Emin AZEMI
Titujt gazetaresk të Beogradit gjithmonë i shkruan një dorë. Sidomos ata tituj që “mizën e bëjnë bullë”. Tash së fundmi na ra të shohim disa prej tyre që ishin marrë me zhvillimet e fundit në Maqedoni. Një i painformuar që zbret në Beograd dhe që planifikon të vazhdojë udhëtimin për Shkup, punën e parë që do ta bënte do të kujdesej që sa më shpejt të pajisej me një maskë kundër gazit lotsjellës dhe do të merrte masat që me vete të kishte të gjitha pajisjet anti-terror.
“Zaevi, i gatshëm të vrasë maqedonasit për NATO-n”. Ky është një prej shumë titujve të shumtë, i cili do të dëshironte të mobilizonte publikun serb kundër udhëheqjes së re në Shkup. Regjimi i Gruevskit trajtohej nga mediat serbe si politikanë që është rritur me ndjenjën e të qenit arrogant kundër shqiptarëve. Kështu e patën ngritë në maje të plehut edhe Millosheviqin, deri sa ia thyen qafen në pusin e thellë të palavdisë.
Në Serbi ka pakënaqësi të mëdha pas marrëveshjes së arritur në mes të Shkupit dhe Athinës. Një grup militantësh të sponsorizuar nga Rusia që po shkarravitet bulevardeve të Shkupit, po gjen hapësirë të bollshme në mediat serbe. Disa prej tyre po kujdesen që titujt të jenë sa më bombastikë, sepse vetëm kështu e arsyetojnë bukën me hile që e sigurojnë nga donatorët e “fabrikës së gënjeshtrave”. Padronët e Sputnikut kanë pipthat e tyre edhe në Maqedoni dhe detyrat janë ndarë. Disa merren vetëm me denigrimin e shqiptarëve. Të tjerët mbjellin defetizëm anti-Nato. Të tretët kultivojnë euroskepticizmin.
Normalizimi i marrëdhënieve të Maqedonisë me Greqinë nuk po i bën të lumtur disa faktorë që nuk duan stabilitet afatgjatë në këtë pjesë të Europës Juglindore. Ekcese të fabrikuara, gjuhë të urrejtjes, mbjellje të panikut publik – këto janë veglat e mbetura nëpër bodrume të një grupi atavistësh ballkanikë. Ata nuk po pajtohen me realitetin që i nxjerr ata nga loja. Nuk po ia falin Zaevit që u bë kaq europian dhe nuk iu përkul furtunave që vinin nga Stepet.
Titujt luftënxitës të mediave të Beogradit po bëhen pjesë e një lufte speciale kundër Maqedonisë. Kjo po ndodhë në kohën kur udhëheqja serbe po merr ftesa në samite e takime europiane, ku nuk po mungojnë edhe mbështetjet politike e financiare. Paradoksi i kësaj gjendjeje të dyzuar e bën Serbinë një sfingë me dy fytyra të ndryshme – njërën të buzëqeshur e cinike e kthyer nga Brukseli, dhe tjetrën vajtuese e tinëzake, e kthyer nga Moska.
Në Shkup është qetë, vetëm se rrugët po bëhen të zhurmshme nga një turmë që po i kërkon akrepat e orës së prishur. Kjo turmë pensionistësh, nga mediat serbe po trajtohet si “makedonski narod”. Kështu është kur raportohet nga distanca dhe në vend të burimeve relevante, merren disa megaphone të dëshpëruar që hanë bukën e huaj për të nxi realitetin në shtëpi.
Maskat kundër gazit lotsjellës mund të shërbejnë si metaforë e një revolucioni absurd që asnjëherë nuk ka për të sjellë të dobishmen për shumicën e qyetarëve të Maqedonisë. Disponimi proeuropian e proamerikan i shumicës së qytetarëve të Maqedonisë, është siguresa që mban larg fijet e shkrepëses. Titujt e mediave të Beogradit do të ngelin relikte të lagura që të përkujton fitilaqet me blozë të mbushur pas një puçi të dështuar.