Shkup, 11 janar – Kompania “TDS-Kioski”, e cila kishte fituar tenderin për analizën e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit, të mërkurën publikisht ka njoftuar se tërhiqet nga ky projekt. “Çdo dështim eventual në këtë rast do të dëmtonte rëndë imazhin e kompanisë tonë, andaj ne heqim dorë nga ky projekt dhe do të kërkojmë ndërprerjen e kontratës”, tha Rrahim Shaqiri, drejtues i “TDS- Kioski”. Reagimi i “TDS Kioski” vjen pas dyshimeve dhe akuzave të ngritura në disa media në vend lidhur me kapacitetet e “TDS-Kioski” për analizën e implementimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe organizimin e Konferencës ku do të shpalosej analiza. Sipas Shaqirit, shqyrtimet, kontrollet, rishikimet e procedurës tenderuese, dokumentacioneve që kërkohen nga kompania e tij, ua ka rënduar dukshëm punën, ndërsa paralajmërimet për vazhdimin e rishikimeve dhe kontrolleve të këtilla gjatë ditëve në vazhdim do të pamundësojë krejtësisht punën e tyre. “Me këto pengesa ekziston rreziku që puna e kompanisë sonë të dështojë duke pasur parasysh kohën e shkurtër që ka ngelur deri në datën e Konferencës dhe publikimeve”, tha ai. Shaqiri më tej tha se janë të pavërteta informatat në media se kompania nuk ka kapacitete profesionale për realizimin e analizës. Nga sfera e analizave dhe hulumtimeve kemi punuar projekte për Ministrinë për Punë dhe Politikë Sociale dhe për Ministrinë e Ekonomisë, theksoi Shaqiri. “Demantojmë se me datë 02.12.2016 është themeluar njësia për marketing, meqë me datë 02.12.2016 është bërë vetëm riemërimi i njësisë në TDS-ADVERTISING, që paraqet të drejtën tonë legjitime për të riemëruar njësinë organizative. Dëshmi për këtë është edhe vet dokumenti i Regjistrit qendror ku është e cekur se me datë 02-12-2016 ka pasur ndryshim vetëm në riemërimin e njësisë organizative e jo themelim i njësisë organizative”, deklaroi Shaqiri. Ai më tej informoi se shpallja publike për realizimin e analizës kualitative për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit është marrë nga Kompania TDS në mënyrë të rregullt”, tha mes tjerash Rahim Shaqiri, pronar i TDS”Kioski” nga Tetova. (Z.V)