Në kuadër të Presidencës së Shqipërisë të Këshillit të Ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore (CoMoCoSEE), në Ministrinë e Kulturës në Tiranë, të mërkurën do të zhvillohet Takimi i Komitetit të Zyrtarëve të Këshillit të Ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore (CoMoCoSEE). Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës, në takim do të marrin pjesë përfaqësues të lartë të ministrive të Kulturës të vendeve anëtare të CoMOCoSEE, si Maqedonia Bosnje-Hercegovina, Kroacia, Greqia, Moldavia, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Sllovenia dhe Turqia, përfaqësues të UNESCO-s në dhe të Komisionit Kombëtar Shqiptar për UNESCO-n, si dhe drejtues të disa institucioneve qendrore të trashëgimisë kulturore. Në linjë me Strategjinë Rajonale të Ohrit për bashkëpunim kulturor në Evropës Juglindore dhe në vijim të Deklaratës së Përbashkët të Ministrave të Kulturës të Evropës Juglindore për “Mbrojtjen dhe menaxhimin e qëndrueshëm të Trashëgimisë Kulturore” objektivat kryesore të këtij takimi do të fokusohen në dy tema kryesore – “Trashëgimia kulturore si drejtues për zhvillimin e qëndrueshëm” dhe “Lufta kundër trafikimit të paligjshëm të pasurive kulturore në Evropën Juglindore”. Ky takim i paraprin përgatitjeve për Konferencën Ministeriale të CoMoCoSEE, që do të mbahet në Tiranë në muajin shkurt të vitit 2017.