vend dhe jashtë, përkrah sfidave të konkurrencës globale?
HOXHA: Të bësh biznes, do të thotë të ballafaqohesh me sfida të llojeve të ndryshme si në aspekt të konkurrencës, po ashtu edhe në drejtim të realizimit të objektivave. Prandaj, këta afaristë kanë nevojë për një mbështetje dhe promovim nga një institucion si OEMVP. Ne ju mundësojmë një mbështetje të sigurt dhe ngremë vlerat e tyre, duke ju ofruar shërbime të ndryshme dhe duke i informuar për çdo gjë që ka të bëje me biznesin. Organizojmë konferenca, panaire, forume ekonomike, takime B2B, në bashkëpunim me odat tjera ekonomike në vend dhe jashtë. Me një fjalë, ne ua hapim dyert e Botës.
KOHA: Reformat ekonomike në Maqedoni që kanë ndodhur në dhjetëvjeçarin e fundit, janë pozitive apo negative dhe cilat janë impaktet që kanë pasur në pjesën e biznesit, pra të ekonomisë në përgjithësi në Maqedoni?
HOXHA: Që nga pavarësimi i Republikës së Maqedonisë, ekonomia e vendit ka pësuar transformime të shumta, duke kaluar nga ekonomia e planifikuar në atë të lirë. Posaçërisht, në këtë periudhë dhjetëvjeçare janë krijuar politika të cilat në aspekt formal janë pro-biznesit, mirëpo në aspekt praktik efektet e tyre janë selektive ose të mangëta. Nuk duhet anashkaluar efektet pozitive të tatimit të sheshtë në fitim. Politikat ekspansioniste, të cilat do të duhej të sillnin rritje ekonomike, nuk e dhanë rezultatin e duhur, pasi që mjetet buxhetore u shpenzuan për politika sociale dhe investime kapitale të cilat nuk sjellin benefite për ekonominë.
KOHA: Ekonomia e Maqedonisë duket disi e pasigurt. Rimëkëmbja është e ngadaltë. Sa ndikojnë “luhatjet”, sidomos politike, në ekonomin e vendit. Pra, cili është cikli i jetës së ekonomisë të vendit tonë?
HOXHA: Ekonomia dhe politika nuk mund të ndahen pasi që janë procese komplementare. Kjo e fundit e definon mjedisin e të bërit biznes, ndërsa e para paraqet lokomotivën e zhvillimit të vendit dhe ngritjen e standardit jetësor. Në Maqedoni, si pasojë e krizave të shpeshta politike, është shumë e vështirë që të përcaktohet cikli i jetës së ekonomisë.
KOHA: OEMVP si lider në përfaqësimin e interesave të bizneseve tenton në krijimin e mjedisit të përshtatshëm për zhvillim. Sa është i zgjeruar tregu i bizneseve shqiptare në Maqedoni?
HOXHA: OEMVP paraqet organizatën e vetme të organizuar që artikulohen interesat e biznesit në mënyre konsistente, koherente dhe transparente. OEMVP këtë status e ka dëshmuar që nga themelimi i saj e deri më sot kur realizon takimet me partitë politike për platformat ekonomike. Përveç lobimit dhe avokimit të interesave të biznesit, OEMVP ofron edhe masa konkrete për tejkalimin e problemeve eventuale që has biznesi. Tregu i bizneseve shqiptarë në Maqedoni është i shtrirë pothuajse në pjesën më të madhe të sektorëve, por gjithmonë në saje të shpirtit sipërmarrës dhe pa asnjë ndihmë nga shteti. Prandaj, Ju mund të shihni kompani shqiptare në mesin e TOP 100 kompanive më të mëdha në vend.
KOHA: Ka një numër të vogël të bizneseve shqiptare që zënë treg të konsiderueshëm jo vetëm në Maqedoni, pra kanë renditje të suksesit. Por, përse ekziston ky numër i vogël i bizneseve të suksesshme? Problemet janë të natyrës së menaxhimit të dobët në sektorin e burimeve njerëzore, në sektorin e marketingut, në sektorin financiar. Si e shihni ju këtë mos sukses?
