Thaçi: Vetëm dënimi i autorëve të gjenocidit në Srebrenicë do të shërojë dhimbjen e familjarëve

Prishtinë, 11 korrik  – Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka kujtuar sot masakrën e Srebrenicës e cila ndodhi në datën e stome para 23 vjetësh, duke porositur se Kosova asnjëherë nuk do të heqë dorë nga kërkimi i së vërtetës dhe dënimi i kryerësve të këtyre masakrave, raportoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

“Sot i bashkohemi qytetarëve të mbarë botës, të cilët po e kujtojnë masakrën më të madhe pas luftës së dytë botërore në Evropë, masakrën e Srebrenicës. Fëmijë, gra e burra u vranë egërsisht, prandaj vetëm njohja e së kaluarës dhe dënimi i kryerësve të gjenocidit, do të shërojë plotësisht dhembjen e familjarëve të tyre”, shkruan Thaçi në Facebook.

Kjo masakër, e cila u dënua nga e gjithë bota,thotë Thaçi, “fatkeqësisht nuk e ndali regjimin e Millosheviqit të kryejë masakra të tjera në Kosovë, me përmasa të një gjenocidi të ri”.

“Republika e Kosovës asnjëherë nuk do të heqë dorë nga kërkimi i së vërtetës dhe dënimi i kryerësve të këtyre masakrave”, thotë presidenti i Kosovës.