“Mendoj se Suning ka burimet e nevojshme financiare për të ndërtuar një Inter të madh”. Presidenti zikaltër, Eric Thohir flet pas shumë kohësh në lidhje me projektin për ndërtimin e një skuadre të sukseshme në Itali dhe Europë. Numri 1 i klubit, edhe pse me kompetenca të limituara pasi shiti pjesën më të madhe të aksioneve te kinezët e Suning, thekson se drejtuesit e rinj janë në gjendje të ndërtojnë një skuadër që si objektiv minimal do të ketë kualifikimin në Chamions League.
“Do t’i shtojmë skuadrës disa lojtarë të tjerë por po punojmë shumë për të rritur praninë tonë edhe në Kinë. Interi është një nga klubet më të mëdha të botës dhe mendoj se duhet të luajmë rregulisht në Champions League. Klubi po tenton të përmirësojë sa më shumë skuadrën për të arritur sa më parë objektivat që kemi”, shton Thohir. Në vijim ai qartëson se filimisht duhen sheshuar bilancet brenda dhe jashtë fushës së blertë sepse Interi nuk duhet thjesht të investojë te lojtarët, por duhet gjithashtu të ndërtojë një markë të suksesshme dhe infrastrukturën e nevojshme.
“Kur mbërrin një i huaj, tifozët pyesin shumë dhe ne duhet të tregojmë se po punojmë për të ndërtuar një skuadër konkurruese. Do të duhet pa kohë për t’u rikthyer te sukseset por mendoj se duhet të frymëzohemi nga Leicester City”, nënvizon në fund manjati indonezian.