HOXHA: Në gjithçka funksionon ligji i Parettos 20/80, i cili do të thotë në 20 për qind të pasurisë ose çfarëdo tjetër është 80përqindshi i asaj, prandaj edhe në biznes është e njëjta. Arsyet të cilat kemi kaq ndërmarrje të mëdha është edhe fakti tjetër që edhe në Evropë është i njëjti, mbi 90 për qind të ndërmarrjeve janë të vogla dhe të mesme, kështu që nuk mund të them saktë pse kemi kaq numër të kompanive.
KOHA: Duke i ndjekur dhe analizuar vazhdimisht politikat e shtetit, vëren qartazi se aspektet diskriminuese në bazë etnike vazhdojnë edhe më tej të jenë praktikë veprimi dhe vendimmarrjeje për të, gjegjësisht vazhdon politik-bërja që favorizon zonat maqedonase përballë zonave shqiptare?!
HOXHA: Nëse Marrëveshja Kornizë e Ohrit arriti të zbus problemin e përfaqësimit në administratë shtetërore në aspekt horizontal, nëse pjesërisht ofron zgjidhje institucionale të gjuhës shqipe, apo edhe disa aspekte kulturore që tangojnë shqiptarët, diskriminimi në aspekt ekonomik vërehet si në biznes po ashtu edhe në investimet publike. Rrjedhimisht ky problem ngeli i patrajtuar nga ana e politikës post-konfliktuale. Dhe, kjo tendencë është konstante në dekadën e fundit. Rasti më eklatant që flet për diskriminimin etnik dhe rajonal ku jetojnë shqiptarët, është zhvillimi i pabarabartë rajonal, tanimë i dokumentuar edhe nga institucioni zyrtar i Entit për statistikë. Në nivel shtetëror 1 për qind e BPV duhet të investohet në zhvillim ekonomik. Në rastin konkret 0.3 për qind investohet në Maqedoninë verilindore. Kjo flet që jemi shume mbrapa në këtë drejtim.
KOHA: Ju si vëzhgues të tregut të ekonomisë dhe papunësisë, si e shihni politikën e Agjensionit për punësim të Republikës së Maqedonisë, i cili ka për qëllim të bëj trajnimin e personave të papunësuar?
HOXHA: Konsistenca e alarmimit të devijimeve në krijimin e politikave shtetërore, nga ana e OEMVP është dëshmuar edhe tek rasti i Agjencionit për punësim të RM, i cili me masat e ndërmarra jo që nuk e zbut pabarazinë regjionale, por e ndihmon atë si me masat për punësime, vetë-punësimi, por edhe me masat për rikualifikim të fuqisë punëtore, duke mos marrë për bazë interesat e biznesit dhe nevojat e regjionit gjegjës. OEMVP edhe publikisht ka kritikuar veprimet e tilla.
KOHA: Familja është bashkësi primare njerëzore, ku individi së pari takohet me kushtet e jetës shoqërore, të cilat ia përcaktojnë atij kornizën, në të cilën ai mund të zhvillohet si person. Sa e rëndësishme është për ju familja dhe sa i përkushtoheni?
HOXHA: Familja është kult dhe çdo gjë vjen si rrjedhojë e raporteve familjare. Familja e shëndoshë të jep energji dhe kurajo që të kapish edhe majat më të larta të botës. Kuptohet që një sinkronizim i mirëfilltë i përgjegjësive bën që ne të jemi të gjithë të lumtur.
KOHA: Zoti Nebi, më 1995 në Tiranë, në rrethana ende të pasqaruara mirë dhe për motive gjithashtu të pasqaruara mirë, humbi jetën një familjar i Juaj, aktivisti dhe biznesmeni Remzi Hoxha. Patjetër që kjo ngjarje makabre nuk Ju ka shqetësuar vetëm Ju, por edhe opinionin më të gjerë shqiptarë. Që atëherë kanë kaluar më shumë se njëzet vjet. Patjetër që Ju i dini më mirë se shumë të tjerë motivet e kësaj vepre jo vetëm çnjerëzore, por edhe antikombëtare. A mund të na flisni pak për këtë rast, edhe për ta freskuar kujtesën e opinionit?
HOXHA: Për këtë rast mund të flas shumë, por mua si vëlla nuk më takon të flas për vëllain tim. Vetëm më pengon termi biznesmen, sepse e gjithë ngjarja merr konotacion material. Koha do ta dëshmojë të vërtetën, sepse janë të shumtë ata që mund të flasin për aktivitetin e tij. Kurse, motivin mund ta japë vetëm Sali Berisha.
KOHA: Ngjarja ndodhi në kohën kur në pushtet ishte Partia Demokratike. Pas dy-tre vjetësh pushteti kaloi në duart e socialistëve. Pastaj, përsëri erdhën demokratët e tani u kthyen socialistët. E solla këtë fakt për të thënë se mos vallë zhdukja dhe fshehja e motiveve të veprës (edhe e trupit të pajetë), u konvenon të dyja palëve?
HOXHA: Ju thash që Saliu është çelësi i enigmës tonë familjare. Ne kemi dhënë edhe shumë lek dhe nuk arritëm ta gjejmë as gjallë, as të vdekur. Të paktën të del një zë i ndershëm dhe të tregon për trupin e pajetë, sepse fundja meriton të ketë një varr ku do ta qajmë familja dhe të afërmit.
KOHA: Fatos Klosi, ish shef i ShISh-it, kur në pushtet ishte PS-ja, ka deklaruar se Remziu u zhduk, meqë dinte shumë për lidhjet e Berishës me Arkanin? Sa mund të ketë të vërtetë këtu, kur dihet se marrëdhëniet e tilla (po të ketë pasur), janë top sekret?
HOXHA: Nuk kemi asnjë dëshmi për këto informata, Saliu e din.
KOHA: Ju keni bërë çmos për të ardhur te e vërteta. Ç’keni mundur të mësoni deri tani, nëse nuk është ndonjë fshehtësi?
HOXHA: Duke iu falënderuar Avokatit të popullit, z. Ermir Dobjanit, për herë të parë u arrit që të rihapet dosja dhe për herë të parë pas 9 viteve shteti pranoi fajin. Nga 2005 deri me 12 dhjetor 2012, janë marrë në dëshmi mbi 104 dëshmitarë nga prokurori i ndjerë Përparim Hasa, një burrë që nuk e kishte frikën nga askush. Dhe pas 7 vitesh, merret vendim për dënim heqje nga liria për Ilir Kumbaron, i cili ishte personi i fundit që i kishte mbetur në dorë vëllau im. Ilir Kumbaro ka jetuar në Angli me emër të rrejshëm për 13 vite. Dyshojmë që Ilir Kumbaro nuk po ekstradohet qëllimisht. Ndoshta për interesa të dikujt apo ndoshta që di shumë gjëra tjera për Saliun. E vërteta vonon, por një ditë do të vjen.
KOHA: Remzi Hoxha ishte shtetas edhe i Kosovës, edhe i Maqedonisë. Është e logjikshme dhe detyruese që shteti të interesohet për fatin e shtetasit të tij. Ç’kanë bërë këto shtete për ta ndriçuar këtë rast?
HOXHA: Fillimisht kemi intervenuar nga të gjitha anët e botës, kurse këtu mund ta falënderoj z. Ismet Ramadanin, i cili si deputet në atë kohë bëri çmos që të marrim një përgjigje konkrete, por për fat të keq, asgjë zyrtarisht nga Ministria e Drejtësisë. Përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme kanë kërkuar të zbulohet çështja dhe përgjigja zyrtare është që është zhdukur dhe personat janë dënuar. Ne si familje nuk jemi të kënaqur me një sjellje të tillë, sepse gjykohet një person që është në arrati. Shteti ka instrumente që mund ta zbulon dhe ta sjellë para ligjit.
KOHA: Patjetër që imponohet një pyetje, mbase e përsëritur. Kujt i ka penguar aq shumë Remzi Hoxha, që të “dënohet” me vdekje?
HOXHA: I ka penguar dikujt, por nuk mund ta dimë përderisa nuk është gjetur fajtori dhe trupi i tij.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.